Gazeta “Si” – Shqipëria rrezikon të “digjet”, si pasojë e vatrave të zjarrit që krijohen nga temperaturat e larta të këtyre ditëve.
Në një prononcim për Gazetasi.al drejtuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, Haki Çako, tha se si pasojë e temperaturave deri në 40 gradë, mund të ketë aktivizim të vatrave të zjarrit.
Sipas tij, të gjitha strukturat e emergjencave civile në bashkitë e vendit, janë në gatishmëri të plotë për të mos lejuar përhapjen e tyre.

“Ne jemi akoma në një moment gjelbërimi, por me kalimin e ditëve dhe rritjen e mëtejshme të temperaturave do të ndeshemi me tharjen e bimësisë dhe uljen e lagështirës në ajër, të cilat do të shtojnë rriskun për vatra zjarri”, u shpreh Çako.
Drejtori i Emergjencave Civile i tha Gazetasi.al se në vend nuk ka zjarre të agravuara, por e vetmja vatër zjarri ende e pashuar është ajo në Lezhë, në Torovicë nga ana e Velipojës.
Çako tha se prej 3-4 ditësh forcat e armatosura, sëbashku me strukturat e emergjencave civile të bashkisë Lezhë po punojnë për shuarjen e zjarrit i cili nuk përbën rrezik për zonën.
“Zjarri është larg zonave të banuara dhe kryesisht në shkurre me bimësi të ulët. Ndonëse është akoma aktive, vatra është në kontroll”, tha Çako.
Sipas kreut të Emergjencave Civile, zonat më të prekura nga zjarret janë Elbasani, Vlora, Fieri, Mallakastra, Shkodra, Puka, Fushë Arrëz, Kukës, (Maja e Thirrës dhe zona pranë “Rrugës së Kombit”), Dibra, (zona midis Klosit dhe Burrelit”, të cilat dhe vitin e kaluar u prekën nga zjarret.
Problem sipas tij mbeten zjarret e vendosura qëllimisht nga banorët, siç ishte rasti i djeshëm në Dropull ku u dogj një sipërfaqe are prej 10 hektarësh dhe bashkë me të dhe një automjet autokombajnë.
Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako ka bërë thirrje për më shumë kujdes në ruajtjen e mjedisit dhe pyjeve nga zjarret, duke shmangur çdo veprim të pakujdesshëm që mund të dëmtonte rëndë bimësinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




