Opinion

Telenovelat turke – Strategjia për të ringritur Perandorinë në Ballkan

Nga Xhuliana Toci – Pavarësisht krizës ekonomike, luftës për pushtet në arenën ndërkombëtare dhe “dorës së hekurt” të Perëndimit, Presidenti Turk, Recep Tayyip Erdogan, duket se ka gjetur një “varkë të vogël shpëtimi” për ta nxjerrë nga gremina qeverinë e tij dhe për të përhapur edhe më tej ndikimin kulturës turke. Kanë qenë pikërisht kinematografia dhe serialet televizive ato që i kanë mundësuar qeverisë turke të mbushë arkën e shtetit, të fuqizojë turizmin dhe të krijojë imazhin e një kombi të lavdishëm në audiencën botërore. Si një lider egocentrik, Erdogan ka përdorur strategji të shumta për të fituar zemrat dhe mendjet e publikut botëror, sidomos atij ballkanik. Por serialet turke, sipas një seri hulumtimesh, janë katalizatori kryesor për shtrirjen e ndikimit të Turqisë dhe politikave të saj të jashtme në mesin e vendeve me shumicë myslimane.

Pas ardhjes në pushtet të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në 2002, seritë televizive janë kthyer në eksportin më “glamur” të Turqisë. Pothuajse 150 seri televizive turke janë shitur në mbi 100 vende në Lindjen e Mesme, Europën Lindore, Ballkan, Amerikën e Jugut dhe Azinë Jugore dhe janë blerë tanimë edhe nga platforma gjigante Netflix.

Eksportet vjetore raportohet se kanë kapur vitin e kaluar vlerën e 300 milionë dollarëve, ndërkohë që Turqia duket se ka fituar një rritje të ndikimit diplomatik dhe kulturor në arenën botërore, sidomos në Ballkan Perëndimor. Një studim i universitetit të Katarit theksonte ndër të tjera se Erdogan po shfrytëzon popullaritetin e serialeve turke, për të “mbërthyer” të gjitha territoret që dikur kanë qenë nën Perandorisë Osmane. Sipas ekspertëve, aftësia më e madhe e partisë në pushtet është përqendrimi i zhvillimit politik tek neo-Otomanizmi, e njohur ndryshe ai interesi kombëtar i Turqisë ndaj ish-vendeve të Perandorisë Osmane.

Seriali turk “Dirilis: Ertugrul”

Ertugrul “mbërthen” Ballkanin

Përforcimi i marrëdhënieve me disa nga vendet Ballkanike është kthyer tanimë në një nga strategjitë thelbësore të qeverisë së Erdogan, duke bërë që Turqia të forcojë pozicionin e saj si një fuqi dominuese dhe të përhapë më tej ndikimin kulturor dhe fetar në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë tre sezoneve bombastike, një nga serialet më të lavdishëm të kinematografisë turke, “Dirilis: Ertugrul” ka përshkruar betejat mesjetare të ndërmarra nga turqit kundër armiqve të krishterë. Duke u përqendruar në jetën e Ertugrul Beut, babait të Osman Beut, themeluesit të Perandorisë Osmane në shekullin e 13-të, seriali duket se i mëshon fuqishëm një prej fantazive më të mëdha të Turqisë: zgjimin e një kombi të vetëm.

Faktikisht, kjo strategji ka nisur vite më parë me “Sulejmani i Madhërishëm”, një serial mjaft popullor, bazuar në jetën e Sulltan Sulejmanit, i cili udhëhoqi Perandorinë Osmane në kulmin e fuqisë së saj në shekullin e 16-të. “The New York Times” e ka përshkruar këtë serial, në vitin 2012, si “Sex and the City” i kinematografisë turke, për shkak të audiencës së madhe në shkallë botërore. Tanimë, për turqit është më se e zakonshme të shohin grupe turistësh arabë ose europianë, tek vizitojnë në Stamboll vendet joshëse që kanë parë në ekran.

Seriali “Sulemani i Madhërishëm”

Por “Dirilis: Ertugrul” synon më shumë sesa joshjen e audiencës së brendshme. Sezoni i parë paraqiti përballjen e turqve me kryqtarët në Anadoll, i dyti u bazua tek beteja kundër Mongolëve, ndërsa lufta e tretë ishte ajo me bizantinët e krishterë. Me siguri fansat shqiptarë të këtij seriali i dinë “përmendësh” të gjitha ndodhitë, por pak prej tyre e dinë se shumë prej ngjarjeve dhe skemave në “Dirilus: Ertugrul”, mund të mos kenë ndodhur kurrë në të vërtetë.

Madje në një ceremoni çmimesh nëntorin e kaluar, aktorët dhe producentët e serialit historik nuk u lejuan të flisnin në skenë, madje as të dilnin dhe të merrnin çmimet e tyre. I vetmi zë që kumboi atë ditë, në sallën e heshtur, ishte ai i Presidentit Erdogan, i cili shpërtheu në polemika, duke lavdëruar “Dirilis: Ertugrul” si arritjen më të madhe të kinematografisë turke. “Derisa luanët të fillojnë të shkruajnë historitë e tyre, gjuetarët e tyre do të jenë gjithnjë heronjtë”, deklaroi ai.

E sikur të mos mjaftonin “ngatërresat” që i ka bërë historisë, seriali reflekton edhe pikëpamjet politike dhe nacionalizmin mysliman të shprehur hapur nga Presidenti Erdogan, i cili gjatë referendumit të vitit të kaluar foli për një luftë të hidhur midis “gjysmëhënës dhe kryqit”. Pak prej shikuesve shqiptarë e dinë se serialet turke i bëjnë jehonë atmosferës politike në vend dhe përdoren nga presidenti për të përhapur fenë myslimane dhe traditat e “shenjta” turke. Madje që nga përpjekja për grushtin e shtetit, gjatë vitit të kaluar ka pasur një sërë serialesh televizive me ushtarë dhe operativë të inteligjencës që luftojnë armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Në mënyrë të pashmangshme, edhe “Dirilis: Ertugrul” është përfshirë në luftën e hidhur kulturore të Turqisë midis konservatorëve fetarë dhe elitave kulturore.

Seriali turk “Dirilis: Ertugrul”

Atë natë, “Sulltani i vetëshpallur” i Turqisë tregoi se seriale si “Dirilis: Ertugrul” janë “arma sekrete” e Ankarasë për të përhapur ndikimin dhe kulturën turke në ish-territoret e Perandorisë Osmane. I ndërtuar mbi idenë se Turqia ka një mision unik si trashëgimtare e një perandorie të madhe, seriali përshkruan një komb të themeluar nga burra të fortë, të guximshëm dhe të mençur. Në skenë personazhet flasin rreth një beteje dhe një perandorie të lavdishme, duke “hipnotizuar” shikuesit me inteligjencën dhe aftësitë ushtarake.

Në mënyrë të pashmangshme, “Dirilis: Ertugrul” ka bërë që shikuesit shqiptarë të bëjnë tifo me zë të lartë për ushtarët turq, edhe pse shekuj më parë ishin pikërisht ata që u dogjën fshatrat, u rrëzuan kalatë dhe u rrëmbyen identitetin kulturor, duke lënë gjurmë të rënda në historinë e Shqipërisë.

Një serial i ngjashëm është edhe “Kosem”, për sezonin e parë të të cilit janë investuar mbi 13 milionë dollarë, edhe pse është xhiruar në pallatet e vjetra osmane, në periferi të Stambollit. Këto prodhime kinematografike janë përdorur dhe po përdoren si një mjet për t’u kthyer në të kaluarën osmane, duke ndryshuar jo vetëm “ngjyrimin” e ngjarjeve, por edhe duke fshirë nga harta historike heronj të mirënjohur si Gjergj Kastriot Skëndërbeu.

Studimi i universitetit të Katarit, nënvizon se sundimi turk në Ballkan ka lënë gjurmë të rëndësishme në aftësitë kulturore, fetare, socio-politike dhe ekonomike të rajonit dhe pavarësisht ngjashmërive të dukshme midis kulturave, Turqia është pritur gjithnjë me armiqësi në rajon. E megjithatë, vitet e fundit, përhapja e kulturës turke nëpërmjet kinematografisë duket ta ketë bërë më të lehtë infiltrimin e Ankarasë mes shteteve ballkanike.

Kinematografia, pjesë e politikës së jashtme turke

Sipas BBC, serialet turke transmetohen tashmë mbi 100 vende anembanë globit, gjysma e të cilave janë nga Liga Arabe, vendet Aziatike si dhe Ballkani. Deri tani, Turqia ka shitur më dhjetëra seriale në vendet e Ballkanit, në rajonin e Kaukazit dhe në Lindjen e Mesme. Bullgaria ka blerë numrin më të madh të serialeve turke në Ballkan, pasuar nga Maqedonia dhe më pas Greqia. Sipas përfaqësuesve të sektorit televiziv, çmimet e serialeve turke janë rritur. Një episod mund të kushtojë nga 500 në deri në 50,000 dollarë, në varësi të serialit, vitit të prodhimit dhe faktorëve të tjerë.

Duke parë zgjerimin e kinematografisë tturke, si dhe përfshirjen e traditave fetare dhe historike të ish-peradorisë Osmane, ekspertët amerikanë dhe evropianë ngrenë alarmin se Ankaraja zyrtare po përdor serialet për çimentuar ndikimin e saj në botë. Si pasojë, pas më shumë se dhjetë vitesh partneriteti, rrjeti satelitor saudit, “ MBC” njoftoi në fillim të 2018 se do të pezullonte transmetimin e të gjitha serialeve turke.

Studimi të Universitetit të Katarit thotë shikuesit duket se janë të vetëdijshëm për politikën e jashtme të Turqisë, por nuk kanë interes për lajmet dhe çështjet aktuale që ndodhin në Turqi përtej serialeve. Ata shprehen se ndryshe nga fuqia ushtarake, Erdogan po e përdor kinematografinë si mjet tërheqjeje duke përdorur aspektet shoqërore, fetare dhe tradicionale.

Kjo strategji njihet ndryshe si “fuqia e butë” dhe u përdor fillimisht nga SHBA-ja gjatë Luftës së Ftohtë, e cila e përdorte kinematografinë si mjet për sukses në politikën botërore. Por ndërkohë që Hollivudi ka humbur “aftësinë” për të formësuar realitetin, ndikimi i kësaj fuqie është sot në duart e “Sulltanit të vetëshpallur” të Turqisë, i cili po mbërthen gjithnjë e më shumë “tentakulat” drejt ish-territoreve të Perandorisë Osmane.

Seriali turk “Dashuri e Pafundme”

Burimet: “New York Times”, “BBC”, “University of Katar”, “Blooberg”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë