Lajme

Telekom fiton tenderin për internetin më të shpejtë

AKEP ka shpallur kompaninë Telekom si fituese e tenderit për internetin më të shpejtë.
Referuar procedurës, AKEP informon se oferta e paraqitur prej Telekom Albania sh.a, për një të drejtë përdorimi, me vlerën e 7,4 mln euro është identifikuar si ofertë fituese, për përdorimin e frekuencave të brezit 800 MHz – Bllokut A3: 811-821 MHz (10 MHz) i çiftuar me 852-862 MHz (10 MHz)

Më 9 shtator AKEP çeli garën për operatorët celularë, tender ndërkombëtar për të drejtën e përdorimit në brezin e frekuencave 800 MHz.

Vlera minimale e pranueshme për ofertuesit për dhënien e një autorizimi individual për përdorimin e frekuencave në brezin 800 MHz, duhet të ishte jo më pak se 7.44 milionë euro dhe ofertuesit të cilët do të ofronin një çmim më të ulët se kjo vlerë do të s’kualifikoheshin.

Tenderi u zhvillua me procedurë të hapur.

Ky proces synon nxitjen e investimeve për zhvillimin e internetit të shpejtë (mobile broadband), për të përmirësuar infrastrukturën dixhitale në vend si dhe për të ofruar shërbime më cilësore për qytetarët në të gjithë territorin e vendit.

Në të njëjtën kohë nga realizimi me sukses i këtij procesi në brezin e frekuencave 800 MHz, synohet të sigurohet një e ardhur e konsiderueshme, që do të shkojë për buxhetin e shtetit.
Përdorimi i Internetit në Shqipëri vazhdon të rritet dhe komunikimi me anë të internetit nga rrjetet celulare është rritur me 15 herë në pesë vitet e fundit. Numri total i përdoruesve të rrjeteve celulare me akses broadband në internet për vitin 2018 ishte rreth 2.6 milionë, ndërsa numri i përdoruesve aktivë (përdorim të internetit në tre muajt e fundit) rreth 1.8 milionë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë