Art dhe Kulture

Teatri po rikthehet në jetë, komedia “Martesa”, të premten për publikun në Kalanë e Beratit

Pas suksesit që pati në amfiteatrin e Durrësit, komedia “Martesa”, do të udhëtojë këtë të premte në Berat.

“Martesa” me regji nga Driada Dervishi është përmbledhja e 5 pjesëve: “Martesa”, “Tragjik pa dashje”, “Ariu”, “Propozimi”, për t’u mbyllur me “Këngën e mjellmës”, e konceptuar si një këngë nostalgjie për kohën që ikën.

Një nostalgji lirike, që përshkruan gjithë krijimtarinë e dramaturgut të mirënjohur rus, Anton Çehov.

Lajmin për shfaqjen në Berat e bëri me dije teatri “Aleksandër Moisiu” Durrës, përmes një statusi në faqen e tij.

“’Martesa’ vijon celebrimet e saj në kalanë magjike të Beratit”, shkruan teatri. Ndërsa kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo, shprehet në një status të tij, se do të shijohet një komedi me aktorë të mirënjohur. “Nuk ka magji më të madhe se kur skenat e mëdha shkrihen në natyrë, në hapësirë madhështore dhe muzeale, të mistershme dhe ikonike, siç është kalaja jonë. Ditën e premte në orën 20:00 do të shijojmë komedinë “Martesa”, nga aktorët e mirënjohur të teatrit”, shkruan Demo.

Teatri “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit disa javë më parë shkruante se shpresonte që vepra e Anton Çehov me regji nga Dervishi, të shërbejë si hapëse e siparit të skenave teatrore. Komedia “Martesa” ka marrë disa vlerësime deri tani. Ajo është shpërblyer me çmimet “Regjia më e mirë në “KoKo Fest 2016”, aktorja më e mirë jo protagoniste në “KoKo Fest 2016” dhe çmimi i publikut në “Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit Moisiu On”.

Aktorët

Në role në komedi janë aktorët e trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Në role vijnë aktorët Amos Muji Zaharia, Adelina Muça, Gentian Zenelaj, Xhejni Fama, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Andia Xhunga, Gjergj Doçi, Alesia Xhemalaj dhe Jaho Guma. Komedia “Martesa” erdhi premierë për publikun në vitin 2015 nga regjisorja Driada Dervishi.

Në dy net, gjithçka ndodh në një martesë nga të kurdisurat për interes nga e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprac. Gjen një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja, e që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar se si do të jetë pas një viti martese jeta e tij.

Po aty gjen një vejushë, që është betuar të mbajë zi për gjithë jetën, e që për ironi bie në dashuri me borxhliun e bashkëshortit. Fqinji i familjes, pikërisht në këtë dasmë gjen rastin të kërkojë dorën e mbesës, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë