Art dhe Kulture

Teatri Kombëtar rikthehet online me poezi, lexime artistike dhe historinë e dramaturgjisë

Teatri Kombëtar i rikthehet aktivitetit artistik online. Ndërkohë që shfaqjet në skenë janë anuluar për shkak të infektimit të aktorëve me Covid-19, institucioni bëri me dije se do të vijojë me aktivitetin online.

Përmes programit artistik online Teatri Kombëtar ashtu si dhe të tjerë institucione të artit në vend veproi edhe më parë po për shkak të pezullimit të aktivitetit në skena për shkak të pandemisë, por i rikthehet sërish. Teatri njofton se aktiviteti artistik online nis më datë 21 janar.

“Të dashur miq, ndërkohë që shfaqjet tona janë shtyrë për një periudhë më të përshtatshme, për shkak të rasteve të evidentuara dhe të dyshuara me Covid-19,  Teatri Kombëtar do të zhvillojë aktivitetet artistike online në faqen e tij zyrtare në Facebook këtë fundjavë”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar, që për shkak të Covid-19 nuk vijoi dot me shfaqjen “Coriolanus”, kryevepra e Shekspirit me regji nga Altin Basha.

Në njoftimin e tij Teatri Kombëtar thotë më tej se deri në rikthimin e “Coriolanus” që erdhi në skenën e Teatrit në muajin dhjetor do të vijojë me programin artistik online në faqen e tij.

“Deri në rikthimin e produksionit madhështor të Teatrit Kombëtar ‘Coriolanus’, ju ftojnë të ndiqni larmishmërinë e programeve tona online”, bën me dije më tej institucioni.

Programi artistik

Mbrëmjen e datës 21 janar programi artistik online do të nisë me poezi nga autorë të njohur shqiptarë dhe të huaj, që do të jetë në orën 19:00 live në Facebook. Në këtë program artistik, sipas institucionit do të jenë me lexime artistike dhe vepra që janë në “Netët e leximit të dramës shqipe”. Ndërkohë, më datë 22 janar do të vijë një prej këtyre veprave teatrore: “Duke Pritur Gobon”, pjesë e projektit “Netët e leximit të dramës shqipe”. Në këtë program që do të vijë online janë dhe pjesë nga cikli edukativ, si “Historia e dramaturgjisë shqiptare” nga studiuesi dhe kritiku i artit, Josif Papagjoni më 23 janar ora 19:00, pjesë e ciklit edukativ – leksione për teatrin”.

“Duke pritur Gobon” është një vepër e autorit Armand Bora, që u dorëzua në teatër në “Netët e leximit të dramës shqipe” në edicionin e katërt. Në nëntor të vitit që lamë pas, regjisorë, aktorë dhe studiues u bënë bashkë dhe në “Leksione për Teatrin”, që u zhvillua nga Teatri Kombëtar te “ArTurbina”. Objektivi kryesor i këtij cikli që u zhvillua disa ditë ishte edukimi i brezave të rinj mbi historinë e teatrit shqiptar dhe atij botëror, si dhe njohjen me figurat që kanë kontribut në zhvillimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë