Muzike

Teatri i Operas dhe Baletit, ‘rikthehet’ te vetvetja

Nga Gazeta “SI”– Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit po ndodh një kthesë drejt identitetit, drejt një trupe të qëndrueshme, të përbërë nga artistë shqiptarë.

Tashmë artistët vendas jo vetëm ftohen për shfaqje të veçanta, por bëhen pjesë e përhershme e repertorit.

Kjo qasje u dëshmua në një seri ngjarjesh të fundit artistike që bënë bashkë muzikën klasike botërore dhe interpretët më të mirë shqiptarë.

Që nga Opera Gala me pjesëmarrjen e mbi 200 artistëve, pjesë e stafit të TKOB, tek rikthimi i violonçelistit shqiptar Klaudio Zoto e deri tek sopranoja me famë ndërkombëtare, Marigona Qerkezi, duket sikur Opera tashmë ka vendosur të përfaqësohet nga artistë kryesisht shqiptarë.

“Carmina Burana”, një spektakël gjigand nga forcat e brendshme

Më 25 dhe 26 qershor, kryevepra “Carmina Burana” e Carl Orff vjen në një version monumental, ku mbi 170 artistë të skenës shqiptare, solistë, Kori i TKOB-së, Kori i Zërave të Bardhë dhe Orkestra Simfonike do të bashkohen për të sjellë tingujt epikë të një vepre që kërkon jo vetëm teknikë, por edhe shpirt.

Dirigjimi i është besuar maestros spanjoll Sergio Alapont dhe mjeshtrit shqiptar Dritan Lumshi, duke krijuar një lidhje të natyrshme mes përvojës së ndërkombëtarëve me talentet vendas.

Duetet Moraviane dhe Këngët Cigane

Po ashtu në mbrëmjen e 23 qershorit, sopranoja Sonila Baboci dhe Eriona Gjyzeli, të shoqëruara nga pianistja Herta Cane, sollën një koncert me veprat e Dvořák. Një tjetër dëshmi se artistët shqiptarë tashmë janë të gatshëm të përballen me repertorët më delikatë e kërkues të muzikës lirike evropiane.

Robert Bisha dhe Marigona Qerkezi: Muzika shqiptare në zëra bashkëkohorë

Koncerti i Robert Bishës po ashtu hapi një dritare të re muzikore në ambientet e TKOB. Pianisti dhe kompozitori solli një performancë që ndërthuri jazz-in me tingujt folklorikë shqiptarë, ngjyrat mesdhetare dhe format elektroakustike, një përvojë e re që dëshmon se ky teatër është tashmë një hapësirë për krijim dhe eksperimentim.

Ndërsa sopranoja Marigona Qerkezi i dhuroi publikut një mbrëmje gala që përshkoi shekuj të muzikës, nga Verdi te Bernstein, e deri te motivet shqiptare.

Nën shoqërimin e Orkestrës Simfonike të TKOBAP dhe Korit të Teatrit, drejtuar nga maestro Fabrizio Maria Carminati dhe Dritan Lumshi, ajo përjetësoi atë që sot është ndoshta më e rëndësishmja, një artiste të madhe shqiptare në zemër të Tiranës si një bashkim sa i natyrshëm po aq dhe i domosdoshëm.

Fokusi është rikthyer te ndërtimi i një trupe të qëndrueshme kombëtare që nuk ka nevojë t’i huazojë zërat dhe dirigjentët për të shkëlqyer, por i rrit brenda vetes, për t’i shfaqur dhe mbështetur te ta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë