Lajme

Teatër në qendër masazhi, një “ditiramb” për përdhunimin kolektiv


“Betohemi solemnisht
se jetën tonë do ta vëjmë
në shërbim të pacientëve që paguajnë,
sidomos të atyre që paguajn më shumë.

Profesionin tonë do ta ushtrojmë
me ndërgjegje e me dinjitet,
për aq sa për këtë gjë,
na lejonë korporatat farmaceutike
industria e sigurimeve e akumulimi i kapitalit.

Shëndeti është produkt të cilin ne e shesim
Me çmime promocionale.”


Sabina Veizaj-Me betimin e shpërfytyruar të Hipokratit nis shfaqja “Hipokritët ose Pacienti Anglez” e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj. Një komedi e zezë që është shfaqur pasditen e të shtunës në sallën e vogël (Centrali 150) të ArTurbina.

Me regji të Blerta Neziraj dhe Agon Myftarit e lojë të aktorëve Ilire Vinca, Bajrush Mjaku, Dukagjin Podrimaj, Shpëtim Selmani, Ernest Malazogu, Daniela Markaj, komedia që në krye të herës ka nisur të thërrasë e ulërijë një sistem shoqëror të kalbur, të degjeneruar, korruptuar, kriminlaizuar, që përdhunon individin deri në palcë dhe individi përqafon e bën të vetën psikologjinë e turmës duke nisur masturbimin kolektiv mandej.
Komedia rrëfen për një qendër Masazhezh që e zonja, Vera me metoda korruptive të të gjitha mënyrave, përfshirë shfrytëzimin e hireve të veta, ka arritur ta zgjerojë biznesin dhe ti lejojë vetes të ëndërrojë për ta kthyer në një klinikë të madhe dhe me rëndësi në të gjithë Ballkanin. Por për këtë klinikë punon thjesht dhe vetëm një menaxher, Koko që ndihmon Verën me punët e pista, me të cilin ajo ka afera seksuale. Ndihmon në klinikë Dr. Frankenshtajni, i cili punon në Spitalin shtetëror të cilin përpiqet ta shkatërrojë me çdo kusht dhe i detyron pacientët të shkojnë tek Klinika “Medikus” nga e cila merr shpërblimin 22 % të vlerës së shërbimit për çdo pacient që kuron dhe operon në kushte çnjerëzore , Bahira, një vajzë siriane që e detyruar të emigrojë për shkak të luftës në vendin e vetë, përfundon aksidentalisht në Kosovë, në klinikën “Medikus” ku shërben si masazhatore. Mes tyre është edhe pacienti anglez, një individ i kësaj shoqërie, i shqetësuar për shëndetin e tij, i hedhur si top futbolli në të gjitha portat e mjekëve matrapazë dhe që nuk mund të zbulojë dot të vërtetën mbi shëndetin. Edhe atëherë kur i vjen mundësia për të reaguar, përton, neglizhon dhe ditën e protestimit vendos ta zhvendosë.
Kurse Aleksandra Vasileva përfaqësuese e Bashkimit Europian që komunikon fondet dhe dhurimet në sistemin e shëndetësisë së Kosovës, kërkon si shpërblim një transplant veshke.

Bajrush Mjaku, Pacienti anglez


Të gjitha ngjarjet ndodhin në klinikën “Medikus”.
Dialogjet janë ndërtuar mbi një fjalor vulgar, pornografik që i shkon për shtat kësaj kategorie të shoqërisë së sotme që për filozofi ka “çdo qëllim e justifikon mjetin.”
Vera arrin të bindë Bahirën për dhurimin e veshkës, por ajo nuk e di që veshka do të shkojë për përfaësuesin e BE-së, por për një fëmijë jetim. Dhe Bahira si shpërblim do të ketë paratë për të shkuar në Gjermani ku do të bashkohet me familjen e saj.
Transplanti bëhet, por në aeroport Bahirën e kapin në momentin e kontrollit. Në trupin e saj kishin mbetur një palë gërshërë gjatë operacionit. Skandali plas, por gjithçka rregullohet menjëherë. Klinikën “Medikus” e kapte plani për ndërtimin e autostradës. Ndërsa dikur Vera me metodat e saj këmbëngulte për prishjen e planit të autostradës, pavarësisht se sa do ti rëndonte buxhetit të shtetit, pas shpërthimit të skandalit, ajo bëhet pjesë e kontributit të rnëdësishëm të ndërtimit të “Autoudhës”, që zhduki çdo gjurmë të klinikës së saj makabre.
Komedia “Hipokritët ose pacienti anglez” merret me sistemin shëndetësor i cili, i zënë në kurthin e kapitalizmit e të politikave neoliberale, është shndërruar në njërën prej gangrenave kryesore të shoqërive bashkëkohore në Ballkan, dhe jo vetëm. Shëndetësia trajtohet në komedi si një sektor që jo vetëm s’është krijuar për t’iu shërbyer qytetarëve, por për t’i shërbyer industrisë farmaceutike, asaj të sigurimeve shëndetësore e spitaleve private, të cilat shëndetin e pacientit e shohin si produkt prej të cilit duhet të fitohet dhe prej të cilit mund të akumulohet kapitali. Kujdesi shëndetësor është marketizuar e komercializuar, kurse institucionet shëndetësore publike funksionojnë në kushte të mjerueshme, me mjek të korruptuar e mizantrop.
Por sistemi shëndetësor natyrisht nuk vepron i vetëm dhe i shkëputur, ai është pjesë e një hallke më të gjerë të keqpërdoruesve që vijnë nga politika, nga biznesi farmaceutik, nga kompanitë e sigurimeve, nga kompanitë e prodhimit të aparaturave mjekësore e nga nëntoka e krimit të organizuar.


Të pasurit marrin trajtim në klinikat e shtrenjta private në vend apo gjetiu në Europë. Të varfërit vdesin, duke pritur në radhë në spitalet publike, ose vdesin në përpjekje për t’grumbulluar financa për t’u trajtuar në spitalet private. Kjo situatë ka thelluar pabarazinë mes shtresave sociale dhe shtetet në rajon, të udhëhequra nga elita politike të korruptuara, janë duke i kontribuar kësaj pabarazie.
Në Kosovë, rreth 50 mjekë e ish-zyrtarë qeveritar janë duke u akuzuar për skandalin e quajtur “rasti stenta”, për mashtrim, keqpërdorim të pozitës zyrtare e marrje ryshfeti. Mjekë të tjerë, ndërkohë, janë dënuar për rastin tjetër të klinikës private “Medikus”, për trafikim ilegal të organeve. Një grup tjetër ndërsa akuzohet se ka qenë duke bashkëpunuar me kompanitë farmaceutike, duke u përshkruar pacientëve barna sipas emrit të kompanisë që i prodhon.
Por situata të ngjashme denoncohen edhe në Shqipëri; që nga tenderat, ilaçet e skaduara me rimbursim, etj që po detyrojnë mjekët të marrin valixhet e të largohen.
“Se çfarë tjetër mund të bëni, pos të vraponi.
S’ka ilaç, as mjekë, as djallë që ju shpëton në këtë vend
Veç vrapi, vrapi o njerëz…
Vraponi në dëshironi të ngeleni gjallë…
Vraponi, dhe pastaj duke vrapuar, ikni,
Ikni… sa më larg që të mundeni…

Ikni nga profesorët me diploma fallso, nga punëdhënësit gjakpirës
Ikni nga ky ajër i ndotur që thithni
Nga Nutela që këtu e sjellin me kualitet super të dobët
Nga domatet me pesticide që rriten pa diell
Ikni nga ajo fshatarja që kur lanë teshat me dorë në katin e nëntë,”
Këndojnë aktorët në kor gjatë shfaqjes.

Në komedinë “Hipokritët ose Pacienti anglez”, 6 personazhet, na tregojnë me shumë humor, për qendrat e masazheve në Ballkan, ku praktikohet ‘happy-end’-i (eufemizëm për masturbimin), për transplantin ilegal të veshkave e për operacionet mashtruese të stentave të zemrës – krejt këto, nën hijen e punimeve intensive për ndërtimin e ‘autoudhës së paqës ballkanase’. Në “Hipokritët…” publiku sheh anën ‘pornografike’ të një shoqërie e cila është duke praktikuar një happy-end kolektiv (masturbim kolektiv)…


Në fakt kjo komedi me gjithë lojën shumë të mirë të aktorëve profesionistë si Ilire Vinca e cila qe ndër 20 aktoret më të mira në botë për 2017-ën ku shkëlqeu në rolin e nënës në më “Natën Ma” sezonin e kaluar në teatrin Metropol, aktori i Shkupit Majrush Mjaku, etj, kjo komedi peshon më shumë për nga vepra, teksti.
Jetoni është disi i kënaqur nga reagimi i publikut të Tiranës. Pasi herët e mëparshme kur trupa kosovare jep shfaqje në Tiranë, edhe pse hyrja është e lirë, pakkush është i interesuar për jetën kulturore.
Tek e pyes Jetonin pas shfaqjes se si ka reaguar opinioni publik në Kosovë për këtë komedi kaq të rëndë, që në çdo moment të grushton në stomak dhe të trondit kaq shumë duke të përplasur në fytyrë këtë realitet të tmerrshëm dhe me një reagim shoqëror të paralizuar, Jetoni thotë se në Kosovë janë mësuar dhe buzëqesh me ironi. Dhe në fakt ky është problemi. Që shfaqje të tilla të rëndësishme që do të duhej të vinin në lëvizje gjithë sistemin, përfundojnë në një kënaqësi dhe reflektim momental.
Jetoni në vepër, e cila është një punim i freskët i tij, e shtatorit 2018, ngre shumë pyetje dhe u jep përgjigjje njëkohësisht. Publiku në fakt, opinioni nuk ka nevojë të filozofojë dhe të vrasë mendjen. i mbetet thjesht të frymëzohet për tiu kundërvënë sistemit në çdo rast që i jepet mundësia.


Jeton Neziraj, ka shkruar më shumë se njëzet vepra për teatër, të cilat janë vënë në skenë në Kosovë, në rajon, por edhe përtej kufirit në teatro të vendeve të Europës Perëndimore.
Ai ka ulërirë me penën e tij problematika universale siç është edhe “Hipokritët ose Pacienti anglez” që kanë shqetësuar deri në kockë, jo vetëm shoqërinë e gjithë shqiptarisë, por shumë shoqëri të botës. Ai me veprat e tij ka ironizuar dhe bërë sarkazmë me faktorët ndërkombëtarë. Ai është kërcënuar edhe me jetë, por nuk ka ndalur së shkruari e së bërtituri përmes veprave të tij, të vërtetën që na gërryen të gjithëve.
Në një intervistë të para do kohëvë dhënë për gazetën “Si” gazetares Suadela Balliu, Neziraj do të thoshte-“Hezitojmë ta drejtojmë gishtin kah problemet, sepse kështu besojmë se e ‘dëmtojmë’ “çështjen kombëtare’, “rrugën tonë europiane”, “rrugën e integrimeve euro-atlanitke” e broçkullash të kësaj natyre.” e megjithëse dramat e tij i turbullojnë jo pak ujërat e debatit publik, kur fjala vjen, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ngjitet në skenë një dramë si “Bordel Ballkan” , “50 shades of gay”, “Hipokritët ose Pacienti anglez”, mendon se një farë lirie për të krijuar e ka. “Pesë a gjashtë vjet të shkuar nuk do e kisha menduar se do të qe e mundur t’i shihja veprat të merrnin formë mbi skenë. Në fund të fundit, çdo shoqëri, edhe më të përparuarat i kanë demonët e vet që herë shfaqen si fanatikë fetarë, herë si nacionalistë, herë si nacionalistët apo neo-fashiste, gjithnjë për të kundërshtuar, edhe me forma dhune shfaqje teatrore. Kjo tregon rëndësinë e vërtetë që ka teatri.”- do të shprehej Neziraj në atë intervistë.
E shfaqur në Prishtinë, Ferizaj, Tiranë, komedia “Hipokritët ose Pacienti anglez” do të shfaqet sot në Shkodër në tetarin “Migjeni”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë