CRCA/ECPAT Shqipëri i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë vaksinimin e menjëhershëm të stafeve të institucioneve publike dhe OJF-ve që ofrojnë shërbime shoqërore, psiko-sociale dhe ligjore për fëmijët dhe adoleshentët!
“Këto shërbime, ashtu si edhe mjekët, ofrohen ballë për ballë, duke mbi-ekspozuar të gjithë përkundrejt Covid dhe pasojave të rënda të tij.”, - vëren drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj. Ai thekson se nuk ka patur ditë e javë që stafet e tyre në kontakt me fëmijët e të rinjtë, nuk janë prekur nga Covid.
“Disa nga kolegët tanë më të mirë, nuk ia kanë dalë në luftën me këtë sëmundje të tmerrshme! Që nga fillimi i pandemisë, asnjë prej nesh, qoftë institucion publik apo OSHC nuk i ka mbyllur shërbimet psiko-sociale apo ligjore në mbështetje të viktimave! Por nga ana tjetër është për të ardhur keq, që ndërkohë të gjithë mjekët u vaksinuan, tashmë prej muajsh, të gjithë punonjësit e fushës psikosociale dhe ligjore, u lamë në harresë, sikur shërbimet tona të mos jenë të rëndësishme për qytetarët, sidomos ata më të vegjlit dhe më të pambrojturit! Sidoqoftë Ministria e Shëndetësisë është ende në kohë për ta korigjuar këtë harresë!”, shton Hazizaj.
Vetëm katër ditë më parë në Shqipëri mbërritën 11 700 doza të tjera vaksine Pfizer, 7 020 doza nga kontrata e qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer dhe pjesa tjetër, 4 680 nga marrëveshja me Bashkimin Europian.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer rreth 550 mijë vaksina antiCOVID për qytetarët, ndërsa numërohen mbi 100 mijë qytetarë të vaksinuar me dy doza.
Përgjatë muajit maj në vend do të vijojnë vaksinimet me 99 mijë doza vaksine nga kontrata me Pfizer, instrumentin e Covax, si dhe me një instrument të ri të mbështetjes së Bashkimit Europian, për alokimin e vaksinave për vendet e Ballkanit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë tashmë ka përgjysmim të incidencës dy javore për 100 mijë banorë dhe ka një rënie të ndjeshme të shtrimeve në spitale, megjithatë nevojitet ende kujdes dhe u bëhet thirrje qytetarëve të dëgjojnë autoritetet shëndetësore, për të kryer sa më parë vaksinën anticovid që ju ofrohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.