Gazeta Si – Sipas të përditshmes ‘De Telegraaf’, drejtuesi kryesor i skuderisë kampione bote, nën hetim për “sjellje të pahijshme ndaj një punonjëseje”, i ka dërguar mesazhe të qarta dhe më pas i ka ofruar një shifër të lartë për të heshtur.
Hetimi i brendshëm i Red Bull-it ndaj Kristian Horner ka marrë përmasa më të rënda. Këto janë lajmet e fundit që vijnë nga Holanda dhe konkretisht nga ‘De Telegraaf’.
Sipas kësaj të përditshmeje, punonjësja që denoncoi Horner në dhjetor të 2023-shit në selinë austriake të kompanisë miliardere, e akuzon drejtuesin e lartë për sjellje seksiste dhe ka dorëzuar mesazhet që e vërtetojnë këtë gjë tek avokati që po heton çështjen. Mesazhe që i disponon edhe e përditshmja holandeze.
Horner i ka dërguar punonjëses rregullisht dhe për një periudhë të konsiderueshme mesazhe me sdond seksist. Po ashtu, drejtuesi i lartë i Red Bull-it ka bërë gjithçka për të fshehur skandalin. Njerëzit e Horner i kanë ofruar të paktën 760 mijë euro punonjëses së Red Bull-it për të mos e bërë publike çështjen dhe për të evituar skandalin.
Ditën e prezantimit të makinave të reja Red Bull, drejtuesi nën hetim ka deklaruar se “hetimi është një shpërqendrim për skuadrën, se është totalisht i fokusuar te sezoni i ri dhe se mendon vetëm për garat dhe kampionatin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.