Njerez

Të thënat e ‘T’pa thana’-ve, podcasti më i ri në Gazeta ‘Si’

Çdo të mërkurë, në orën 20:00, një personazh i ri rrëfehet në mikrofonin e “T'pa thana".

Një bashkëprodhim i Gazetasi.al dhe shkrimtarit Liridon Mulaj, podkasti “T’pa thana” i ofron audiencës një medium të ri dhe të veçantë, duke sjellë në qendër të vëmendjes personazhe, të cilët kanë kontribute në jetën publike shqiptare dhe përtej.

Autori i podkastit, Mulaj, tregon të pathënat e projektit në një intervistë për ‘SI’.

Gazeta Si: Liridon, ju sapo keni startuar projektin tuaj më të ri , një podcast me titull “ T’pa thana” që shfaqet në website-n e Gazetasi.al.  Si erdhi ideja?

Liridon Mulaj: Unë jam një person që s’më mungonjë asnjëherë idetë pavaresisht vullnetit për t’i konkretizuar apo jo më pas, kjo varet nga bashkëpunëtorët që zgjedh dhe mënyra sesi ata përgjigjen në raport me idetë e mija. Podcastet sot janë një trend kudo në botë. Edhe në Shqipëri ky trend u përqafua shpejt kryesisht nga emra të njohur të ekranit, dikush për afirmim më të madh e dikush si hobi. Por dua të kujtoj që në kohë pandemie, podcastet e vetme mbase i kam realizuar unë ku së bashku me një mikun tim u shkonim personazheve në shtëpi, zyra apo kafene dhe i intervistonim për t’i shfaqur pastaj në rrjete sociale. Ideja e “T’pa thana” lindi në vazhdën e kësaj pune të hershme por edhe për arsyen thelbësore, për të krijuar një hapësirë të cilën televizioni tashmë e ka humbur prej kohësh, një hapësirë ku bashkëbisedohet me personazhe të cilët kanë kontribute reale në jetën publike shqiptare. Në nje kaos mediatik mbushur me antivlera, mendova se ky medium do të jetë një gur më shumë në peshore , sigurisht në pjatën e kundërt të antivlerave.

Gazeta Si: Si i zgjedh personazhet që fton? Pra çfarë kriteresh ndjek për të ftuarin?

Liridon Mulaj: Kriteri i parë dhe kryesor është të mos jetë objekt scoopesh dhe show bizi të rëndomtë që kanë mbushur fatkeqësisht jetën tonë. Pra personazhet janë njerëz që punojnë fort për të lënë gjurmën e tyre në këtë botë. Politikanë, shkrimtarë, aktorë, këngëtarë apo dhe njërëz të thjeshtë që janë dhe meritojnë të jenë pjesa e lavdishme ( term paksa marksist)  e historisë sonë kolektive.

Gazeta Si: Më sipër thatë se edhe bashkëpunëtorët i zgjidhni. Na thoni pak më shumë me kë bashkëpunoni dhe si?

Liridon Mulaj: Në fakt e gjithë kjo erdhi si pasojë e një përputhje të menjëhershme me atë që është syri vëzhgues i të gjithë podcastit,i kompanisë Time Code që administrohet nga Armelin Llanaj, që është dhe regjisori i podcastit. Në bisedë të parë ai e kuptoi atë çfarë unë doja.. Eksperienca e gjatë dhe profesionale e kompanisë ma bëri punën shumë më të lehtë. Por “ T’pa thana” ka një staf të tërë nga pas të përfaqësuar nga Gazetasi.al. Kjo media serioze, cilësore me një grup jetgjatë dhe profesionistë mundësoi  jo vetëm bashkëpunimin dhe prodhimin por edhe mbëshetjen promovuese në hapsirën virtuale.

GazetaSi: Ju jeni shkrimtar Liridon, tashmë do t’ju shohim në rolin e gazetarit. Na thoni diçka më shumë për veten.

Liridon Mulaj: Unë jam shkrimtar dhe poet. Këto dy pasione tashmë janë dhe profesionet e jetës sime mbi të cilat kam ndërtuar themelet e asaj çka jam. Jam diplomuar për drejtësi dhe komunikim kështu që edhe gazetaria kulturore është një nga profesionet e mija tashmë të cilin e ushtroj prej vitesh. Kam fituar disa çmime të rendësishme letrare dhe kam përfaqësuar Shqipërinë në disa panaire ndërkombëtare të librit. Kam lexuesit e mi të cilët i kam të shenjtë sepse më kanë mbështetur shumë, duke më lexuar, promovuar dhe ndjekur nëpër takime të ndryshme. Ky podcast është një nga projektet e rradhës ku unë si shkrimtar mendoj dhe besoj se nuk do të zhgënjej audiencën. Unë e di që shqiptarët meritojnë shumë më shumë se ajo çka ofrohet sot.

Gazeta Si: Mund të na zbuloni disa nga të ftuarit?

Liridon Mulaj: Nuk do të zbuloj asgjë për arsye se befasia është pjesë e punës sonë. Por do të zbuloj vetëm personazhin e ardhshëm, studiues, shkrimtar, profesor në Universitetin Urbaniana të Romës, ish ambasador në Vatikan dhe një nga mendjet e rralla të këtij vendi, Ardian Ndreca. Për personazhet e tjere të cilët janë po kaq me vlerë , duhet të na ndiqni çdo të mërkurë në orën 20:00 në GazetaSi ( Fb, websitë) , në TimeCode Media productions në Youtube dhe në profilin tim në fb, Liridon Mulaj.

Gazeta Si: Faleminderit dhe shumë suksese!

Liridon Mulaj: Faleminderit  juve për intervistën dhe hapësirën që i jepni projektit tonë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë