Portofol

Të sqarohet mirë deklarata e re e “Të ardhurave personale” për të dypunësuarit

Nga Elvin Meka-Këtu ka nevojë për një megasqarim lidhur me konceptin "PAGE" që ka qeveria dhe që do të perdorin TATIMET!

Elvin Meka

A do të quhet PAGE një shërbim që një i vetpunësuar mund t'i faturojë një enti tjetër, psh: 1 herë në 2-3 muaj?

Nëse ku i vetpunësuari faturon nën 2 milionë lekë a do të përfshihet në skemë të deklarimit të të ardhurave të integruara?

Zakonisht koncepti i PAGES së rregullt lidhet me konceptin e pagimit të sigurimeve shoqërore (jo ato të kujdesit shëndetësor) dhe të TAP-it (Tatimi mbi të ardhurat personale). Nëse dikush figuron vetëm në një vend pune me këto rekorde si do ti kërkohet të paguajë TAP dhe mos paguajë sigurime shoqërore?????

Perceptimi personal është që per lehtesi zbatimi ndryshimi i ri ligjor do agregojë çdo lloj të ardhure të mundshme që fitohet nga një person i punësuar, duke prekur ndjeshëm të ardhurat disponibël të pjesës më punëtore dhe produktive të shoqërisë, ajo pjesë që ka ekspertizë, që punon fort, shumë fort e që përdor TRURIN dhe jo PASURINË, që mund ta kenë të trashëguar, të dhuruar apo të akaparosur!

Në vend të një riformatimi të tillë dhe kombinimit edhe me reforma të tjera komplekse, do ishte mirë që të rishikohej aspekti i taksimit të biznesit të vogël, qoftë edhe në nivele 5%, por që nuk ndryshon formatin aktual të të bërit biznes.

Ekonomia shqiptare prioritetin kryesor duhet të ketë REGJISTRIMIN e tranksaksioneve financiare dhe jo taksimin. TAKSIMI është hapi final pasi është prodhuar dhe raportuar vlerë e shtuar në ekonomi. Taksat i mbledh shumë më lehtë nëse ekonomia është e raportuar, por është shumë e vështirë të kombinosh fiskalizimin dhe riformatimin e ngarkesës fiskale, për më tepër kur kjo ngarkesë parashikohet me rritje dhe jo me ulje.

Nëse superbizneseve ju bë një dhuratë madhështore me uljen e taksimit të dividendëve, mund të mendohet edhe se si të mbeshtetet MENDJA dhe PUNA në po të njëjtën mënyrë!!!

Së fundi, nëse mendohet aplikimi i një sistemi të tille agregimi të të ardhurave, sikur ndodh edhe në PERËNDIM, duhet konsideruar edhe NJOHJA E DISA SHPENZIMEVE TË ZBRITSHME, por jo ato shpenzime formale, që fare pak familje i kryejnë, por shpenzime REALE që kryehen.

Nga ana tjetër, modele të tilla duhet të pajisen edhe me një sërë elementesh të tjerë, që konsolidojne të ardhurat familjare dhe jo thjesht të ardhurat e individit, se familjaret kanë të tjera shpenzime nga një person SINGLE dhe kosto e 2-3 fëmijëve është krejt e ndryshme nga kosto e 1 fëmije.

Këto elemente duhen mbajtur në konsideratë kur propozohen masa të tilla me ndikim thelbesor në buxhetet familjare, dhe jo thjesht aspekti i nevojave buxhetore!
Buxheti i Shtetit do ketë gjithnjë e më shujmë nevojë për të hyra publike gjithnjë më të mëdha, por mbështetja në po të njëjtën PATË që bën VEZËN E ARTË (shtresën e profesionistëve), thjesht do e ngordhë PATËN pas pak kohësh!!!

*Elvin Meka është Dekan & Shef i Departamentit të Financave, Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit pranë Universitetit të Tiranës


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë