Në mbledhjen e Komitetit Teknik, ekspertët konstatuan se vendi është futur në valën e katër të pandemisë me një numër të lartë infektimesh, por shtrimet dhe fatalitetet nuk janë të larta. Shqetësues është fakti se të shtruarit janë përgjithësisht të rinj.
Shefja e spitalit Infektiv, Najada Çomo deklaroi se aktualisht në spital janë rreth 130 persona të infektuar, ku prej tyre 12% janë në gjendje kritike, 54% në formë të rëndë, ndërsa pjesa tjetër janë në gjendje të moderuar e të lehtë.

“Janë mosha të reja të shtruar në spital, që janë të pa vaksinuar. Për t’u vlerësuar është se moshat e reja sot janë ata që nuk kanë sëmundje kronike. Tjetër grup që duhet vlerësuar janë gratë shtatzëna. Kanë ecur mirë në mënyrë mjekësore, por të gjitha të shtruarat kanë bërë lindje të parakohshme. Mbizotërojnë në grup të plot persona të pa vaksinuar. Rreth më pak se 3-4% janë persona të vaksinuar, me dozën e parë apo të dytë”, tha Çomo.
I pyetur nga Gazetasi.al, mjeku reumatolog-infeksionist Tritan Kalo shpjegoi se tashmë njerëzit e kanë kaluar fazën ku neglizhojnë simptomat, por po neglizhojnë vaksinimin. Sipas tij thelbi i rëndesës së pacientëve në spital është mos vaksinimi.
Për pacientët pediatrik Shefja e Shërbimit Pediatrik, Gjeorgjina Kuli shpjegoi se gjatë këtyre dy javëve vendi ka pasur numrin më të lartë të fëmijëve që kanë rezultuar pozitiv. Kuli tha se numri i fëmijëve përgjatë kësaj kohe ka vijuar në shifrat 10-12 fëmijë të shtruar me komplikacione të pakta dhe asnjë rast fataliteti.
Shqetësimi i qytetarëve dhe vala e lartë e infektimeve tregohet edhe me rritjen e numri të telefonata në Qendrën e Urgjencës Kombëtare Mjekësore. Në një prononcim për Gazetasi.al shefi i QUKM, Skënder Brataj shpjegoi se gjatë 11 ditëve të para të janarit kanë arritur deri në 21.133 thirrje. Sipas mjekut gjatë muajve nëntor-dhjetor ka pasur rreth 1400 thirrje në ditë, ndërsa në ditët e para të janarit ky numër u rrit me 500-600 thirrje më shumë.
Një tjetër indikator që tregon mbi situatën epidemiologjike është edhe fluksi i lartë i qytetarëve në Qendrat Shëndetësore. Në dy vëzhgime të fundit Gazetasi.al ka konstatuar se radhët në Qendrat Shëndetësore në kryeqytet janë të gjata ku sipas informacioneve rreth 80% e vizitave janë individë të dyshuar për Covid-19 dhe i referohen tamponit dhe analizave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje