Ka ndodhur

Sherr mes dy kushërinjve në Tiranë, njëri mbetet i plagosur me armë zjarri

Gazeta Si - Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur ditën e sotme në Tiranë, në rrugën 'Princ Vidi', pranë zonës së QTU-së.

Sipas informacioneve, mësohet se personi i palgosur është Ervin Nela, i cili nga hetimet paraprake rezulton se është plagosur nga kushëriri i tij, Mario Nela, i shpallur në kërkim.

Gjithashtu në konfliktin me motive të dobëta janë përfshirë edhe 2 persona të tjerë, të afërm të autorit, që u shoqëruan.

Mësohet se Ervin Nela ka marrë një plumb në pulpën e këmbës dhe u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Tiranës doli sot pasdite edhe me një njoftim mbi ngjarjen, duke theksuar se përveç autorit në kërkim, shoqëroi edhe 2 të afërmit e tij të dyshuar si bashkëpunëtorë në krim. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë gjahu dhe një pistoletë zhurmuese.

“Nga veprimet e shpejta hetimore u bë identifikimi i autorëve të dyshuar, shtetasve G. N., E. N., dhe M. N., (Mario Nela, në kërkim), të cilët pas një konflikti për motive të dobëta, ditën e sotme, në afërsi të vendit të quajtur "Rrethrrotullimi i 3-shit", dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin E. N., (Ervin Nela), i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë