Tre persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, janë ekstraduar nga Italia dhe Zvicra.
Nga Italia u ekstradua 50-vjeçari me tre emra, S. C. alias A. D. alias S. C., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Gjirokastrës, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Shtetasi italian S. C., gjatë periudhës dhjetor 2019 – mars 2020, në bashkëpunim me 2 shtetas shqiptarë, kanë krijuar një skemë mashtruese të shoqërive fiktive, për qarkullimin e shumave monetare në lidhje me rimbursimin e TVSH-së.
Nga Italia u ekstradua po ashtu E. K., 31 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në bashkëpunim me një person tjetër, ka vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve në një subjekt në Lushnjë.
Nga Zvicra u ekstradua drejt Shqipërisë, Xh. K., 39 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Tiranës, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi kriminal”.
Xh. K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në kuadër të grupit kriminal, kanë prodhuar dokumente identifikimi të falsifikuara, kryesisht për shtete të BE-së, për shtetas që synonin të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe vendeve të BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.