Nën diellin e ngrohtë të pasdites, 45-vjeçari Safiruddin qëndron ulur jashtë shtëpisë së tij të papërfunduar me mure tullash në fshatin Baiguni, në nënprefekturën Kalai të Bangladeshit.
Në verën e vitit 2024, ai shiti veshkën në Indi për 350.000 taka (rreth 2,850 dollarë), me shpresën për të nxjerrë familjen nga varfëria dhe për të ndërtuar një shtëpi për tre fëmijët e tij dy vajza 5 dhe 7 vjeç, dhe një djalë 10-vjeçar. Por paratë u shpenzuan shpejt, shtëpia mbeti e papërfunduar, ndërsa dhimbja në trupin e tij është një kujtesë e vazhdueshme e çmimit të paguar.
Tani ai punon si punëtor krahu, ndërkohë që shëndeti i tij po përkeqësohet. Dhimbjet dhe lodhja e përhershme e pengojnë të kryejë edhe punët më të thjeshta të përditshme.
“Dhurova veshkën për një jetë më të mirë për familjen time. Bëra gjithçka për gruan dhe fëmijët,” thotë ai.
Në atë kohë, kjo nuk i dukej si një rrezik i madh. Ndërmjetësit që iu afruan e paraqitën këtë si një mundësi të thjeshtë, jo si diçka të rrezikshme. Fillimisht ishte skeptik, por dëshpërimi dhe varfëria e mundën.
Ata e çuan në Indi me vizë mjekësore dhe u morën me çdo detaj nga biletat e udhëtimit, dokumentet, deri te procedurat në spital.
Edhe pse udhëtoi me pasaportën e tij të Bangladeshit, dokumentet e tjera duke përfshirë certifikata false që falsifikonin lidhjen familjare me marrësin ishin të rreme.
Identiteti i tij u ndryshua dhe veshka iu transplantua një personi të panjohur, të cilin nuk e takoi kurrë. “Nuk di kush mori veshkën time. Ndërmjetësit nuk më thanë asgjë,” rrëfen Safiruddini.
Në Indi, ligji lejon dhurimin e organeve vetëm mes të afërmve të ngushtë ose me miratimin e veçantë qeveritar, por trafikantët manipulojnë gjithçka nga pemët familjare, të dhënat e spitaleve, deri tek testet e ADN-së për të shmangur rregullat.

“Zakonisht ndryshojnë emrin e dhuruesit dhe krijojnë një certifikatë noteriale të falsifikuar që pretendon një lidhje familjare me marrësin. Dokumentet e rreme të identitetit mbështesin këtë, duke bërë që dhuruesi të duket si një i afërm që dhuron organe nga dhembshuria,” shpjegon Monir Moniruzzaman, profesor në Universitetin Shtetëror të Miçiganit dhe anëtar i Task-Forcës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Transplantimin e Organeve, që studion trafikimin e organeve në Azinë Jugore.
Safiruddini nuk është rasti i vetëm. Në Baiguni, ku jetojnë rreth 6,000 banorë, tregtia e veshkave është kaq e përhapur sa fshati njihet si “fshati me një veshkë”. Rajoni Kalai Upazilas është një nga pikat më aktive të tregtisë së organeve në Bangladesh. Një studim i vitit 2023 i botuar në “British Medical Journal Global Health” zbulon se një në 35 të rritur në këtë zonë ka shitur veshkën.
Ky rajon është ndër më të varfrit në vend, dhe shumica e dhuruesve janë burra në të tridhjetat, të joshur nga premtimi i fitimeve të shpejta.
Safiruddini thotë se ndërmjetësit i morën pasaportën dhe nuk ia kthyen më. As barnat pas operacionit nuk i dhanë. Shpesh, ndërmjetësit marrin pasaportat dhe recetat e dhuruesve pas operacionit, duke i lënë ata pa asnjë provë të transplantimit dhe pa kujdes mjekësor të mëtejshëm.
Veshkat shiten për klientë të pasur në Bangladesh ose Indi, shumë prej të cilëve duan të shmangin listat e gjata pritëse dhe rregullat strikte ligjore. Në Indi, në vitin 2023 u kryen rreth 13,600 transplantime veshkash, ndërsa rreth 200,000 pacientë vuanin nga sëmundjet veshkore në fazë përfundimtare.
Çmimi i dëshpërimit
Josna Begum, 45 vjeçe dhe vejushë nga fshati Binai në Kalai, luftonte për të rritur dy vajzat pasi burri i saj vdiq në 2012. Ajo u shpërngul në Dhaka ku u punësua në një fabrikë tekstilesh dhe u martua me Belalin.
Në vitin 2019, ata u bindën nga një ndërmjetës të shisnin veshkat në Indi.
“Ishte gabim,” thotë Josna. Ndërmjetësit fillimisht i premtuan 500,000 taka, më pas rritën ofertën në 700,000 taka për t’i bindur. Por pas operacionit ajo mori vetëm 300,000 taka.
Ata u dërguan në spitalin “Rabindranath Tagore” në Kolkata, ku iu nënshtruan operacionit. Dokumentet u falsifikuan për të treguar se ata ishin të afërm të gjakut me marrësin. As Josna nuk e di se kush mori veshkën e saj.
Ndërmjetësit i morën pasaportën dhe dokumentet, dhe nuk ia kthyen kurrë.
Ajo kaloi gati dy muaj në Indi dhe ndërmjetësit premtuan ndihmë dhe punë për fëmijët e saj, por pas pagesave fillestare humbën kontaktet.

Pas marrjes së parave, Belali e braktisi dhe u martua me një tjetër grua. Josna sot vuan nga dhimbje kronike dhe ka vështirësi të përballojë ilaçet.
“Përballë një bande”
Mohammad Sajal, ish-biznesmen në Dhaka, humbi kursimet kur platforma e-commerce ku punonte falimentoi në 2021. I mbërthyer nga borxhet, në 2022 shiti veshkën në spitalin Venkateshwar në New Delhi, por mori vetëm një pjesë të shifrës së premtuar.
Ai u bashkua përkohësisht me rrjetin e ndërmjetësve, duke organizuar transplantime për disa dhurues nga Bangladesh, por pas një konflikti u largua dhe tani punon si shofer.
“Tani jam përballë kësaj bande,” thotë ai, duke shtuar se rrjeti përfshin mjekë, marrës dhe ndërmjetës në të dyja anët e kufirit.
Policia e Bangladeshit po vepron për të goditur këto rrjete, duke përdorur edhe hetues të infiltruar. Në Indi, autoritetet kanë arrestuar mjekë të përfshirë, por ekspertët thonë se arrestimet janë të rralla për të ndryshuar rrjedhën e këtij biznesi.
Në Kalai, Safiruddini kalon kohën në shtëpi, me shëndet të dobët dhe lëvizjet e ngadalësuara. “Nuk mund të punoj si më parë,” thotë ai.
Ai kujton netët kur nuk flinte, duke menduar për premtimet dhe ëndrrat e shkatërruara. Fëmijët e tij kanë një baba të sëmurë, dhe ai një ndjenjë tradhtie që nuk largohet.
“Ma morën veshkën dhe u zhdukën,” përfundon ai.
Burimi: Al Jazeera. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



