Nga Gazeta Si- “Aleksandri im këtë vit bën 18 vjeç. Është diagnostikuar me spektrin autik, shkalla më e rëndë që në moshën 2 vjeç. Por prej 3 vitesh, qëkur djali mbushi moshën 15-vjeç, mosha që i lejohet të frekuentojë Institutin e personave që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë, e mbaj në shtëpi. Kjo më ka penguar të jem në punë, pasi djali im ka nevojë për një kujdestar dhe unë nuk e lë dot vetëm”.
Kjo është historia e një prej shumë personave me autizëm të rritur në Shqipëri, të cilët nuk mund të frekuentojnë qendrën ditore në Laprakë, e vetmja në Tiranë e hapur me fondet e bashkisë së Tiranës. Arsyeja? Nuk ka një mjet transporti për ti marrë dhe kthyer në shtëpitë e tyre.
Duket absurde, por prindërit e fëmijëve me autizëm shprehen të indinjuar për mungesën e vëmendjes nga institucionet vendore e qendrore.
“Kam 2 vite që trokas në dyert e qendrës ditore për të dërguar djalin paradite. Punonjëset e qendrës janë shprehur të gatshme ta mbajnë djalin në grupin që kanë krijuar. Por unë s’kam mundësi të paguaj një taksi që të ma marrë dhe kthejë djalin në shtëpi. Vetë nuk e çoj dot me urban çdo ditë, pasi sëmundja e tij e ka bërë që djali të mos udhëtojë në urbane ku ka shumë njerëz. Bashkë me disa prindër që kemi fëmijët e rritur, kemi hartuar disa kërkesa pranë bashkisë së Tiranës, por deri tani mungon një përgjigje pozitive”, thotë një nga prindërit.
Po çfarë thonë punonjësit e shërbimit social në bashkinë e Tiranës?
Egla Bajrami, kryetare e shoqatës së prindërve të fëmijëve me autizëm thotë se bashkia është në pritje të një donacioni nga ndonjë fondacion i huaj, pasi vetë nuk ua siguron mjetin fëmijëve të qendrës ditore në Laprakë.
“Janë mbi 4500 fëmijë me autizëm që ne si shoqatë kemi identifikuar por numri mund të jetë më i lartë pasi ka ndër vite lindje të reja me spektrin autik duke e çuar një numër deri 11 mijë persona në Shqipëri”, thotë Bajrami, duke shtuar se adultët me autizëm sot janë një problem i madh i shoqërisë për të cilën autoritetet nuk duhet të rrinë duarkryq.
“Kjo kategori, me moshën shton dhe kërkesat jo vetëm ushqimore por dhe sociale pasi kanë nevojë për hapësira, për t’u integruar, gjë që shteti nuk ua mundëson”, thotë Bajrami.
Dhimbja e prindërve të të rriturve me autizëm është se kush do të kujdeset për ta, kur ata të mos kenë fuqi më.
“Shteti duhet të na mundësojë shërbime sociale për fëmijët tanë. Ne nuk kemi mundësi ti dërgojmë në privat, por të paktën qendrat ditore që kanë filluar të hapen vitet e fundit, duhet të jenë dhe për fëmijët tanë”, thotë Majlinda M., duke shtuar se ajo nuk punon prej vitesh, ndërkohë që bashkëshorti i tij është gjithë ditën larg shtëpisë për shkak të punës.
“E vetmja që qëndron në shtëpi me djalin, jam unë. Po kur unë të mos jem më?”, thotë Majlinda që bën apel për më shumë vëmendje ndaj kësaj kategorie.
Prindërit kujdestarë, nuk u njihen si vite pune
Një tjetër problematikë që ngrenë prindërit e fëmijëve me autizëm janë vitet e kujdestarisë që atyre nuk u njihen si vite pensioni.
Majlinda 53-vjeç e ka lënë punën prej 15 vitesh që kur djali iu diagnostikua me spektrin autik.
“Këto vite që kam fituar kujdestarinë e djalit, nuk më njihen si vite pune. Nuk e di si do jem në moshën e pensionit, me çfarë të ardhurash do ta mbaj djalin i cili ka nevoja të mëdha”, thotë Majlinda.
Sipas nënës së Aleksandrit, qëndrimi në shtëpi me djalin e ka privuar nga jeta e saj sociale, pasi kudo që të shkojë duhet të ketë djalin me vete.
“Djali nuk më udhëton me urban dhe unë detyrohem të eci në këmbë me të. Nganjëherë ai irritohet dhe kërkon të më shkëputet dhe frika ime është se ndonjë ditë, nuk do të kem fuqi ta ndal të më largohet nga shtëpia. Ky është meraku më i madh pasi nuk ka asnjë që mund ta ndjekë përveç meje”, thotë ajo.
Prindërit e fëmijëve me autizëm bëjnë apel ndaj shtetit që të kthejnë sytë nga to, që duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta si të gjithë fëmijët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.