Mendim

Të rinjtë turq që po mohojnë fenë myslimane

Merve

"Kjo është e vetmja gjë që më lidh me Islamin", thotë Merve, duke më treguar shaminë e shëndritshme që mban në kokë. Ajo u mëson fenë fëmijëve të shkollave fillore në Turqi dhe dikur ishte një besimtare radikale e Islamit.

“Deri para pak kohësh nuk shtrëngova duart me asnjë mashkull që takoja- më rrëfeu, tek ishim ulur në një nga kafenetë e Stambollit- Por tani nuk e di nëse ka Zot ose jo dhe të them të drejtën nuk më intereson fare".

16 vjet pasi partia e Presidentit Rexhep Taip Erdogan ka ardhur në pushtet, numri i shkollave të mesme fetare në të gjithë Turqinë është dhjetëfishuar. Erdogan ka folur vazhdimisht për të edukuar një brez sa më të devotshëm, por gjatë javëve të fundit, politikanët dhe klerikët fetarë në Turqi, kanë diskutuar nëse të rinjtë e devotshëm kanë filluar të distancohen nga feja.

Jeta e Merve ndryshoi papritur një mëngjes, kur u zgjua më e trishtuar se kurrë. Pasi qau për orë të tëra, ajo vendosi të falej. Por ndërkohë që lutej mes dhimbjes, Merve kuptoi se kishte filluar të dyshonte për ekzistencën e Zotit.

"Mendova se isha çmendur, doja të vrisja veten- shprehet ajo- Ditën tjetër kuptova se kisha humbur të gjithë besimin tek Zoti."

Ajo nuk është e vetmja. Një profesor shprehet gjithashtu se më shumë se një duzinë studentësh femra të veshura me shami, i kanë rrëfyer se janë ateiste.

Deri para pak kohësh isha simpatizant grupeve radikale si Shteti Islamik apo Al Kaeda. Sot, unë jam ateist. Fillimisht doja të gjeja ndonjë logjikë në fenë myslimane por nuk munda. Më pas fillova të vija në pikëpyetje ekzistencën e Zotit. Më parë isha mbështetës i qeverisë turke, por kuptova se shtypja prodhon revolucionin. Ata donin të na shtypnin dhe filluam të reagonim.

Bekir, student teologjie

Por ateizmi nuk e vetmja “shpatull” ku po mbështeten studentët turq. Sipas raporteve të gazetave opozitare, në Konya, një nga qytetet më konservatore të Turqisë, ka pasur pohime se studentët e shkollave të mesme fetare po shkojnë dalëngadalë drejt deizmit, sipas tyre për shkak të mospërputhjeve brenda fesë myslimane.

Deizmi i ka rrënjët në kulturën greke. Ithtarët e tij besojnë se Perëndia ekziston, por ata i hedhin poshtë të gjitha fetë. Ministri i Arsimit Ismet Jilmaz shprehet nga ana tjetër se këto të dhëna nuk kanë baza shkencore dhe ka mohuar të gjitha raportet se brezi i “devotshëm” i Turqisë po ndryshon diskursin.

Edhe pse nuk ka statistika apo sondazhe që të tregojnë se sa i përhapur është ky fenomen, dëshmitë personale janë të mjaftueshme për të shqetësuar udhëheqësit e Turqisë.

Një ditë, ndërsa isha rrugës për në treg, hoqa shaminë e kokës dhe nuk e vura më kurrë. Babai im nuk e di se unë jam besimtare, nëse do të mësonte nuk do ta dërgonte kurrë motrën time në kolegj, duke menduar se edhe asaj do t’i ndodhte e njëjta gjë. Unë nuk i kërkova Zotit të më krijonte, kështu që as ai nuk mund të kërkojë asgjë në këmbim. Unë kam të drejtë të jetoj e lirë.

Leyla, studente kolegji

Kleriku kryesor i Turqisë, kreu i Drejtorisë së Çështjeve Fetare, Ali Erbas, gjithashtu ka mohuar përhapjen e deizmit dhe ateizmit në mesin e të rinjve konservatorë të vendit. "Asnjë anëtar i kombit tonë nuk do të kapej kurrë pas një koncepti të tillë devijant dhe të pavlefshëm," tha ai.

Profesori i teologjisë Hidayet Aybar është gjithashtu i bindur se ky fenomen nuk ekziston

"Deizmi i refuzon vlerat islame, e refuzon Kuranin dhe e hedh poshtë profetin, e refuzon qiellin dhe ferrin, engjëjt dhe rimishërimin, të gjitha këto janë shtyllat e Islamit. Deizmi pranon vetëm ekzistencën e Zotit ", shprehet ai.

Sipas filozofisë deiste, Perëndia krijoi gjithësinë dhe të gjitha krijesat brenda saj, por nuk ndërhyn në atë që është krijuar dhe nuk vendos rregulla ose parime.

"Unë mund t'ju siguroj se nuk ka një tendencë të tillë në rininë tonë konservatore," argumenton ai.

Dikur isha punonjës i administratës publike. Pas përpjekjes për grushtin e shtetit në vitin 2016, u shkarkova. Isha dikur një djalosh religjioz, konservator, i cili mbështeste fort partinë qeverisëse dhe politikat e saj. Kur u shkarkova, fillova të vija në pikëpyetje ekzistencën e Zotit. U bëra i huaj. Shpresoj që të rindërtoj marrëdhënien time me Islamin, por nuk e di nëse kjo është më e mundur.

Omer, i papune

Shoqata e vetme ateiste e Turqisë beson se zoti Aybar e ka gabim në lidhje me trendin aktual dhe pohon se ekzistojnë edhe imamët ateistë.

"Këtu, ka emisione televizive që debatojnë se çfarë duhet të bëjnë me ateistët- thotë zëdhënësi i saj Saner Atik- Disa thonë se duhet të vriten, se duhet të bëhen copa-copa. Duhet shumë guxim për të thënë se je ateist në këto rrethana. Ka gra me shami që pranojnë fshehurazi se janë ateiste, por nuk mund t'I heqin, sepse janë të frikësuara nga familja dhe mjedisi që i rrethon.”

Takoj Merve për herë të dytë në shtëpinë e saj dhe e shoh tek vjen drejt meje pa shami. Me sa duket ka vendosur mos ta mbajë kur është në shtëpi, edhe nëse ka njerëz përreth.

"Herën e parë që takova një mashkull pa shami u ndjeva shumë në siklet- më thotë duke më buzëqeshur- Por tani më vjen shumë natyrshëm. Kjo është ajo që unë jam"./BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë