Me trendin e tatuazheve ne u njohëm vonë por historia tregon se të parët tanë, ilirët i kanë përdorur e madje kanë pasur një design të veçantë që i dallonte.
Dielli, gjarpri, hëna, ylli dhe simbole të tjera Ilire janë disa nga tatuazhet që përdoreshin dhe i quanin “Lulebojë”, zbukurime të bëra me bojë, për të sjellë fat dhe për të larguar shpirtrat e këqij.
Dielli, si simboli kryesor është përdorur nga Ilirët në ornamentet e tyre dhe kulti i Diellit tek shqiptarët pasqyrohet edhe në betë e tyre, kur bënin be e betoheshin për diellin. Madje, betë me diell e rreze dielli, si “për atë diell” e “për këtë rreze dielli”, haseshin dikur më shpesh se betë për Zotin dhe dëgjohen edhe sot e kësaj dite. Nuk është çudi që dielli ka qenë një tatuazh “trend” Ilir.
Por a vazhdojnë të zbukurojnë trupin shqiptarët me tatuazhet Ilire?
Simbolet ilire janë transformuar duke u bërë më moderne dhe nuk janë pikërisht ato simbole që kanë trashëguar shqiptarët e sotëm. Tani si simbole ilire shihen helmetat apo veshjet, shpesh të ndërthurura me diçka më moderne.
Endri Dosku nga Dosku tattoo thotë për Gazetasi.al se tatuazhet me simbolet ilire kërkohen nga djemtë të moshës 30 vjeç, më të rinjtë dhe ajo që duan më shumë janë helmetat apo veshjet Ilire.
Viktor Cungu, një tatuazhist tregon për Gazetasi.al se fanatikët më të mëdhenj janë emigrantët të cilët janë gjithmonë në kërkim të tatuazhit perfekt patriotik.
“Shqiptarët që jetojnë këtu i kërkojnë më pak sesa emigrantët të cilët duan të gdhendin diçka në trupin e tyre që të kenë një copëz të vendit të tyre me vete”, tregon Cungu.
Ai tregon se pesë vitet e fundit ka pasur më shumë kërkesa se kurrë për të bërë një tatuazh me temë “simbol Ilir”.
Një tjetër tatuazhist, Mandi artisti i “Mandi tattoo” thotë se dëshira për simbole Ilire fillon si trend për të bërë një tatuazh por kur klientët zgjedhin simbolin, “duan që tatuazhi të ketë një lidhje të fortë me historinë e rrënjëve Ilire” ku më të preferuarat janë mburojat, dielli dhe gjarpri ku shpesh herë klientët duan dhe një ndërthurje mes simboleve tradicionale Ilire dhe atyre moderne.
Fanatikë të simboleve Ilire janë padyshim dhe Kosovarët. Tatuazhistët me të cilët foli Gazetasi.al tregojnë se klientë “besnikë” janë kosovarët të cilët duan të vazhdojnë traditën e tatuazheve Ilire.
Në Shqipërinë e vogël ka dhe persona që tatuazhet me simbole Ilire i shohin si trend. Majvjen Kamberi, tatuazhist thotë se 60% e personave që bëjnë një tatuazh me simbole Ilire e duan për trend, “vetëm pse është diçka e historisë edhe pse mund të dinë shumë pak për historinë”.
Illyrian saloon thotë për Gazetasi.al se janë të rrallë klientët që kërkojnë tatuazhe si të Ilirëve. Madje vihet re një prirje për të preferuar më shumë tatuazhet vikinge, kelte apo, ç'është edhe më e çuditshme, ato hindu, sesa iliret.
Të rinjtë shqiptarë nuk janë të njohur me simbolet ilire, ndoshta sepse i ka marrë rrjedha e kohëve moderne e ndoshta sepse informacionet për tatuazhet e të parëve tanë janë të pakta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.