Anne Tropeano po hekuros rrobat, teksa përgatitet për një ditë të ngjeshur me punë. Është dita e Shugurimit dhe për herë të parë ajo do të vishet si një priftëreshë katolike.
Ndërkohë që nxjerr veshjet, Tropeano flet në telefon me një rojë sigurie që e ka punësuar, pasi e di se do të ketë probleme gjatë shugurimit.
“Është një çështje e tensionuar, jo të gjithë e pranojnë që një grua të bëhet priftëreshë, madje as nuk e perceptojnë diçka të tillë”, thotë ajo.
Tropeano nuk shqetësohet vetëm për ngacmimin fizik. Që kur shprehu dëshirën e saj për t’u bërë priftëreshë katolike, ajo thotë se ka përjetuar një ngacmim “që të merr frymën” në internet.
Tropeano është një nga mbi 250 gratë në të gjithë botën që janë pjesë e lëvizjes së priftërinjve katolike romake, një grup që po merr pjesë në shërbimet e shugurimit të paautorizuar për t’u bërë priftëresha, në një akt kundërshtimi ndaj Kishës Katolike Romake.
Kisha Katolike nuk i lejon gratë të jenë priftëresha. Në fakt, Vatikani e sheh atë si një krim të rëndë që dënohet me shkishërim. Kjo do të thotë se gratë, pasi të kenë marrë pjesë në një ‘shugurim’, nuk janë në gjendje të bëjnë betimet, duke përfshirë kungimin, ose të kenë një funeral në kishë.
“Shkishërimi ishte arsyeja pse unë nuk e kam shijuar sic duhet gjithë periudhën e të bërit priftëreshë. Unë bëja meshë cdo ditë, kam punuar në famulli dhe e gjithë jeta ime është në Kishë dhe nëse nuk do i bëja më këto, do ishte një shkatërrim për mua”.
Tropeano është një katolike e devotshme, e cila pas vitesh duke bërë punë të tjera, duke përfshirë menaxhimin e një grupi rock, ndjeu thirrjen për priftëri: “Unë e dëgjoja cdo ditë “Ti je priftëresha ime, ti je priftëreshë. Unë dua që të jesh priftëreshë”.
E vetmja mundësi e hapur për të si grua ishte t’i shërbente Kishës në një rol tjetër, si murgeshë ose si kontribuese laike në dioqezën e saj. Ose ajo mund të largohej tërësisht nga katolicizmi, në një tjetër besim të krishterë që do ta mirëpriste atë si priftëreshë.
Tropeano, dhe gra të tjera si ajo, po e shohin zgjedhjen e tyre për t’u ‘shuguruar’ si një mënyrë për të bërë fushatë kundër asaj që ata e konsiderojnë një rregull seksist nga Kisha.
“Ka shumë besime të tjera që i pranojnë gratë priftëresha. Ndërsa Kisha Katolike është kundër me argumentin se në Bibël tregohet se Krishti zgjodhi 12 Apostuj burra dhe që atëherë Kisha ka vazhduar të “imitojë” Krishtin”, thotë Tropeano.

Për të, ndikimi i këtij rregulli është i gjerë.
“Duke i përjashtuar gratë nga shugurimi, Kisha po jep një mësim se gratë janë inferiore. Gratë e mësojnë këtë, burrat e mësojnë këtë, fëmijët e mësojnë këtë. Të gjithë besojnë tek ky mësim që pavetëdije jep Kisha. Në këtë mënyrë të gjithë jetojnë me këtë ide”.
Lëvizja e grave për t’u bërë priftëresha u bë e njohur në vitin 2002. Një grup prej shtatë grash morën pjesë në një shërbim shugurimi të paligjshëm në bordin e një anijeje në lumin Danub, në ujërat ndërkombëtare për të shmangur konfliktin me çdo rajon.
Megjithatë, kishte raporte për ‘shugurime’ të mëparshme sekrete, si ajo e Ludmila Javarova, e cila gjatë sundimit komunist të Çekosllovakisë në vitet 1970 mori pjesë në një shërbim të udhëhequr nga një peshkop katolik romak.
Lëvizja e shugurimit të grave tani është kryesisht një grup evropian dhe amerikan, por ajo ka zgjeruar përfaqësimin e saj në pjesë të tjera të botës.
Kolumbianja Olga Lucía Álvarez Benjumea ishte ‘prifti’ i parë femër në Amerikën Latine.
Ceremonia e saj në vitin 2010 ishte sekret, por ajo thotë se ka marrë mbështetje nga hierarkia lokale e Kishës: “Ishte një peshkop katolik, emrin e të cilit nuk ia themi për të mos e futur në telashe me Vatikanin”.
“Kisha shumë frikë se mos njerëzit do të fillonin papritur të më fyenin apo të më hidhnin gjëra në altar, në këtë shoqëri shumë konservatore ku jetoj. Por, mbështetja që mora nga njerëzit ishte një surprizë e madhe dhe kjo e përforcoi misionin tim”, thotë Álvarez.
Ajo tani është peshkope në kuadër të Shoqatës së Priftërinjve Katolikë Romak (ARCWP), që nuk njihet nga Vatikani.

Álvarez vjen nga një familje shumë e devotshme katolike dhe kishte mbështetjen e nënës së saj, një ish-murgeshë. Vëllai i saj prift, i dha një kupë të cilën ajo e sheh si një formë mbështetjeje të heshtur.
Álvarez këmbëngul se nuk ka asgjë që i përjashton gratë nga priftëria.
“Është një ligj njerëzor, një ligj i Kishës dhe një ligj i padrejtë i Vatikanit nuk duhet të respektohet”.
Ky është një mendim që mbështetet edhe nga Konferenca e Shugurimit të Grave (ËOC), një grup që lobon në Vatikan për aksesin e grave në priftëri përmes thirrjeve për dialog dhe demonstrata.
Drejtoresha ekzekutive Kate McElëee thotë se puna e saj e preferuar është ajo që ato e quajnë “Ministria e Irritimit” pasi shpesh herë bëjnë protesta në mënyra të ndryshme sic është shtrirja në rrugë ndërsa autokolona e Papës po kalonte nëpër qytet.
“Ne i mbështesim gratë në atë që kanë zgjedhur dhe presim që Vatikani ta kuptojë se kanë rregulla seksiste.
Një ‘derë e mbyllur’
Kisha i sheh këto shugurime jo vetëm si të paligjshme, por edhe të pavlefshme.
Pasi historia e grave që u shuguruan në Danub u bë publike, kardinali Joseph Ratzinger, më vonë Papa Benedikti, deklaroi se duke qenë se gratë nuk dhanë asnjë shenjë pendimi “për shkeljen e rëndë që kanë kryer, ato do të shkishërohen”.
Vetë Papa Françesku ka përjashtuar mundësinë që një grua të shërbejë ndonjëherë si priftëreshë. Në vitin 2016, kur u pyet për ndonjë shans që kjo mund të ndryshojë, ai iu referua një dokumenti të vitit 1994 nga Gjon Pali II që thoshte se “dera është e mbyllur” për shugurimin e grave, për të cilën Papa tha se “qëndron akoma si ligj”.
Nathalie Becquart punon nga një zyrë në qytetin e Vatikanit, me një foto të saj dhe Papa Françeskut pas saj. Në shkurt 2021, ajo ishte gruaja e parë që u emërua si Nënsekretare e Sinodit të Peshkopëve, një organ që këshillon Papën.

Ajo e shpreh qëndrimin për gratë priftëresha thjesht duke thënë: “Për Kishën Katolike në këtë moment, nga pikëpamja zyrtare, kjo nuk është një pyetje që mund të bëhet. Nuk është vetëm çështja që ato gra ndjehen sikur kanë një thirrje nga Zoti për të qenë priftëresha, për aq kohë sa nuk i lejon Kisha, nuk mjafton vetëm vendimi personal”, thotë Becquart.
Motra Becquart është një nga disa gra që u janë dhënë role kryesore të larta nën drejtimin e Papa Françeskut. Pozicioni i saj e bën atë gruan e parë në Vatikan me të drejtë vote.
Ajo beson se po ndodh një evolucion, duke lejuar më shumë gra të marrin role udhëheqëse, por role që janë “të shkëputura nga shugurimi”.
“Unë mendoj se ne duhet të zgjerojmë vizionin tonë për Kishën. Ka shumë, shumë mënyra që gratë t’i shërbejnë Kishës”, thotë Motër Becquart.
Çfarë ‘thotë’ Kisha Katolike?
Doktrina katolike, ose interpretimi i saj ligjor, e referon priftërinë si një e drejtë e burrave duke deklaruar se “vetëm një mashkull i pagëzuar merr shugurimin e shenjtë në mënyrë të vlefshme” (Kanoni 1024).
Një version i rishikuar i vitit 2021 i ligjit të Kishës (Kanoni 1379) kriminalizoi në mënyrë eksplicite dhënien e urdhrave të shenjtë për gratë latae sententiae, një term ligjor që do të thotë se dënimi kryhet automatikisht, pa pasur nevojë për një gjykim.
Papa Françesku më parë u duk se hapi mundësinë e shugurimit të grave si “dhjakë”, të cilat nuk mund të kremtojnë meshë, por mund të kryenin funeralet, të pagëzojnë dhe të dëshmojnë martesa.

Në një katedrale, Anne Tropeano i afrohet altarit, vendoset përballë peshkopit dhe thotë plot emocione: “Ja ku jam, jam gati”.
Është një ditë që ajo e ka pritur për 14 vjet. Ceremonia e ‘shugurimit’ ndjek një liturgji të ngjashme me shugurimin e priftërinjve.
Ndërsa lufta për shugurimin e grave duket ende sikur mund të jetë e gjatë, Tropeano mendon se është jetike për të ardhmen e Kishës.
“Kisha nuk do të jetë në gjendje të përmbushë misionin e saj nëse nuk ka pjesëmarrje të barabartë. Për momentin nuk ka asgjë më të rëndësishme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



