Njerez

Të pathënat e Majlinda Bregut/ Misioni ndërkombëtar, një “requiem” për PD-në, Bashën dhe e ardhmja politike

Të pathënat e Majlinda Bregut/ Misioni ndërkombëtar, një “requiem” për PD-në, Bashën dhe e ardhmja politike

Nga Nevila Perndoj - Ajo nuk ka fytyrën e cilitdo tjetër.

Përpiqet gjithë nerv, që Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), një organizatë me reputacion të mirë ndërkombëtar, por e panjohur për shumëkënd në Shqipëri, të mos u flasë vetëm letrave. Si në të kaluarën.

Sepse Majlinda Bregu nuk i përket atij stofi politik, që i sheh objektivat brenda një zyre shkresurinash. E as do ta pranonte detyrën që ka, nëse nuk kish nevojë për jetësim...

Mandati ndërkombëtar

...Në vitin e tretë të mandatit si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu ka siluruar një afirmim tjetër politik. Duke dalë jashtë asaj gjuhës së drunjtë që shpesh herë ajo detyrë ta imponon.

Me përvojën e jetësuar si ish-Ministre e Integrimit, ajo filloi t’i përkthejë axhendat e kësaj organizate në ato reale përpos atyre që konsumon politika.

E ndihur nga koraca e një politikaneje me intuitë, Majlinda Bregu kapërdiu shpejt sfidën e saj më të parë dhe atë më të madhe, në një organizatë ku historia e drejtimit ishte historia e burrave. 

“Sfida më e madhe ishte për të shkuar aty për herë të parë një shqiptar, dhe mbi të gjitha grua në një organizatë e cila drejtohej nga burra dhe nga pjesa ish-Jugosllave”, thotë Bregu për Gazetasi.al.

Me liderët e Ballkanit

A ka pasur paragjykime?

“Të paktën jo përballë me mua. Jam mirëpritur dhe kam marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet, gjë që e ka rritur përfaqësimin e RCC jo vetëm në rajon, por edhe me partnerët ndërkombëtarë...”.

Me një dhunti të mprehtë përshtatshmërie, Majlinda Bregu ka kombinuar punën “burokrate” me idetë inovative.

Ajo ka rritur nevojën për fuqizimin e grave në rajon, ka lidhur marrëveshje me organizata të njohura ndërkombëtare për turizmin, eliminimin e rrezikut “Fake News”, si dhe për herë të parë ka mundësuar që rajoni të ketë një syth të vetin të sigurisë (kundër terrorizmit) që drejtohet po ashtu nga një shqiptar.

Ka grishur vëmendjen e kësaj organizate për ekonominë, por edhe fenomenin tjetër mbizotërues; shpopullimin.

Por, a ishte ky rrugëtim me rrafshnalta të ashpra?

“Ka pasur shumë, por ai më delikati ishte vitin e parë që duhet të mbyllnim marrëveshjen e Roaming rajonal.

Ne kemi qenë me gjak të ngrirë deri në moment të fundit kur është firmosur marrëveshja në Beograd, sepse një dite para së të mbyllej dhe të firmosej marrëveshja me ministrat, ne patëm një problem që duhej zgjidhur me operatorët e telefonisë celulare.

Një pjesë prej tyre kishin qëndrime më të forta dhe më të ashpra për të lejuar që të niste reduktimi i tarifave të Roaming në rajon.

Foto; Pas marrëveshjes në Beograd për Roaming mes vendeve të Ballkanit Perendimor

Në datë 4 prill ka qenë Samiti në Beograd kur është firmosur marrëveshja dhe më 3 prill në darkë, ne kemi qenë ende duke dialoguar me operatorët pastaj me rregullatorët, që janë institucionet përgjegjëse në çdo vend.

Për shkak të situatës edhe për Kosovën mbaj mend që marrëveshja është firmosur në gjysmëorëshin e fundit të takimit...”, thotë ajo.

Të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar një marrëveshje të re për Roaming; ‘Fol si n’shpi”, duke ulur çmimet deri në 90% e duke i hapur rrugën një Ballkani me zero tarifë Roaming nga muaji Korrik i këtij viti.

Një tjetër sfidë e saj ishte edhe ideja e tregut të përbashkët rajonal.

“Një treg në Ballkanin Perëndimor më i madh na jep mundësi për një investim me serioz, sepse tregje me 600 mijë banorë, me 2 milion e gjysmë banorë, me 1 milion e gjysmë, me 5 milion, nuk janë interesante për firma të mëdha.

E njëjta histori që ishte tani edhe me vaksinën.

Në rast se do të kishte pasur mundësi që Ballkani të ishte i gjithi bashkë si një treg për të kërkuar, për të aplikuar në një skemë të përbashkët për të blerë vaksina, dhe sigurisht nëse BE do të kishte pasur edhe Ballkanin Perëndimor të llogaritur si numër në porositjen e vaksinës, situata do të kishte qenë më normale.     

Tregje të vogla për të shitur sa i duhen Shqipërisë apo sa i duhen Malit të Zi bëhen me pak interesante në një garë globale.

Kjo është ideja e tregut të përbashkët rajonal, tregti, lehtësira, heqje tarifash...”

Pandemia

Mandati i saj përkoi edhe me ngjarjen e pazakontë që vijon të mbetet e tillë; pandemia e COVID-19. 

“Kishim një situatë më të vështirë sa i përket personave të infektuar krahasuar me vitin e kaluar nga stafi ynë.

Vështirësia tjetër e madhe është mungesa e lëvizjes.

Ne nuk bëjmë dot një punë e cila na detyron që të rrimë mbyllur në zyrë, pavarësisht dy zyrave tona njëra në Sarajevë dhe tjetra në Bruksel.

Puna ime ishte që të lëvizja në të gjitha vendet, takimet, samitet ministerialet dhe jo vetëm. Për të shtyrë axhendat tona kryesore ishte që të lëvizje, dhe e treta më e madhe t’i mbaje njerëzit dhe ekipin të motivuar për të punuar në një kohë pandemie me gjithë pasiguritë dhe problemet që e shoqëronin”.

Megjithatë, Bregu rrëfen se RCC (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal) pati rezultatet më të mira të dy viteve.

“Vjet në mars ne krijuam edhe një korridor jeshil për mallrat dhe ilaçet në rajon. Kjo është një histori që sot kudo që ulemi të gjithë thonë që ishte historia e suksesit të RCC. Pra, arritëm në një kohë  krize që të aktivizohemi menjëherë që të paktën në vendet tona të Ballkanit të mos mungonte asgjë...”

...Të jesh shqiptare

Ajo mund të shohë tek vetja shumëçka; Gruan, bashkëshorten, nënën, miken, politikanen, ministren, deputeten, gazetaren, pedagogen...

Ajo që nuk ndryshon tek ajo është të qenit shqiptare

 “Ti ecën me peshën dhe krenarinë e flamurit tënd, (ç’ka unë nuk e kam fshehur kurrë), por në të njëjtën kohë duhet të forcosh dhe të krijosh aftësinë, që në këtë pozicion ti je shqiptare, por nuk sillesh dot si e tillë sepse duhet të ruash balancat dhe të jesh neutral për të gjithë”.

Kur mesazhet nuk i thotë dot me fjalë, Bregu i përcjell me veshje.

Një formë diplomatike kjo e ndjekur dukshëm nga politikane të suksesshme në botë si Angela Merkel apo ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

Të ngjashmit në politikë

Majlinda Bregu nuk hyri në politikë në 2005-ën përmes njohjes së emrit. Jo në këtë fushë.

Si pjesë e ish/KOP-it fillimisht ajo dalloi me instinktin, fitoi intuitën e një politikani, për të kaluar më pas tek përvoja.

Sot ajo dallon dy lloje politikanësh; Ata që e duan politikën si profesion dhe bëjnë beteja politike dhe ata që emërohen për të bërë politikë.

Për ata që e duan politikën si profesion, Bregu vëren se të gjithë kanë një pikë të përbashkët si ata në Shqipëri, politikanë të Ballkanit Perëndimor apo edhe më gjerë.

“Të gjithë kanë luftën, garën dhe sfidën të përbashkët. Dhe në këtë pikë është shumë kollaj ta bësh dallimin, pra ata të cilët duan të bëjnë beteja dhe të fitojnë sepse politika dhe pushteti është për të fituar, dhe ata individ që e shohin politikën apo angazhimin politik si një fazë të jetës së tyre, por nuk e kanë pasion për tu marrë më këtë gjë”.

...Vetë ajo, tani i sheh gjërat më ftohtë,  është më e balancuar dhe ka krijuar një distancë me rrëmujën e zhvillimeve politike në Shqipëri që sa duket i kish brendësuar më shumë sesa duhet.

Thotë se ka fituar një këndvështrim të ri për t’i parë gjërat më hapur, ndryshe, për të gjykuar në mënyrë më racionale si dhe, për të kuptuar se çfarë janë politika të mira në një vend, dhe çfarë janë shumë të mira në një vend tjetër, pse dikush ka sukses në një reforme apo në një fushë të caktuar dhe dikush tjetër jo.

Reflektimi

Majlinda Bregu ka brumosur një formë kriticizmi ndaj vetes, që ajo e lidh me rritjen dhe pjekurinë e saj si individ.

Sot, ka disa gjera të cilat nuk do t’i bënte më kurrë nga e shkuara.

 “Përshembull një gjë që sot nuk e bëj dot dhe që nuk do ta bëj më kurrë është që duke ditur që një kundërshtari apo dikujt me të cilin ti nuk ke afilacion apo marrëdhënie të mira, t’i bësh sulme që më së pari mund të lëndojnë fëmijët.

Pra të lëndosh babain ose nënën para syve të fëmisë për një luftë politike...

Sot nuk do ta bëja më kurrë.

Sot do të lodhesha për të gjetur çdo argument politik për një kundërshtar, por kurrë nuk do ta shaja si bashkëshorte apo burrë të keq, nënë apo baba të keq...”, thotë Bregu, nënë e dy fëmijëve të rritur tashmë.   

Por kur flet për betejat e saj politike në PD, ajo nuk heq asnjë presje.  

Mjafton të përmendim ato më të fundit, ecejaket e saj për të bindur se reforma në drejtësi duhej votuar nga PD-ja këtu e pesë vjet me parë apo dobia dhe nevoja e të djathtës për të mos bojkotuar zgjedhjet e 2017-ës.   

Foto: Gjatë një fjalimi në Kuvend për reformën në drejtësi

“Nuk kam bërë asnjë ditë asgjë edhe në kohën kur isha në PD për të menduar se si t’i bëja dëm PD-së.

Në rast se dikush mendon akoma që një pjesë e mirë e jona kundërshtuan qëndrimin për reformën në drejtësi, nuk them që ka qenë gabim. Ka qenë qëndrim i drejtë, pavarësisht se reforma në drejtësi është e gjatë e vështirë, por edhe aty ku kishim përfunduar nuk mund të vazhdonte përjetësisht.

Nëse dikush mendon që bëmë gabim që në 2017 ta shtynim PD të merrte pjesë në zgjedhje dhe të mos i bojkotonte, shihni çfarë ndodhi në zgjedhjet lokale, pra nuk ishim gabim, sepse në politikë je për të bërë politikë dhe për të luajtur pjesën tende, nuk lihet fusha bosh...”

A ka gjëra që duhet të ishin ndryshuar apo bërë ndryshe sot?

“Këtë nuk e di sepse u vramë në 2017 dhe nuk mund të vritesh dy herë për të njëjtin ‘krim’ meqë ishim të gjithë ne pjesa që u largua.

Por me keqardhje shoh që nuk është sa ka dalë ndonjë gjë për mirë të paktën nga 2017 e deri më sot. Ndaj në këtë pikë nuk kam pendesa dhe nuk kam kthim pas.

Mbase kjo është edhe me natyrë.

Unë jam natyrë tepër luftarake, por po aq sa nuk dua ti prish punë tjetrit, jam edhe ajo që mendoj se ajo që është e drejtë duhet të ndodhë”.

Ajo dhe Basha

...Ajo, ashtu si edhe Basha iu bashkua Partisë Demokratike me ftesë të Sali Berishës në vitin 2005. 

Ajo, ashtu si edhe Basha u përfshinë shpejt në sprovën e parë dhe me sukses, atë të votimit në bazë.

Të dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Sali Berishës, ajo ashtu si edhe Basha u zgjodhën deputet, ministra, krijuan emrin e tyre në parti. Ishin fytyra e re. Por jo vetëm.  Paralelisht të dy ata, gëzuan afirmim (të veçuar nga partia) edhe tek ndërkombëtarët.

Foto nga fushata në PD vite më parë

Majlinda Bregu dhe Lulzim Basha u nisën për një tjetër kapitull të jetës së tyre si bashkëudhëtarë të ish-Komitetit të Orientimit të Politikave, ku të vetmit që “mbijetuan” ishin po ata.

Por, në këtë rrugëtim të gjatë me histori politike deri diku të njëjtë, diçka i pengoi ata të dy për t’i besuar njëri-tjetrit

”Mua më pengoi intuita, atë mbase e pengoi frika”, do të shprehej Bregu, në një fjalim pa lakadredha të mëvonshëm këtu e tre vjet e kusur më parë, kur ajo bashkë me PD (e para 2017-ës) u përjashtua në moment të fundit me firmë të Lulzim Bashës nga lista e kandidatëve për deputet.

Majlinda Bregu do të vinte ca pika mbi “I” mbi marrëdhënien e saj politike me Lulzim Bashën dhe raportin me PD.

 “Unë nuk kam qenë dhe nuk jam asnjë ditë kundër tij. Sigurisht që nuk kam qenë shoqëruesja e mendimit pa mendim politik të tij”, shpotiste ajo.

Ata i bashkoi sinori politik, por i ndau qasja.

Majlinda Bregu nuk e votoi Lulzim Bashën për kryetar partie në vitin 2013.

Si askush tjetër nga të larguarit e mëvonshëm, haptazi ajo do deklaronte që në krye të herës se vota e saj ishte për të ndjerin Sokol Olldashi.

Ndaj dhe, Bregu nuk gjen arsye që të ndihet e zhgënjyer dhe as e zemëruar me Bashën.

Sepse ajo ndahet me Lulzim Bashën në mënyrën se si e duan PD-në, aty ku dukshëm po trashëgohen procese të papërfunduara.

Majlinda Bregu ka parë tek PD e “Lulzim Bashës” një parti “pa formë”, “ideologji”, pa “shtresat natyrale mbështetëse të saj”, pa entuziazëm” dhe mbi të gjitha “pa formë ndryshimi”.

Ende në këndvështrimin e saj, Lulzim Basha mbetet  “pasqyrimi i problemit më të madh që ka PD-ja”.

 “Nëse do ta kishim dashur PD njësoj, sot nuk do të ishim këtu”, do të shprehej ajo rreth katër vjet më parë.

E ardhmja në PD?

Majlinda Bregu i përkiste një brezi të mëvonshëm në parti, por ashiqare, ajo identifikoi profilin e një intelekti kritik, që pak kush mundi ta mbizotërojë. 

Ajo i ka kaluar sfidat e saj profesionale, por ka djegur dy herë provën e tejpamësisë për drejtimin në parti.

Njëherë kur sondazhet e brendshme të partisë e përzgjodhën atë si më të votuarën për Tiranën në vitin 2010.

Atë botë, ajo ishte ministre e Integrimit dhe açik asaj nuk i shkoi ambicia për ta kapur atë mundësi. Ndoshta edhe pse, vetëm pak muaj më pas, Berisha do t’ia besonte sfidën jo asaj, por Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës, trampolina e kujtdo politikani sot për të synuar nesër drejtimin e partisë.

Hera e dytë në 2017-ën kur PD-ja humbi zgjedhjet keq.

As atëherë, Bregu nuk sfidoi fatin për një lëvizje, por dëgjoi miqtë e saj në politikë.

j

Sot ngjarjet do kishin tjetër rrjedhë... 

A do të ketë një tokatë të tretë për të? Bregu nuk jep përgjigje në këtë fazë profesionale ku ndodhet.  Por siguron se nuk është shkëputur nga politika.

“Nuk jam shkëputur nga politika, bëj prapë një punë politike dhe merrem me politikë, por nuk them sot asgjë më shumë se si do të jetë e nesërmja. Sot nuk e them dot, por në trajnim jam, nuk e kam lënë palestrën politike...”, thotë ajo për Gazetasi.al

...Për Majlinda Bregun, sa duket PD rezultoi një terren prove në politikë, që ndryshe nga viti 2010 apo 2017, në një tjetër faze të jetës së saj, ajo po i përcakton vetë përparësitë e saj.

Në fund të fundit, siç shprehet edhe vetë ajo, gjithçka varet nga koha.

“Koha të jep të drejtë mbase dhe koha na ka dhënë të drejtë. Por për dikë mund të jetë shumë vonë”.

... Por për kë?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë