Nga Gazeta ‘SI’ – Eksportuesit, si pala më e zëshme që është dëmtuar nga rënia e euros, nuk është e vetmja. Euro në Shqipëri prej kohësh është një mjet me rëndësi pagese, përfshirë atë të fuqisë punëtore.
Eksperti i ekonomisë, Klodjan Muço tregon për Gazetasi.al se në Shqipëri janë rreth 50 mijë të punësuar, të deklaruar, që paguhen në euro, të cilët preken drejtëpërdrejt.
“Këta janë humbësit e dytë kryesorë pas eksportuesve. Atyre u janë reduktuar të ardhurat edhe pse paga ka mbetur e njëjtë. Të ardhurat i kanë në euro, por shpenzimet i kanë në lekë dhe u rezultojnë më pak”, shpjegon Muço.
Bizneset call-center, një pjesë e madhe që funksionojnë ilegalisht, e kanë ndjerë të parët këtë efekt, të ardhurat e të cilëve janë vetëm valutë, ashtu si edhe pagat e punonjësve të tyre.
Rrjedhimisht, këta qytetarë kanë më pak të ardhura të disponueshme, lidhur kjo dhe me depozitat e tyre që janë po në euro. Zhvlerësimi i kësaj monedhe kanë zhvlerësuar me pothuajse 1% çdo muaj stokun total të kursimeve, përkthyer në miliarda lekë të humbura.
Familjet e varura nga remitancat po ashtu, do ta kenë më të vështirë menaxhimin e financave të tyre, ose dërguesit e tyre do të ndjejnë një presion të shtuar. Shifra vjetore e remitancave që hyjnë në Shqipëri shkon afër 800 mln eurove.
Eksperti Muço përmend edhe tregun imobiliar si humbës, por e cila korrigjohet. Ai shpjegon se materialet e ndërtimit blihen me euro, që do të thotë se janë në rënie norma e humbjes ‘kompensohet’. Pronarët e banesave me qira që kanë vendosur çmimet në euro janë ndër ta që humbin.
Gjithsesi, kjo situatë favorizon kredimarrësit apo qiramarrësit në euro, të ardhurat e të cilëve mund të jenë në lekë, dhe paguajnë më pak detyrime, ndonëse shuma nuk ka ndryshuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.