Gazeta Si - Shi, erë dhe...kokainë. Këto janë efektet e uraganit “Debby”, i cili goditi së fundmi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në plazhin Keys, në Florida, është bërë viral lajmi i gjetjes së 32 kilogramëve kokainë, e ndarë në 25 pako, me vlerë mbi një milion e gjysmë dollarë. Droga u gjet “nga një pushues që po ecte në breg të detit”, thanë autoritetet amerikane.
Pakot ndodheshin brenda një qeseje mbeturinash bashkë me alga deti, gjethe dhe mbetje të tjera që kishin dalë në breg. Pushuesi kontaktoi autoritetet, të cilat morën pakot në dorëzim.
Pakot e kokainës dhe drogave të tjera shfaqen shpesh në plazhet e Floridës jugore dhe ujërat rrotull, pasi trafikantët kalojnë drogën nga Amerika e Jugut drejt SHBA-ve.
Vendndodhja e saktë e zbulimit nuk u bë e ditur, por agjenti Samuel Briggs II, shefi i policisë për Patrullën Kufitare të SHBA, publikoi një foto të paketave që përmbanin kokainë, të mbështjellë me celofan dhe të shënuar me një simbol të kuq në formën e trekëndëshit: “Uragani Debby, – lexohet në postim, – zbarkoi 25 pako me kokainë në një plazh në Florida Keys”.
Ndërkohë, stuhia tropikale “Debby”, e cila goditi Florida në mëngjes me forcën e uraganit, ka vrarë të paktën 4 persona dhe po kërcënon të shkaktojë “përmbytje katastrofike” në juglindje të Shteteve të Bashkuara.
Një djalë 13-vjeçar vdiq pasi një pemë ra në shtëpinë e familjes së tij në Fanning Springs, në veriperëndim të Floridës, thanë autoritetet lokale.
Dy persona të tjerë u vranë në një aksident në Dixie County kur shoferi “humbi kontrollin për shkak të motit të keq dhe rrugëve të lagështa”, sipas policisë lokale.
Një shofer vdiq gjithashtu pranë kamioni me të cilin udhëtonte u zhyt në një kanal. Debbie, e cila u dobësua në një stuhi tropikale në Florida të hënën, u zhvendos në drejtim të Georgias mbrëmë dhe pritet të lëvizë në det të hapur dhe më pas t’i afrohet Karolinës së Jugut pasnesër, të enjten, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA (NHC).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.