Arsim

‘Të mos lejojmë degradimin e gjuhës shqipe’, Rama: Nesër do hidhet për konsultim drafti i fjalorit të ri

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës në Kuvendin Kombëtar për gjuhën shqipe, deklaroi se shqipja do t’i mbijetojë barbarive të këtij shekulli.

Ai u bëri thirrje studiuesve dhe akademikëve të gjuhës shqipe që ta mbrojnë atë nga sulmet e atyre që ai i quajti delirantë e injorantë, të cilët sipas tij përhapin idetë e tyre përmes platformave në rrjetet sociale.

"Shumë shpejt, shqipja do të jetë edhe gjuhë zyrtare në BE, ku në mos gjuha më e lashtë e kombeve europiane, do të rreshtohet ndër më të rrallat e të veçantat mes tyre. Dua të them se ky Kuvend vjen si një produkt i samitit të tretë të Diasporës që u mbajt në Tiranë në nëntor të vitit të shkuar, ku shqipja ishte një nga temat kryesore dhe nga ku ne dolëm së bashku në disa përfundime dhe morëm disa angazhime.

Ma ha mendja se është ky vendi për të lidhur këtë Kuvend edhe me Xhaferrin që sot nuk jeton më, por ishte shqiptari që pati idenë të kërkojë që dita e Alfabetit të jetë festë kombëtare për shqiptarët në Maqedoni. Në zinxhirin e historisë sonë ka pasur disa besëlidhje. Kongresi i Manastirit, një grup shqiptarësh patën vullnetin t’i japin shqiptarëve atëherë dhe përgjithmonë alfabetin e tyre, në kushtet që nuk ishte aspak diçka e lehtë apo diçka qe do të ndodhte medoemos.

Kongresi ku At Gjergj Fishta tha ‘uluni burra të zgjedhim një komision se çfarë do bëjmë sot për të mirën e shqiptarëve nesër’. Mit’hat Frashëri paraqiti vizionin për një alfabet të gjuhës shqipe, jo arab e helen dhe të gjitha këto ishin opsione kërcënuese që peshonin mbi supet e pjesëmarrësve në atë kongres. Historia ka folur dhe ka treguar sesa e guximshme ishte vendimmarrja e atij kongresi, për një alfabet të veçantë për të shprehur shpirtin dhe botëkuptimin e shqiptarëve.

Është e hatashme sesi delirantë dhe injorantë me damkë, sot reklamojnë gjithfarëlloj tezash ndërkohë që borxhi ynë dhe i të gjithëve, në radhë të parë bëhet gjithnjë më i madh sepse krahas këtyre zërave që do të ishin përndryshe për të qeshur nëse nuk do jetonin këtë kohë kur barbarizmat në fjalor nuk do gjenin shesh për të bërë bërë përshesh, na bën të jemi të alarmuar dhe të bëjmë çmos për të rezistuar”.

Rama njoftoi se ditën e nesërme do të bëhet publik drafti i fjalorit të madh i Gjuhës Shqipe, i cili do të hidhet për një konsultim të gjerë publik. Ai tha se edhe ky fjalor është pjesë e rezistencës për të mbrojtur gjuhën shqipe nga 'gjithfarë barbarësh dhe injorantësh që gjejnë hapësirë në rrjetet sociale.'

“Sot më vjen mirë se si pjesë e kësaj rezistence mund të themi që jemi në momentin historik sa i përket prezantimit të fjalorit të madh të gjuhës shqipe që më në fund përditësohet falë punës monumentale të bërë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave.

Nesër do prezantohet publikisht edhe drafti i këtij fjalori. Do hidhet në konsultim të gjerë publik dhe do merren opinionet dhe sugjerimet, vërejtjet, kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do ta konsolidojnë si produktet të përbashkëta të një rezistence të domosdoshme dhe një përpjekje që ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm se jemi nën agresionin e barbarisë dhe gjithfarë lloj injorantësh që gjejnë hapësirë falë botës së re të rrjeteve sociale.

Por e kemi detyrim, të jemi në mbrojtje dhe të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e moskthimit”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë