Irena Beqiraj

Të mos harrojmë BRICS!


Për ata që mund të mos e dinë, termi BRIC u përdor gati 2 dekada më parë, nga analisti i Goldman Sachs, Jim O'Neill, i cili pagëzoi me këtë emër ekonomitë kryesore në zhvillim, Brazilin, Rusinë, Indinë edhe Kinën.
I intriguar nga ideja e këtij bashkimi, ishte pikërisht Vladimir Putin që në vitin 2006 sugjeroi që të katër vendet të takoheshin rregullisht. Grupi u zyrtarizua edhe filloi të organizonte samite vjetore të planifikuara. Afrika e Jugut iu bashkua këtij grupimi në vitin 2011, duke forcuar praninë e BRICS në të gjithë Jugun e Botës, ku “çuditërisht” Rusia jo vetëm ishte në veri, por ishte edhe qendra e kësaj aleance.
Në fakt, përtej pozicionimit gjeografik ka edhe arsye të tjera të cilat ushqejnë pyetjen “pse u bë Rusia qendra e këtij bashkëpunimi?”
Duke pasur parasysh se Rusia deri vonë ishte një anëtare e G-8, i cili ishte grupimi më i rëndësishëm ekonomik i hemisferës veriore, tingëllon i pajustifikuar afiniteti qoftë edhe ekonomik me katër anëtarët e tjerë të BRICS, të cilët tradicionalisht janë konsideruar vende në zhvillim. Me anë të BRICS Rusia shpalosi ambicien për të ndërtuar një platformë alternative globale.
Bashkëpunimi ekonomik dhe tregëtar midis vendeve të BRICS u thellua. Vendet e BRICS themeluan Bankën e Re për Zhvillim, me seli në Shangai, e kryesuar nga një prej bankierëve më të respektuar të sektorit privat të Indisë. Por përtej bashkëpunimit të ngushtë ekonomik, ajo që ka intriguar shumë vëzhgues edhe studiues ndërkombëtarë, ishte fakti që samitet e tyre vjetore prodhonin deklarata të përbashkëta që mbulonin çdo çështje madhore globale, duke filluar nga çështjet e paqes dhe sigurisë deri te reforma në Kombeve të Bashkuara. Aleanca po tregonte hapur që, përtej nevojës për bashkëpunim ekonomik, këto vende i lidhte diçka më shumë. Parë në këtë sfond, BRICS është dhe ka qenë një grupim ndërkombëtar që nuk mund të injorohet.
Eshtë tanimë e dukshme se e përbashkëta që çimenton aleancën e vendeve të BRICS është pakënaqesia. Ajo e ka bazën te mospasja e vendit që ato besojnë se meritojnë në rendin aktual botëror.
Ndërsa vendet pjesmarrëse të BRICS fuqizoheshin ekonomikisht dhe ushtarakisht, këmbana e alarmit binte në “veshët shurdhë” të Perëndimit, i cili i prekur nga sindroma HUBRIS, nuk “pranonte” që ose duhet të akomodonte “pakënaqesinë” e tyre, ose të paktën të tregohej i kujdesshëm me luftrat tregëtare-ekonomike dhe politike të hapura me disa nga anëtarët e BRICS. Vendet e pakënaqura, por të forcuara tanimë ekonomikisht dhe ushtarakisht, padyshim që në një pikë do të fillonin të ushtronin muskujt e tyre gjeopolitikë. Kjo po ndodh aktualisht.
Rusia nuk është vetëm. Dhe ka pak gjasa që Grupimi BRICS, sidomos Kina të mos e përkrahë qoftë edhe indirekt atë. Kjo ndodhi gjatë konfliktit me Krimenë, por u pa sërisht te vota abstenuese (e Kinës dhe Indisë) në Asamblenë e OKB-së.
Bashkëpunimi ekonomik brenda aleancës BRICS, padyshim që do të dobësojë efektet e sanksioneve ekonomike të vendosura nga Perëndimi, të cilat synojnë të heqin Rusinë nga sistemi financiar global, duke shtyrë më tej marrëdheniet tregtare midis Moskës dhe Pekinit dhe duke forcuar pozicionin e monedhës kineze në sistemin e pagesave ndërkombëtare.
Për bizneset kineze që tregtojnë me Rusinë, kryerja e transaksioneve pa SWIFT është një çështje e parëndësishme, pasi të dy vendet që pesë vjet më parë kanë filluar një proces të thellë dedollarizimi, pikërisht kur u vendosën sanksionet ekonomike karshi Rusisë. Sipas Reuters në gjysmën e parë të vitit 2021 transaksionet në Juan përbënin 28% të eksporteve kineze drejt Rusisë, ndërkohë që ato ishin vetëm 2% në 2013.
Në Indi, janë rritur së fundmi shqetësimet mbi furnizimet e qëndrueshme ruse me plehëra kimike. Burimet qeveritare dhe bankare thonë se ekziston një plan për bindur bankat dhe kompanitë ruse të hapin llogari në rupi me disa banka shtetërore për shlyerjet e pagesave tregëtare.
Po ashtu presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro tha se vendi i tij do të mbetet neutral në konflikt.
Përgatitja për “luftë” duket se ka filluar shpejt. Ndërkohë që testi i parë ku vendet BRICS treguan qëllimin pse aleanca e tyre ekziston, ishte konflikti në Krime, ku të gjithë përkrahën Rusinë.
Uroj që lufta në Ukrainë të përfundojë një orë e më parë. Por kushdo që do ta fitojë atë, ka fituar betejën, por jo Luftën. Lufta e vendeve të BRICS me Perëndimin është e destinuar të vazhdojë derisa ato të akomodohen në Rrendin Botëror.
Parimi bazë i pushtetit mbi të cilin u krijua Rendi Botëror në vitin ‘45, dhe që duket se është harruar nga liderët e sotëm ishte: “Kini pushtet, respektoni pushtetin, përdoreni pushtetin me mençuri” .
Prandaj, sot më shumë se gjithçka, kërkohet aftësia shtetërore, gjerësia e vizionit dhe ndjeshmëria e atyre që krijuan Rendin Botëror të pas vitit 1945.


Copyright © Gazeta “Si”