Njerez

Të mësojmë ta shohim ankthin si aleatin tonë

Nga "eko-ankthi" tek "FOMO", jeta moderne duket stresuese. Por psikologia Tracy Dennis-Tiwary shpjegon pse stresi mund të jetë një gjë e mirë.

Nga Tracy Dennis-Tiwary – Kur djali im lindi me një sëmundje të rrallë të zemrës, si çdo prind, u ndjeva e humbur. Doktorët më thanë se do të bënin një operacion në zemër të hapur dhe unë ndjeva pasiguri të madhe për atë që mund të sillte e ardhmja. E kuptova që rezultati mund të mos ishte i mirë, por e dija gjithashtu se një rezultat pozitiv ishte i mundur nëse unë mendoja pozitivisht.

Në një kohë si ajo, ishte e vështirë të përqendrohesha në mendimet pozitive, por mësova se mund të përdor ankthin tim për të mbajtur energji. Duke ditur se e ardhmja ishte e pasigurt, por që veprimet e mia mund të ndikonin në rezultat, ankthi im më ndihmoi të kaloja një situatë që në dukje ishte e pashpresë.

Megjithatë, për shumë njerëz ankthi mund të jetë mbytës dhe është bërë sinonim i ndjenjës së keqe.

Kur u rrita në vitet 1980, stresi ishte fjala kryesore për shqetësimet emocionale. Si po shkon planifikimi i dasmës? Shumë mirë, por jam e stresuar. Si po shkon kimioterapia? Shumë stresuese, por po ia dal mbanë.

Sot duket se po jetojmë në epokën e ankthit. Google Trends tregon se kërkimet për fjalën ankth janë rritur mbi 300% që nga viti 2004. Ankthi është në mendjen tonë dhe kjo është e kuptueshme.

Fjala duket se ka zëvendësuar edhe fjalën “stres” duke u përdorur tani në çdo moment.

“Kam ankth për të bërë prezantimin, jam në ankth për takimin, jam në ankth për punën e re etj”.

Fjala është bërë e kudogjendur dhe përfshin gjithçka, nga frika deri te pritjet e këndshme.

Pastaj janë çrregullimet e ankthit. Ato janë më të zakonshmet nga diagnozat e shëndetit mendor, më të zakonshme se depresioni dhe varësia. Qindra miliona njerëz në mbarë botën do të diagnostikohen me një çrregullim ankthi gjatë jetës së tyre. Përqindjet e këtyre çrregullimeve, veçanërisht tek të rinjtë, vazhdojnë të rriten. Megjithatë, ka dhjetëra terapi të vërtetuara, 30 ilaçe të ndryshme kundër ankthit, qindra libra të shkëlqyer për ndihmë dhe mijëra studime shkencore rigoroze. Këto me siguri mund të ndihmojnë individët por pse këto zgjidhje nuk kanë arritur të zvogëlojnë shkallën e problemit?

Një arsye për këtë dështim është se profesionistët e shëndetit mendor, kanë mashtruar pa dashje njerëzit për natyrën e ankthit në të kaluarën, një keqkuptim që na ka dëmtuar. Unë propozoj një qasje të re, më të dobishme dhe shpresëdhënëse për të kuptuar dhe jetuar me ankthin në shekullin 21, për ta përdorur atë në avantazhin tuaj.

Emocionet negative si ankthi kanë marrë prej kohësh një konotacion të keq. Poeti i lashtë romak Horace shkroi mbi 2000 vjet më parë se zemërimi është një çmenduri e shkurtër. Por gjatë 150 viteve të fundit, duke filluar me “Shprehja e Emocionit te Njeriu dhe Kafshët” e Darvinit, në fakt kemi arritur të kuptojmë se emocionet si zemërimi, frika dhe ankthi janë më të dobishme sesa të rrezikshme.

Ankthi është informacion për të ardhmen e pasigurt: diçka e keqe mund të ndodhë, por gjithashtu edhe diçka e mirë mund të ndodhë.

Kur jemi të shqetësuar, jo vetëm që jemi më kreativë dhe inovativë, por truri ynë përgjigjet me fokus dhe efikasitet më të madh kur përballemi me të paparashikueshmen. Pra, ankthi është më shumë se “qarku i frikës” i trurit. Ankthi gjithashtu aktivizon nxitjet tona për lidhje shoqërore, duke na shtyrë të punojmë për atë që na intereson, të lidhemi me të tjerët dhe të jemi më produktivë. Kjo është arsyeja pse, nga këndvështrimi i teorisë evolucionare, ankthi nuk është shkatërrues. Ankthi mishëron logjikën e mbijetesës.

Megjithatë, teoria dhe hulumtimi evolucionar nuk kanë hyrë në vetëdijen publike, ose në atë të shumicës së profesionistëve mjekësorë. Larg nga trajtimi i ankthit si një aleat i mundshëm, ne e trajtojmë atë si një armik që ulërin para nesh.

Ndërsa çrregullimet e ankthit mund të jenë paralizuese, përdorimi i gjerë i termit ankth për të nënkuptuar një ndjenjë të keqe të përgjithshme është problematik sepse do të thotë se ne pranojmë dy gabime kryesore: (a) përjetimi i ankthit është i rrezikshëm dhe shkatërrues; dhe (b) zgjidhja e është parandalimi ose zhdukja e tij. Është një mënyrë të menduari që na ka bërë t’i perceptojmë ankthet e përditshme si keqfunksionime për t’u rregulluar. Megjithatë, janë vetëm çrregullimet e ankthit ato që njihen si probleme të shëndetit mendor. Emocioni i ankthit, nga ana tjetër, duhet të konsiderohet i shëndetshëm dhe normal, madje edhe i dobishëm.

Të mësosh të jesh në ankth në mënyrën e duhur do të thotë të gjesh mënyra për ta përballuar atë dhe jo për ta fshehur atë, për të shfrytëzuar dhe kanalizuar ankthin për të arritur qëllimet dhe për të dalluar kur ankthi nuk është i dobishëm.

Të shqetësuar në mënyrën e duhur

Në këtë epokë pandemie dhe ndryshimi klimatik, shumë prej nesh me të drejtë ndihen të pushtuar nga ankthi për të ardhmen tonë. Për ta përballuar, ne kemi mësuar të mendojmë për emocionin si çdo sëmundje, ne duam ta parandalojmë, ta shmangim dhe ta zhdukim me çdo kusht.

Por fakti është se ne e kemi keq. Problemi nuk është ankthi. Ankthi është lajmëtari, duke na thënë se po përballemi me pasiguri dhe duhet të përballemi me sfidën, ose duke na treguar mënyrat si jeta jonë duhet të ndryshojë ose ne kemi nevojë për mbështetje. Në vend të kësaj, një nga problemet kryesore është se besimet tona rreth ankthit na pengojnë të besojmë se mund ta menaxhojmë atë, të qasemi dhe të mësojmë ta përdorim atë në avantazhin tonë.

Mbi 180 vjet më parë, filozofi danez Soren Kierkegaard shkroi: “Kushdo që mëson të jetë i shqetësuar në mënyrën e duhur, ka mësuar më të mirën”.

Ne duhet të mësojmë se megjithëse ankthi mund të jetë i vështirë, ndonjëherë i tmerrshëm, ne mund të mësojmë ta bëjmë atë një aleat, një përfitim dhe një burim zgjuarsie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë