Nga Gazeta ‘Si’- Pas gati tre javësh bllokadë, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sërish, nesër paradite (20 gusht).
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, një kandidat mund të propozohet deri në tri herë për postin e kryetarit të Kuvendit. Gjykata ka theksuar se Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati prej 30 ditësh.
Partia fituese, Vetëvendosje, e ka kritikuar vendimin e Kushtetueses, duke e cilësuar atë si arbitrar. Ndërkaq, ish-partitë opozitare e kanë mirëpritur vendimin e këtij institucioni juridik.
Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.
Ky afat njëmujor ka nisur më 18 gusht, pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese.
Seanca konstituive për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit nisi më 15 prill. Por, për shkak se asnjëra parti nuk ka arritur ta bëjë e vetme shumicën dhe nuk u arrit një marrëveshje politike, çështja ngeci te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi 48 vende dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.
PDK-ja doli e dyta me 24 vende, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 vende tjera janë të pakicave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



