Rend dhe Ligj

Të mbytur në punë, SPAK kërkon 20 prokurorë për 2021

SPAK i ka kërkuar Kuvendit që të rrisë numrin e prokurorëve të posaçëm, për të përballuar fluksin e punës. Kërkesa është bërë nga drejtuesi i këtij institucioni, Arben Kraja. Kraja i kërkon Kuvendit që të miratojë për vitin 2021 rritjen e numrit të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion nga 15 në 20.

“Duke vlerësuar situatën e ngarkesës rezulton se aktualisht prokurorët e Prokurorisë së Posaçme janë të mbingarkuaar me punë, në pamundësi për të ushtruar funksionet e tyre normalisht dhe në vështirësi për të garantuar efektivitet dhe cilësi në shërbimet që kryejnë në zbatim të ligjit”, thuhet në letrën e Arben krajës.

Sipas idesë fillestare, SPAK duhej të kishte 15 prokurorë brenda vitit 2020, por dy kandidatura ende nuk e kanë kaluar procesin e vettingut me vendim të formës së prerë. Aktualisht, kjo strukturë ka 13 prokurorë.

Kraja thotë se kërkesa për shtimin me 7 prokurorë të tjerë brenda këtij viti është miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave.

“Rritja e numrit të prokurorëve nga 15 në 20 nuk do të ketë asnjë ndikim në buxhetin e vitit 2021 të SPAK, pasi në buxhetin e miratuar është përfshirë rritje e numrit të prokurorëve si dhe është miratuar fondi përkatës për pagat dhe sigurimet shoqërore”, shpjegon Kraja.

SPAK ka trashëguar mbi 500 dosje nga Krimet e Rënda, ku 204 janë procedime penale në hetim dhe pjesa tjetër hetime pasurore në bazë të ligjit antimafia. Ndërkohë, gjatë vitit 2020 janë regjistruar 343 procedime penale të reja, 10 hetime pasurore në bazë të ligjit antimafia dhe 226 dosje të bazuar në aktin normativ që ngriti OFL-në.

Këtij volumi dosjesh i shtohen edhe letërporositë e ardhura nga autoritetet e huaja dhe ngarkesa bëhet më e madhe nisur nga fakti që ligji ngarkon prokurorët e SPAK që të mbrojnë çështjet që hetojnë në të trija shkallët e gjyqësorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë