Shumë vërshuan drejt detit, ku ndenjën për orë të tëra, të tjerë morën makinat dhe u larguan me shpejtësi nga zona, por një pjesë e banorëve u bllokuan në shtëpitë e tyre duke mos arritur t’u shpëtonin flakëve. Edhe pse frika dhe terrori nuk janë shuar ende, të mbijetuarit e zjarreve rreth Athinës kanë gjetur forcën për të përshkruar terrorin dhe dhimbjen, ndërkohë që miqtë dhe të dashurit e tyre humbën jetën mes flakëve. Një banore e zonës, Maria Patsiou, tregoi për mediat greke se pa një vajzë të vogël tek hidhej nga shkëmbi, për t’i shpëtuar zjarrit. Maria rrëfen se 13-vjeçarja u hodh duke menduar se do të binte në det, por fatkeqësisht ra mbi disa shkëmbinj të thepisur, duke gjetur vdekjen e mënjëhershme. Nga ana tjetër, një baba është duke kërkuar ndihmë për gjetjen e vajzave të tij binjake, të cilat tha se i pa për herë të fundit në një kronikë televizive. Dëshmi të tilla kanë mbushur faqet e mediave greke, ndërkohë që bilanci i viktimave deri të mërkurën në mesditë arrriti në 77 të vdekur, një pjesë e të cilëve janë fëmijë. Ekipet e shpëtimit gjetën trupat e 26 të rriturve dhe fëmijëve në një tavernë, të cilët ishin përcëlluar nga flakët. Një pjesë prej tyre janë përlotur kur gjeten trupin e një nëne, e cila kishte shtrënguar fort në krahë djalin e saj të vogël.
Zjarri që u kthye në tragjedi
Zjarri në rajonin e Atikës rrethoi një grup të vogël miqsh, të cilët kishin dalë për t’u argëtuar në Porfina. Për fatin e tyre të mirë plazhi nuk ishte shumë larg. Ata i shpëtuan zjarrit përcëllues duke u hedhur në det, por gara e tyre për mbijetësë sapo kishte filluar. Ndërkohë që largoheshin nga bregu, Nikos Stavrinidis, bashkëshortja e tij dhe dy miqtë e tij, si dhe parteret e tyre përfundun në det të hapur, të verbuar nga tymi dhe të tërhequr nga rryma e fortë.
Gjithçka ndodhi shumë shpejt, brenda pak minutash e gjetëm veten të rrethuar nga flakët- rrëfen ai- Era ishte e papërshkrueshme, nuk kisha parë kurrë diçka të tillë më parë në jetën time. Ne vrapuan, duke ecur në drejtim të plazhit, duke menduar se ishte e vetmja rrugë e sigurt. Filluam të notonim mes tymit, por nuk mund të shihnim asgjë.
Sikur të mos mjaftonte zjarri, e njëjta erë që po përhapte flakët, po trazonte edhe detin, duke bërë që grupi i miqve të luftonte për orë të tëra me dallgët dhe detin e tërbuar.
“Ne dolën në det të hapur dhe u përpoqëm të largoheshim nga monoksidi. Shkuam sa më larg të mundeshin- tregon Niko- Por era dhe rrymat filluan të na largonin nga bregu. Nuk ishim në gjendje të shihnim se ku ishim. Pranë meje kisha bashkëshorten time dhe një nënë me djalin e saj. E vetmja gjë që mund të shihja ishin fytyrat e tyre të tmerruara, që më kërkonin vazhdimisht ndihmë.”
Pas më shumë se katër orësh në det të happur, Niko tregon se kishte humbur shpresat dhe se ishte përgatitur për t’u “takuar me vdekjen”. E vetmja gjë që donte ishte të shpëtonte të shoqen. Lutjet e tij duket se u dëgjuan, pasi në horizont u shfaq papritur nëj anije pëshkatarësh. Niko dhe e shoqja arritën të ngjiteshin shëndoshë e mirë, bashkë me miqtë e tyre. Por gruaja që kishte pranë dhe djali i saj adoleshent u zhdukën mes dallgëve.
“Është e tmerrshme të shohësh dikë tek mbytet dhe të mos jesh në gjendje ta ndihmosh. Nuk mundesh- rrëfen Niko duke iu dridhur zëri- Fytyrat e tyre të frikësuara dhe britmat për ndihmë vazhdojnë të enden në mendjen time.”
Ai dhe e shoqja kishte shkuar në qytezën turistike greke për të përgatitur shtëpinë e verës, ku planifikonin të kalonin pushimet. Niko ka treguar se dallgët ishin aq të fuqishme sa i dërguan një pjesë të njerëzve deri në ishullin e Evias. Edhe pse miqtë e tij ishin me fat, shumë banorë të zonës u përcëlluan nga flakët së bashku me të vegjlit e tyre. Të tjerë u hodhën në det për t’i shpëtuar zjarrit, por nuk u kthyen kurrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.