Gazeta “SI”-Ai quhet Aron Noka dhe ka lindur në qytetin e Burrelit. I diplomuar në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë, Aroni aplikon një lloj arti krejt të veçantë dhe të pazakontë. Skalit portrete mbi xham, duke përdorur një teknikë unike, që realizohet përmes thyerjes dhe ciflosjes së xhamit. Përmes kësaj teknike ai ka krijuar portrete të figurave të rëndësishme të historisë sonë, si Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti, Adem Jashari, Gjergj Fishta, etj. Sipas informacionit që ai ka, Aroni është i vetmi artist që aplikon këtë lloj arti jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin dhe ndoshta edhe më gjerë.
Në këtë intervistë për GazetaSi.al, Aroni rrëfen se si lindi pasioni i tij për artin dhe pse vendosi të ndiqte një rrugë tjetër në aplikimin e tij artistik, atë të skalitjes në xham.

“Arti më ka shoqëruar që në fëmijëri, kur shikoja gjyshin tim duke gdhendur gurë dhe dru. Ky inspirim më shtyu të ndjek rrugën e artit përmes studimeve përkatëse, me qëllim zhvillimin e aftësive dhe formimit tim si artist”, nis rrëfimin Aroni.
Ai shpjegon se pas shumë eksperimentimeve me forma të ndryshme arti, vendosi të punonte mbi xham.
“Artisti është gjithmonë në kërkim të formave, ngjyrave dhe materialeve të ndryshme derisa të gjejë veten. Edhe unë kam qenë në këtë kërkim, duke eksperimentuar mënyra të ndryshme shprehjeje, derisa gjeta xhamin si mediumin tim artistik. Këtë stil nisa ta praktikoj në mënyrë autodidakte, pasi pashë një portret të realizuar me këtë teknikë në një faqe interneti, gjë që më bëri kureshtar të zbuloja se si mund të pikturohej përmes thyerjes së xhamit.”

Aroni rrëfen edhe për punën e tij të parë, një portret që e bindi se portreti ishte mënyra më e mirë e aplikimit të artit mbi xham, duke sqaruar njëkohësisht veçantinë e punës me këtë material, por edhe rrezikun që mbart kjo zeje.
“Puna ime e parë është realizuar në vitin 2020, ku kam krijuar portretin e një këngëtari nga Kosova. Më pas kam eksperimentuar edhe me portrete të tjera që më pëlqenin. Sa më shumë punoja me këtë teknikë, aq më tepër më shtohej kureshtja për të zbuluar mundësi të reja të këtij materiali. Është e bukur të jesh i veçantë në atë që bën, sidomos kur ky stil arti nuk është shumë i përhapur dhe është i vështirë për t’u realizuar. Të punosh me xhamin është një ndjesi e veçantë, pasi punon mbi diçka të tejdukshme që tregon atë çfarë ndodhet përtej tij dhe jo brenda vetes.

Thyerja e parë përcakton karakterin e ri që xhami do të marrë. Gjatë procesit ndodh që thyerjet të dalin jashtë kontrollit dhe puna të prishet, duke të detyruar të nisësh një tjetër. Ky është një proces i natyrshëm pune, ashtu si në pikturë apo skulpturë, ku shpesh duhet të ndryshosh kompozimin ose formën”, thotë Aron Noka.

Në fund, Aroni shprehet optimist se shumë shpejt do të ketë edhe ekspozitën e tij personale.
“Punët dhe veprat e mia ekspozohen në studion time, ku edhe punoj. Në muajt në vazhdim planifikoj hapjen e ekspozitës sime të parë. Njerëzit e pëlqejnë dhe e vlerësojnë artin që realizoj, ndërsa kërkesa për të pasur një vepër me këtë stil është mjaft inkurajuese.”

Kureshtjen mbi xhamin që përdor Aroni e shuan shpejt duke shpjeguar se bëhet fjalë për të njëjtin lloj xhami që përdoret edhe në makinat, çka e bën të lehtë gjetjen e materialit, por aspak të lehtë punën me të. Arti në Shqipëri njeh forma të shumta shprehjeje, veçanërisht ai pamor, i cili kërkon të eksperimentojë përtej portreteve tradicionale.

Një dëshmi e këtij eksplorimi të mundësive dhe forcës personale krijuese është edhe Aroni, i cili ka zgjedhur jo vetëm të krijojë art, por edhe të përzgjedhë një material të veçantë, që në këtë rast është qelqi, një teknikë që skalit në tejdukshmëri shpirtin dhe talentin e krijuesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




