Media Galeri

Të kërcesh breakdance për të larguar stresin

Në një rrugë në kampin e refugjatëve Nusseirat, në qendër të Rripit të Gazës, adoleshentët kërcejnë Breakdance, një kërcim që dikur dënohej si i pamoralshëm dhe tani shihet si një mënyrë për të ndihmuar të rinjtë të përballojnë vitet e luftës dhe traumave.

Kërcimi është pjesë e një programi stërvitor nga trajneri i Gazës, Ahmed Al-Ghraiz, i cili thotë se ai përdor kërcimin si terapi për të ndihmuar fëmijët të largojnë frikën dhe të çlirojnë tensionin.

Në fillim, njerëzit në kamp refuzuan stilin e kërcimit hip-hop, derisa Ghraiz tregoi se si mund të nxirrte në pah disa nga problemet e përditshme të përjetuara nga fëmijët e tyre dhe t’i ndihmonte ata të përpunonin përvojat e tyre.

“Disa fëmijë vijnë tek unë dhe thonë se janë të lodhur, duken të rraskapitur, që do të thotë se as pushojnë mjaftueshëm dhe as nuk flenë gjumë. Kam zbuluar se disa dëmtonin veten dhe të tjerë shmangnin aktivitetet shoqërore”, tha Ghraiz për Reuters.

“Një sport i tillë dhe lëvizje të tilla krijojnë stabilitet psikologjik”, tha ai.

Vallëzimi përdoret në mbarë botën si një praktikë terapeutike krahas këshillimit tradicional dhe përpjekjeve të tjera rehabilituese që synojnë të lehtësojnë ankthin, depresionin, zemërimin dhe stresin post-traumatik.

Në vitin 2022, UNICEF tha se gati 500,000 fëmijë në Gaza kishin nevojë për kujdes psikologjik. Fëmijët përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë palestineze të Gazës.

“Ne kemi frikë, qëndrojmë në shtëpi dhe kemi frikë nga zhurmat, nga dronët dhe luftërat”, tha 11-vjeçarja Jana Al-Shafe.

“Shëndeti ynë mendor ndryshoi me breakdance. Ne argëtohemi kur vijmë këtu dhe luajmë me miqtë tanë”, tha ajo për Reuters.

Breakdance përgjithësisht besohet se është shfaqur në mesin e kërcimtarëve m ngjyrë dhe latinë në Nju Jork në vitet 1970 dhe shpejt u bë një fenomen botëror me rritjen e kulturës hip-hop. Stili i kërcimit akrobatik do të përfshihet për herë të parë si sport në Lojërat Olimpike 2024 në Paris.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë