Rend dhe Ligj

Të jetosh nën të njëjtën çati me kalendar. Të divorcuar që s’kanë ku shkojnë, i mban lidhur varfëria

Një burrë humbi ndjenjat menjëherë sapo u shoqërua në polici, pasi ish-bashkëshortja u ankua se ai i dhunonte psikologjikisht. Sipas dosjes që Gazetasi.al disponon ngjarja e rrallë, që dërgoi në komisariat një autoambulancë u shënua pas denoncimit të shtetases M. N.

Dosja tregon se historia që e dërgoi 53-vjeçarin në spital nga tensioni i lartë, aritmia dhe gjendja e të fikëtit u ndoq nga komisariati numër 4 në kryeqytet. Sipas burimeve të Gazetsi.al agjenti me inicialet A. M,  i dëgjoi të gjithë anëtarët e familjes që kanë urdhër mbrojtjeje nga njëri-tjetri dhe në përfundim kur kryefamiljari u stabilizua e mori në pyetje dhe atë. Bëhet me dije se 53-vjeçari u dorëzua për hetime të mëtejshme për akuzën e kryerjes së veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, pasi gjykata e kishte urdhëruar të qëndronte larg ish-gruas në distancën e pesë metrave. Por dëshmitë tregojnë se televizori i vjetër që mbahej në ambientin e përbashkët e shtyu atë të shkelte distancën, të cilën e ruante me fanatizëm secili nga anëtarët.

Policia shpjegoi se çifti është ndarë prej 15 vitesh e megjithatë ata vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën banesë.

“Kemi dhoma të ndara ku qëndrojmë në apartament, unë jetoj me 3 fëmijët tanë, kurse ish-bashkëshorti jeton në një dhomë të veçantë. Kuzhinën e kemi të përbashkët si dhe tualetin dhe korridorin. Përgjatë këtyre viteve dhuna nuk ka munguar. Herë pas here kam marrë urdhër mbrojtjeje, por gjendja është bërë e padurueshme. Im shoq nuk pranon që të dalë, kurse ne nuk kemi ku shkojmë”, ka rrëfyer në komisariatin numër katër historinë e jetës së saj gruaja nga Tirana. Nëna e tre fëmijëve shton se me gjithë bashkëjetesën e shtrënguar nga shkaqet ekonomike dhe pavarësisht se ish-bashkëshorti shpenzon ujë dhe drita, ai nuk paguan asgjë. Në disa raste ai konsumon sipas nënës së tre fëmijëve ushqime, duke përfituar nga fakti që kuzhinën e kanë të përbashkët dhe e frekuentojnë me orare të ndara.

“As detergjentet, asgjë nuk paguan. Shpenzon dhe mandej bëhet agresiv kur djali i kërkon faturën që t’i ndajmë së bashku. Kjo situatë është e përditshme. Në shtëpi ne nuk komunikojmë prej vitesh dhe shmangemi, pothuajse kemi një mirëkuptim të tillë, kur gjenden të kuzhinë ish-bashkëshorti ne qëndrojmë në dhomën tonë, kur ne dalim në kuzhinë ai mbyllet tek e tija”, thotë më tej në polici M. N.

Kjo shmangie dhe axhendë e diktuar vjen sidomos sipas gruas edhe nga fakti që gjykata e ka urdhëruar 53-vjeçarin që të qëndrojë pesë metra larg gruas. Në të kundërt, kjo do të konsiderohet si shkelje e vendimit të gjykatës thotë një burim i gazetës Si që nga marrja e dëshmive për konfliktin më të fundit kuptoi që burri kishte kaluar kufirin e pesë metrave, duke kaluar në ambientin e përbashkët gjatë kohës kur aty gjendej gruaja.

Çfarë ndodhi?

Grindja është agravuar ditën kur televizori i vjetër që mbahej në ambientin e përbashkët dhe që nuk punonte është vendosur nga fëmijët e tij që të zëvendësohej. Por ata duket se nuk e pyetën babain që ishte mbyllur në dhomën e tij. Këtë gjë ia kanë bërë fakt, duke e njoftuar pas derës.

“Babi televizori nuk punon, kemi blerë një të ri dhe këtë do ta heqim, do ta hedhim”, ka njoftuar fëmija më i madh i çiftit.

Kaq ka mjaftuar që kryefamiljari të  dalë nga dhoma e tij. Ka nisur të bërtasë pretendojnë katër anëtarët e tjerë në polici dhe ka urdhëruar se më parë dilnin ata nga shtëpia se sa flakej televizori. “Ky televizor i vjetër sido që të jetë, do qëndrojë askush dhe askush nuk duhet të guxojë ta nxjerrë nga shtëpia. Dilni ju nga shtëpia. Do ju marr me shkelma halera”, ka kërcënuar 53-vjeçari pranojnë fëmijët dhe ish-gruaja.

Por menjëherë sapo është stabilizuar gjendja e tij shëndetësore, i pyetur nga policia në spital burri ka kërkuar ndihmë dhe ka akuzuar fëmijët dhe ish-gruan. Burimet e gazetës Si thonë se burri ka refuzuar që të ishte ai shkaktari i grindjeve. 53-vjeçari këmbëngul sipas burimeve policore të Gazetasi.al se katër anëtarët e tjerë, tre fëmijët dhe ish-gruaja po komplotojnë kundër tij. “Ata më kanë braktisur, duan që të largohem, por nuk kam ku të shkoj dhe ky është fakt. Nuk kam të ardhura që të blej banesë të re. Ata ma kanë kthyer jetën të pajetueshme, unë ushqehem vetëm, fle vetëm, jam si një njeri pa njeri dhe të gjitha këto i orkestron ish-gruaja që ka vetëm një qëllim. Largimin tim nga banesa”.

Burri që sipas policisë vuan nga tensioni dhe aritmia ka akuzuar nga ana e tij katër pjesëtarët e familjes që e provokojnë dhe ia vështirësojnë jetën.

“Sa herë lahem në dush, më kanë mbyllur në banjë. Të tjera vështirësi kam në kuzhinë, bëjnë zhurmë kur dua të fle. Janë të pasosur”, akuzon A. L, i cili ka kërkuar avokat dhe njëkohësisht ju ka kërkuar oficerëve që t’i merrnin ilaçet që i kishte në banesë.

Në përfundim komisariati numër 4 e ka proceduar 53-vjeçarin në gjendje të lirë, pasi nuk gjeti prova për dhunë. “Ne i kërkuam burrit që të respektojë oraret për ambientin e përbashkët, kurse propozuam që familja të bëjë një kalendar derisa çështja e apartamentit të zgjidhet në themel dhe konflikti në familje mos të rëndohet më tej”, shpjegoi oficeri i policisë që komentoi se shumë çifte me fëmijë dhe që janë të divorcuar kanë të njëjtin problem. Ndonëse gjykata ka vendosur distancë të familjarëve, ata jetojnë për shkaqe ekonomike nën të njëjtën çati dhe duke ju shmangur njëri-tjetrit, derisa dhuna bëhet e pashmangshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë