Njerez

Të jetosh me skizofreninë- Historia frymëzuese e Erisës, që ia doli të mbajë nën kontroll sëmundjen

Të jetosh me skizofreninë edhe pse  është një  sëmundje pashërueshme, nuk është tragjike. Njerëzit me vullnet ia dalin.

Erisa, 48 vjeç nga Tirana është  një e tillë.

Mjekët e saj psikiatër tregojnë për gazetën “SI” se gjithçka nisi në moshën 20 vjeç, kur ajo ndiqte vitin e dytë të fakultetit Ekonomik.

Një krizë e fortë me halucinacione e çrregullime të sjelljes dhe  dhe vajza me sytë e shkruar e gjen veten të lidhur këmbë e duar në krevat për muaj me radhë.

Më pas, gjithçka ndryshoi rrënjësisht tek ajo. Që nga pesha, kur për një muaj ngujim shton më shumë se 30 kg e deri tek sjellja me të tjerët që nuk ishte e njëjtë.

“Në fillim ishte agresive, nuk donte askënd pranë, kishte frikë të mbante afër njeri përveçse nënës së saj.

Kur erdhi tek unë, ishte një vajzë që nuk rrezatonte jetë, sytë i ngulte në një pikë dhe nuk fliste. Prindërit më treguan se kishte qenë një studente e shkëlqyer, por që fatkeqësisht nuk mundi të përfundonte fakultetin”, tregon për gazetën “SI”, mjekja e familjes së Erisës, doktoreshë Mirela Dhamo.

Por kjo nuk ishte fatkeqësia e vetme në familjen e vajzës. Në kushtet e depresionit, nëna e saj duke mos duruar dhimbjen për gjendjen e vajzës së vetme, vetëvritet dhe I vetmi familjar i Erisës ishte babai i saj me të cilin nuk kishte lidhjen e fortë si me nënën.

Vdekja e nënës brenda disa muajve nga trauma e Erisës, do ta fuste vajzën në një krizë të dytë të fortë nga e cila ndenji gjatë e mbyllur në shërbimin e psikiatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.

Rikthimi te vetja

Me kthimin në shtëpi pas një periudhe të gjatë kurimi në spital, për vajzën nisi një sfidë tjetër. Pas terapisë spitalore, trajtimi mjekësor vijonte me mjekët e familjes të cilët e kishin në vëmendje për çdo problem që referonte Erisa.

Me vdekjen e së ëmës, Erisa duhej të kujdesej për të atin e sëmurë dhe për veten, të cilën nuk duhet ta linte mënjanë.

Këshilla kryesore që i dhanë mjekët psikiatër të QSUT, ishte të mos ndërpriste terapinë pa u konsultuar me ta.

Njeriu që u kujdes dhe vijon të jetë pranë saj, mjekja e familjes e qendrës shëndetësore nr.4 Mirela Dhamo, thotë se me kohën Erisa rifilloi jetën atje ku e kishte lënë.

“E nisi nga kuzhina ku mësoi të gatuajë për veten e babain, përkujdesja e shtëpisë, punët, ekonomia familjare ku çdo e ardhur që përfitonin, ajo pension invaliditeti si e sëmurë dhe babai pensionist, menaxhohej nga Erisa. Sot ajo ia ka dalë mbanë që të kursejë madje dhe diçka mënjanë”, thotë Mirela.

Duket se  vajzën e re sëmundja nuk e trembte më. Në vetvete kishte marrë një vendim; nuk do ta kalonte jetën në krevat me sytë ngulur në tavan, si të sëmurët e tjerë mendorë që kanë harruar veten duke rënë në kurthin e sëmundjes.

Dhe ia doli.

Në pamjen e saj sot nuk ka asgjë te cuditshme. Është modeste në veshje, ka përshtatur gjithçka në gardërobën e saj sipas fizikut që me kohën i ka ndryshuar duke marrë disa kilogramë më shumë.

Por  sytë i ka të qeshur dhe ndërsa e pyet për shëndetin të kthen përgjigje me mirësjellje dhe me një ton miqësor.

Ka një kujdes të shtuar ndaj koronavirusit dhe është kujdesur që të jetë rigoroze në masat që merr për tu mbrojtur prej virusit, pasi është e përgjegjshme për jetën e saj dhe të babait.

Nuk ka ndërprerë asnjëherë terapinë sepse kujton këshillat se çdo mungesë mjekimi e rikthen në gjendjen e parë, në krizat që pësoi dikur të cilat mund të rikthehen nëse nuk ndjek me kujdes mjekimin.

Gjithashtu ajo bashkëvepron me mjeken e saj duke plotësuar vetë dokumentacionin sipas ligjit për të përfituar pensionin e invaliditetit.

Sot është si të gjithë, një vajzë që kujdeset për veten e familjen e saj, pa harruar sëmundjen nga e cila vuan, por pa e lëshuar veten tërësisht në kthetrat e saj.

Empatia, kujdesi për të tjerët

Pas normalizimit të pasojave të krizës si pasojë e sëmundjes, Erisa kultivoi te vetja cilësi e vlera sic ishin dashuria dhe ndihma për të tjerët që gjenden në situatën e saj.

Me shumë dëshirë, ajo ka ofruar ndihmë financiare për  mikesha të saj të sëmura, të gjendur në vështirësi.

 E pafjalë, por me shpirt të bukur e bujare, Erisa na jep shembullin se si duhet të ndjejmë në zemër atë që ndjen një i sëmure, vëmendjen e përkujdesjen dhe jo stigmën dhe indiferencën.

“Një herë më tha se nga kursimet e saj donte ti kalonte një shumë një mikeje e cila e gjendur mes problemeve shëndetësore të njëpasnjëshme, nuk mundej të trajtohej pasi nuk kishte lekë të paguante medikamentet. I ofroi pa kthim një shumë për të nisur mjekimin”, tregon një mike e saj për Erisën e mirë dhe bujare.

Skizofrenia, Mjekët: E pabesueshme, por e parandalueshme

Mjekët psikiatër thonë se ekzaminimi i faktorëve të riskut ka zbuluar se shumë nga çrregullimet mendore mund të jenë të kthyeshme.

Për shembull, parandalimi i skizofrenisё  ёshtё sot një mundësi reale ndonёse akoma jo e arritshme. Psikiatrit thonë se ajo çka duhet bërë është parandalimi apo ndёrhyrja sekondare nё individёt tё cilёt tashmё janё simptomatikё dhe me dёmtim tё funksionimit, pёr tё reduktuar gjasat e pёrkeqёsimit tё gjendjes sё tyre.

“Qëllimi i trajtimit të hershëm duhet të jetë shërim sa më i plotë i mundshëm, ku njerëzit në çdo stad të skizofrenisë do të konsiderohen si njerëz që mund të arsimohen, të punësohen dhe të jenë të aftë të jetojnë një jetë normale”, thonë mjekët psikiatër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë