Arsim

Të hënën nis bojkoti i vitit akademik, çdo ditë protestë 2 orëshe deri sa të ketë marrëveshje me qeverinë

Nga Gazeta Si- Kryetari i sindikatës së pedagogëve Sandër Kovaçi ka njoftuar në mbyllje të protestës se duke nisur nga dita e hënë, pedagogët do të jenë prezent në Universitete nga ora 08.00 deri në orën 10.00 për tu prezantuar para studentëve të rinj dhe më pas, nga ora 10.00 deri në orën 12.00 do të ketë protestë para Universiteteve të tyre.

“Ne nuk kërkojmë që ta prishim datën e fillimit të vitit të ri akademik. Ditën e hënë nga ora 08.00-10.00 do të bëhet prezantimi i studentëve të rinj. Do të jemi aty me studentët për t’u sqaruar atyre se përse lëvizja jonë është edhe lëvizja e tyre.

Në orën 10.00-12.00 i gjithë personeli i fakulteteve do të jetë në oborrin e universiteteve”, tha Kovaçi.

Ai tha se protesta dy orëshe do të zgjasë derisa të ketë një marrëveshje me qeverinë.
“Duke kërkuar mirëkuptimin e prindërve dhe studentëve, kjo situatë me protesta 2 orëshe do të vazhdojë derisa të kemi një përgjigje”, tha Kovaçi i cili shtoi se këtë javë ka pasur edhe një interesim nga Presidenti Bajram Begaj i cili ka kërkuar informacion për gjithë historikun e pagave të pedagogëve.
“Ky është një hap i mirë”, tha Kovaçi.

Ai deklaroi se në funksion të përgjigjeve të qeverisë, Sindikata do të informojë për veprimet e veta, të mëtejshme. Ai gjithashtu falënderoi të gjithë pedagogët që e kanë mbështetur këtë protestë pavarësisht presioneve që kanë pasur.

Gjatë fjalës së tij, Kovaçi nënvizoi edhe një herë tjetër se rritja prej 7 për qind e pagave është një lëmoshë e papërfillshme dhe se këtë herë nuk do të bëjnë kompromise.

Të pranishëm në protestë ishin edhe studentë të cilët u bënë thirrje studentëve të tjerë që të mbështesin protestën e pedagogëve pasi rritja e pagave të tyre nënkupton një punë më dinjitoze nga ana e pedagogëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë