Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk humbet kohë dhe nis procesin e zëvendësimit të mandateve të deputetëve të opozitës. Të hënën KQZ-ja do të marrë vendim duke nisur pikërisht nga mandatet e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky institucion ka njoftuar se do të zëvendësojë mandatet deputetëve të kësaj force politike për Endrit Braimllarin, Floida Kërpaçi të qarkut të Tiranë, Edmond Haxhinaston për qarkun e Elbasanit dhe të Përparim Spahiut të qarkut të Elbasanit.
Për Tiranën deputetët e LSI do të zëvendësohen nga Ylli Shehu dhe Edmond Rrushaj, që të dy kandidatët kanë firmosur deklaratën e Dekriminalizimit pranë KQZ-së, duke nënkuptuar se janë pro marrjes së mandatit të deputetit, pavarësisht apelit të LSI-së për të refuzuar.

KQZ-ja ka nisur të zëvendësojë fituesit e listës së tretë dhe të katërt të LSI-së, duke lënë fituesit e vendeve të para si Klajda Gjosha dhe Kejdi Mehmetaj për t’i zëvendësuar për më vonë.
Auror Mara është e renditur e dyta në listën e qarkut Dibër, ajo ka pranuar që të marrë mandatin e deputetit.

Për qarkun e Elbasanit, KQZ-ja e ka nisur zëvendësimin e mandatit me të dytin në listën e fituesve, Edmond Haxhinaston dhe jo me emrin e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi. Mandatin e lënë nga ish-ministrit Haxhinasto do të marrë Enver Rroshi. Nga radhët e LSI, kandidati tjetër në Tiranë, Ralf Gjoni, nuk ka nënshkruar dorëheqjen nga mandati, por as nuk ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit. Gjithsesi KQZ-ja ka vendosur një afat 10 ditor për kandidatët të plotësuar formularin e Dekriminalizimit.
Deklaratat e kandidatëve për dorëheqje, nul
Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë depozituar deklaratat e PD-së dhe LSI-së, që i kërkojnë këtij institucioni që të mos i japë mandatet e deputetit, pasi i refuzojnë ato. Nga Partia Demokratike kanë firmosur deklaratën për mos marrjen e mandatit 31 persona nga 40 që duhet të ishin. Ndërsa 11 kandidatë kanë firmosur dorëheqjen nga 17 fitues që janë gjithsej në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Mungojnë 15 dorëheqje nga opozita dhe priten të tjera emra që të marrin mandatin e deputetit në Parlament.
Në radhët PD-së përfliten emrat e Kujtim Gjuzit, Erion Picirit, Ligoraq Karamelos, Lefter Maliqit dhe Selami Jenishehrit. Përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso pas depozitimit të listës së deklaratave të kandidatëve për refuzimin e marrjes së mandatit nga kanditatët theksoi se “tradhtarët” brenda PD-së janë nga radhët e aleatëve. “Për të gjithë këta person që i përkisnin PD kemi dorëzuar dorëheqjen individuale të parevokueshme. Të gjithë kandidatët që kanë qenë pjesë e listës së PD, që kanë qenë të PD, të gjithë kanë firmosur dorëheqjen e parevokueshme. Përveç ndonjë kandidati, i cili ka qenë pjesë e partive aleate para 2017, që janë raste të njohura publikisht dhe kanë shprehur vullnetin për të mbajtur mandatin, por nuk janë persona që janë të PD, që bëjnë pjesë në koalicionin opozitar”, tha ai.

Por burime zyrtare pranë KQZ-së theksojnë se këto dorëheqje paraprake të kandidatëve do të konsiderohen si nul nga pikëpamja ligjore, pasi Kodi Zgjedhor nuk e parashikon një gjë të tillë. Kjo nënkupton që KQZ-ja do t’i refuzojë ato. “Nëse i pranojnë, kjo do të quhet si një shkelje të ligjit”, pohojnë për Gazeta SI burime pranë KQZ-së. Si precedent përmendet edhe rasti kur nuk pranoi në vitin 2015 që të çregjistrojë kandidatin e PD-së, Altin Bibës për bashkinë e Kurbinit. KQZ nuk e çregjistroi Bibën në vitin 2015 duke e lënë në garë. Kjo garë ishte formale, pasi PD-ja i bëri thirrje zgjedhësve që të mos dalin në zgjedhje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




