Dosje

Të gjithë para drejtësisë / Nga Berisha, Meta, deputetë dhe kryebashkiakë (socialistë), të arrestuar dhe nën hetim nga SPAK

Gazeta Si- Në një periudhë 5-vjeçare, përveç procedimeve, hetimeve, konfiskimeve të pasurive, SPAK ka arritur të arrestojë dhe lëshojë me dhjetëra masa sigurie të ndryshme për politikanë të nivelit të lartë, deputetë, kryebashkiakë, prokurorë, gjyqtarë dhe zyrtarë policie.

Të akuzuar për korrupsion, pastrim parash fshehje pasurie apo shpërdorim detyre, Prokuroria e Posaçme ka goditur të dyja krahët e politikës.

Lista e gjatë e politikanve dhe zyrtarëve të çdo niveli, të cilët kanë kaluar pragun e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është e gjatë.

Emrat janë të shumët: nga ish-presidenti Ilir Meta, te ish-kryeministri Sali Berisha, deri te hetimet e fundit ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Me ardhjen e tij në krye të SPAK në dhjetor të vitit 2022, Altin Dumani hapi me dhjetëra dosje, hetime dhe urdhëroi paraqitjen dhe arrestimin e dhjetëra kryebashkiakëve, thuajse të gjithë socialistë.

Ish-kryeprokurori, Adriatik Llalla

Adriatik Llalla

Mes zyrtarëve të parë që janë thirrur në SPAK, është ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ai u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode.

Llalla akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7 mijë dollarësh për lindjen e djalit, shpenzimet që lidhen me ndërtimin e katit të tretë të një banese si dhe të ardhurat për shkollimin e vajzës në Gjermani.

Ish-zyrtari i lartë u dënua në mungesë me 2 vite burg dhe dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik. 

Po ashtu atij i janë konfiskuar  një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë metra katrorë tokë arë në periferi të Tiranës.

Llalla u arratis në Itali, para se të jepej urdhër i formës së prerë për arrestimin e tij dhe kërkoi azil politik me argumentin se dënimi ndaj tij ka qenë një iniciativë politike.

Lefter Koka (djathtas) dhe Alqi Bllako (në mes)

Lefter Koka dhe Alqi Bllako

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u arrestua në 14 dhjetor 2021, për vepra penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave, për çështjen e inceneratorëve. Rreth 3 muaj më pas, në mars 2022, u arrestua ish-deputeti socialist Alqi Bllako.

Në nëntor të këtij viti, ish-ministri i Mjedisitu dënua me 10 vite burg për inceneratorin e Elbasanit. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të kryejë 6 vjet e 8 muaj burg. Ndërsa Alqi Bllako është dënuar nga Apeli i GJKKO me 2 vjet e 8 muaj burgim vetëm për aferën e Inceneratorit të Elbasanit. Koka dhe Bllako akuzohen edhe për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Arben Ahmetaj

Për herë të parë, ish-zvkryeministri Arben Ahmetaj u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në qershor 2023, ku u pyet për rreth 6 orë nga oficerët e BKH-së.

Ahmetaj u pyet si person nën hetim, në kuadër të hetimeve që po kryen SPAK ndaj tij për ç♪7shtjen e inceneratorëve për 4 akuza: për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme.

Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzat zyrtare edhe ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajn për “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

Pak para se të arrestohej, Ahmetaj u arratis në Zvicër dhe ka nisur procedurat për të kërkuar azil politik atje, ndërsa është shpallur në kërkim.

Ish-kryeministri Sali Berisha

Sali Berisha

Ajo që bëri më shumë bujë, ishte masa e arrestit në shtëpi me kërkesë të SPAK, të ish-kryeministrit Sali Berisha, i marrë i pandehur për “korrupsion pasiv” për aferën e klubit sportiv “Partizani”.

Ai u arrestua në 31 dhjetor të vitit 2023, por kjo masë iu zëvendësua me “detyrim paraqitje”, duke u liruar në 27 nëntor të këtij viti, thuajse 11 muaj i izoluar në shtëpi.

Ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, ndodhet në masën e sigurisë "arrest shtëpie" dhe akuzohet për "pastrim parash dhe korrupsion pasiv" për të njëjtën çështje.

Çifti Meta-Kryemadhi

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Ish-presidenti Ilir Meta u arrestua me urdhër të SPAK në 21 tetor 2024 nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi ndodhet me masën masën “detyrim paraqitje”.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në të shkuarën janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Prokurorët e Posaçëm argumentojnë se hetimet treguan se ata kishin përdorur pushtetin për favorizime të njerëzve të tyre dhe kishin marrë prej tyre vlera monetare.

Ilir Beqja, ish-ministri i Shëndetësisë

Ilir Beqja

Në 4 korrik të këtij viti, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja u arrestua me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për çështjen e “Sterilizimit”.

Në bazë të hetimeve të SPAK rezulton se marrëveshja mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi koncesionin me vlerë 100 milion euro me afat 10-vjeçar, dyshohet se favozironte koncesionarin, i cili drejtohej nga biznesmeni Ilir Rrapaj.

Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë.

Beqja është nën hetim nga SPAK edhe për çështjen “SASPAC”, në lidhje me shpërdorimin e fodeve të BE në Shqipëri.

Ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja

Jurgis Çyrbja

Në 20 tetor të këtij viti, arrestohet deputeti socialist Jurgis Çyrbja, për veprën penale të “korrupsionit në zgjedhje”, “tregimit të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.

Prokuroria e Posaçme thotë se ish-deputeti është përfshirë në korrupsion zgjedhor pasi duke përkrahur dhe dhënë informacion Altin Hajrit, një të shumë kërkuari për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në Kamzë, ka përfituar prej tij vota në zgjedhjet e 2021.

Gjithashtu SPAK ka gjetur komunikime ku Çyrbja rezulton të ketë dekonspiruar disa operacione të Policisë për kontrolle me qëllim arrestimin e personave në kërkim në qarkun e Durrësit.

Deputeti socialist, Plarent Ndreca

Në hetim nga SPAK

SPAK dërgon në gjykatë dosjen ndaj 17 të pandehurve, ku mes tyre është edhe deputeti socialist, Plarent Ndreca. Ai akuzohet se për shkelje të barazisë në tendera gjatë kohës që ka mbajtur detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Bëhet fjalë për procedurat e ndjekura për tenderin e rikonstruksionit të katër komisariateve duke favorizuar një biznesmen.

Prokuroria e Posaçme mori të pandehur në fillim të këtij muaji, deputetin demokrat Asllan Dogjani, të cilin e akuzon se ka fshehur pagesën e mbi 120 mijë eurove për blerjen e një apartamenti.

Me anë të një komunikimi zyrtar, SPAK tha se Dogjani nëpërmjet dy kontratave të dubluara fshehu nëpërmjet deklarimit të rremë mënyrën e përfitimit të apartamentit në Tiranë, në rrugën “Hamid Shijaku”.

Deputeti demokrat, Luan Baçi

Deputeti demokrat Luan Baçi u paraqit në 1 nëntor në SPAK për t'u marrë në pyetje lidhur me një hetim të nisur ndaj tij prë fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Bëhet fjalë për një kallëzim të bërë në shkurt 2024 nga Aredin Beberi.

Pjesë e dokumenteve dorëzuar në SPAK janë dhe dosja kur Luan Baçi është hetuar gjatë kohës që mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugorë Fier, (DRSHTRRF) hetim i proceduar nga Prokuroria e Fierit në nëntor 2011.

Po ashtu, SPAK ka thirrur disa deputetë dhe ish-deputetë, si Xhemal Qefalia, Sahmir Tahiri dhe ish-zyrtarë të kohës, pas rihapjes së hetimeve për dosjen “11 Janari”, ku në bulevard humbën jetën 4 protestues në vitin 2011.

Sajmir Tahiri në SPAK me avokatin e tij

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u rikthye në dyert e Prokurorisë Antikorrupsion në 24 qershor të këtij viti.

Edhe pse drejtësia vendosi që ta lirojë para kohe ish-ministrin nga qelia ku po vuante dënimin e dhënë nga Apeli i Posaçëm qershorin e kaluar për shpërdorim detyre, kjo nuk është bërë pengesë që SPAK të çelë hetim pasuror ndaj tij.

Hetimet po kryhen nga prokurori Elvin Gokaj, për dy vepra penale. Një prej tyre është ajo e falsifikimit të vulave, stampave apo formularit të vetëdeklarimi që parashikon një dënim nga tre deri në shtatë vjet heqje lirie.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

Të gjithë kryebashkikët (socialistë) në SPAK

Më shumë se 1/3 e kryebashkiakëve të zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste kanë qënë apo janë nën hetim nga SPAK, ndërsa disa prej tyre janë marrë të pandehur dhe janë dënuar me vendim të formës së prerë.

Për pothuajse të gjithë të zgjedhurit vendorë ka dosje të hapura në SPAK, dhe kallëzime që i janë bërë nga kundërshtarët politikë, por edhe qytetarë të ndryshëm.

Nnën hetim dhe pas hekurave, ka emra me peshë në radhët e të zgjedhurve socialistë, ku mes më të rëndësishmëve është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Ai dëshmoi në SPAK në prill të këtij viti, pas një fletë-thirrje të javës së kaluar për të dëshmuar në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës.

Javën e kaluar, ndaj Veliajt dhe familjarve të tij, SPAK ka nisur hetimin pasuror mbi dyshimet për veprën penale të korrupsionit.

Vangjush Dako, ish-kryebashkiaku i Durrësit

Vangjush Dako i Durrësit ndodhet në “arrest shtëpie” për akuzën e shpërdorimit të detyrës në dy raste që lidhen kryesisht me projekte në infrastrukturë.

Safet Gjici u arrestua në 24 qershor të vitit të kaluar, pas publikimit të një videoskandali seksual, me protagoniste Alma Kaçin, e cila i kërkoi në këmbim, premtimin për të marrë një tender për strehimin e qenve endacakë. Në përfundim të hetimeve, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi më 7 shkurt, deklarimin fajtor të Gjicit, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës” lidhur me aferën seksuale në zyrën e tij dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet heqje lirie.

Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla dhe 8 persona të tjerë të u gjetën fajtorë nga Gjykata e Posaçme, për akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikimit.

Fatos Tushe, ish-kryebashkiaku i Lushnjës

Fatos Tushe, ishte një prej kryebashkiakëve të parë që iu vunë prangat në zyrë, teksa ushtronte detyrën si i pari i qytetit në Lushnjë.

Gjykata e Posaçme e dënoi Fatos Tushen në vitin 2022, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke i caktuar 3.6 vite burg. Tushe përfiton nga gjykimi i shkuruar dhe për pasojë do të vuajë 2 vite e 4 muaj burgim dhe 5 vite jashtë funksioneve publike.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi në datën 6 tetor 2023 të deklarojë fajtor për “shpërdorim detyre” ish-kryetarin e Bashkisë së Fushë Arrëz, Fran Tuci dhe ish Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku, të cilët akuzohen se lejuan ndërtimin e një rruge pa leje përkatëse, që ka sjellë pasojë shkatërrimin e një fondi pyjor me vlerë 234 milionë lekë.

Edison Memolla, kryebashkiaku i Rrogozhinës

Edison Memolla, kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës, është marrë i pandehur nga SPAK në tetor të vitit 2023. Ai është hetuar nga Prokuroria e Posaçme, për korrupsion në zgjedhje.

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari u dënua në ranar të këtij viti me 9 muaj burg nga GJKKO për fshehjen e një dënimi në Greqi, në vitin 1999. Dënimi, i ulur në 6 muaj prej gjykimit të shkurtuar, iu konvertua në 150 orë punë në komunitet.

Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli, i cili arriti që të merrte një mandat të dytë, u paraqit dy herë brenda muajit nëntor të vitit të kaluar në SPAK, pas akuzave për abuzim me tenderat e Rindërtimit.

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, edhe pse humbi në zgjedhjet e majit të vitit të kaluar, është paraqitur disa herë në SPAK, nën dyshimet se ka abuzuar me detyrën, duke tjetërsuar pronat në bregdet. Dosja ndaj tij në SPAK ka kaluar për gjykim.

Jorgo Goro, ish-kryebashkiaku i Himarës

Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj është dënuar nga GJKKO në shkurt të vitit 2023, me 6 muaj burg që konvertohet me 40 orë pune për interes publik. 49-vjeçari akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Adriatik Mema, i cili e drejton Bashkinë e Skraparit prej 4 mandatesh, është kallëzuar në SPAK nga avokati Arben Llangozi, pasi akuzohet për kryerjen e vepraver penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Erion Isai, i cili drejton Kolonjën në mandatin e tij të dytë, duke hedhur pas krahëve karrierën si aktor, është paraqitur në SPAK vitin e kaluar.

Rexhë Byberi, kryebashkiaku i Tropojës

Pak pasi të fitonte zgjedhjet për herë të dytë, në majin e vitit te kaluar, Isai është thirrur të dëshmojë për hetimet që po kryen në lidhje me ndërtimin e një aksi rrugor në zonën e Ersekës.

Rajmonda Balili akuzohet nga SPAK për shkelje të bazarisë në tendera në kohën kur ishte kryebashkiake e Patosit.

Me urdhër të SPAK, ajo u pezullua nga detyra që mbante si prefekte e qarkut të Fierit. Balilaj, e cila është edhe anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste  po hetohet nga SPAK pasi gjatë kohës që ishte në krye të Bashkisë Patos paracaktoi kompaninë “Genti 00” fituese para se të zhvillohej tenderi.

Kryebashkiaku i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mësohet se Byberi është denoncuar nga banorët e zonës për favorizim të familjarëve dhe shpërdorim detyre. E.A


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë