Politike

Të gjitha mesazhet e Berishës

Nga raporti që do mbajë me Bashën dhe njerëzit e tij, SHBA e deri tek gara për kreun e PD

Ish-kryeministri Sali Berisha mbërriti në selinë e PD-së i fundit nga Komisioni i Rithemelimit që më herët kishin filluar një takim në seli me Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi dhe kryetarin e Komanduar Enkelejd Alibeajn.

Berisha iu bashkua takimit për të dalë më pas ne një konference për shtyp po nga selia e PD-së.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se mbetet i hapur për bashkëpunim me çdo deputet përfshi këtu edhe Lulzim Bashën. Disa herë ai specifikoi se ishte i gatshëm që ta takonte atë edhe nëse do ta gjente (të premten) në seli.

Berisha tha gjithashtu se nuk do ta cilësonte me Bashën si deputeti “brava” por deputeti Basha. E ftoi atë madje që të organizojë ekipin e tij për të garuar në postin e kryetarit.

Berisha njohu në të njëjtën kohë Enkelejd Alibeajn si kryetar i grupit parlamentar por jo kryetar i komanduar i PD.

Sali Berisha tha se do të përfshihet ne garën për kryetar dhe çdo anëtar mund të përballet me të në kushte të drejta të ndershme dhe të barabarta siç u shpreh ai.

Ai tha gjithashtu se marrëdhënia a tij me SHBA-në mbetet e diktuar dhe se është i gatshëm që të marrë vendimet e tij nëse ndaj tij apo fëmijëve të tij do të dalë ndonjë prove konkrete nga DASH.

Berisha tha gjithashtu se Kuvendi i 30 Prillit nuk do të shtyhet por sqaroi se gara për kryetarët e degëve do të shtyhet deri më 20 Prill përmes një udhëzimi të ri.

Berisha tha se Komisioni i Rithemelimit do të qëndrojë tani e tutje në seli dhe se janë dy organet deri në Kuvendin e PD-se që do të përfaqësojnë PD-në, komisioni i Rithemelimit dhe grupi parlamentar i PD-së, aty ku Berisha nënvizoi se do të zhvillohen gjithë negociatat.

Berisha tha gjithashtu se PD-ja zyrtare duhet te ristrukturohet shpejt me qëllim fillimin e sezonit të protestave, të cilat ai lajmëroi se do të udhëhiqen nga opozita

Ai nuk pranoi mundësinë e një ankimimi të vendimit të gjykatës qe legjitimonte Komisionin e Rithemelimit dhe foli si kryetar i ardhshëm i PD-së ku përcaktoi piketat dhe pozicionin e secilit në të ardhmen.

Ai tha gjithashtu se ndryshe nga sa ka thënë vetë gjyqtari Agron Zhukri ai nuk ka asnjë konflikt me këtë të fundit  i cili njohu Kuvendin e 11 dhjetorit.

Gjatë gjithë fjalës së tij, Berisha foli për shtrirje dore me palën tjetër, negociate dhe bashkëpunim duke i ftuar ata që të jenë pjesë e garës për strukturat drejtuese.

Berisha tha se në garën brenda PD-së nuk do të ketë asnjë kriter përjashtues  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë