Njerez

Të gjitha ‘arsyet’ psikologjike të një 14-vjeçari që vret

Nga Gazeta Si - “Nuk ishte një nxënës shembullor por as dikush që sillte probleme”. Kështu shprehen nxënësit e shkollës ‘Fan Noli’ për 14-vjeçarin që vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij dhe plagosi një tjetër, ku dhe mbeti vetë i plagosur.

Edhe pse pak prej tyre pranojnë të flasin për autorin, pasi janë ende të traumatizuar për atë që ka ndodhur, disa prej nxënësve thonë për Gazetasi.al se asnjëri nga dy djemtë (autori dhe viktima) nuk ishin nxënës problematikë në shkollë, duke e bërë edhe më të vështirë kuptimin e nxitësve të ngjarjes (sadopak kuptim që mund të kenë ato).

Në spital, ku dhe i është komunikuar vepra që ka kryer, 14-vjeçari nuk ka shprehur pendesë, duke mos pranuar të flasë kur është pyetur për këtë. Ai gjithsesi ka deklaruar se është zënë me viktimën sepse ky i fundit po e shikonte dhe debati është mbartur nga e premtja deri të hënën.

Për psikologen Manolita Hida, nuk është aspak e thënë që një nxënës i mirë të mos ketë problematika të cilat lidhen me kontrollin e gjendjes emocionale.

“Ndonjëherë janë pikërisht nxënësit e tillë që grumbullojnë e mbartin situata dhe nuk kanë ku të shprehen. Më pas, në gjënë e parë që përballen, shkaktojnë këtë që ne shikojmë nga jashtë”, shpjegon Hida. Ajo shton se asgjë nuk përjashton asgjë, sepse janë pikërisht fëmijët e qetë që ndonjëherë shpërthejnë në mënyrën më të keqe të mundshme.

“Mund të ketë qenë diçka e akumuluar nga shumë ngjarje të tjera. Një arsye mund të jetë edhe presioni i grupit për të vendosur një lloj emri tëndin për të treguar që je i zoti”, thotë ndër të tjera psikologia.

Sipas saj, autori mund të jetë nxitur nga të tjerët dhe është pikërisht mosha e tillë që merr veprime të mëdha. Por, pavarësisht krizave që sjell kjo moshë, kjo nuk do të thotë që një adoleshent të mos jetë në gjendje që të ndajë të mirën nga e keqja dhe mundet ta kuptojë se çfarë provokojnë aktet e veta.

Psikologia Hida shikon si një shkak të ngjarjes edhe mënyrën se si autori mund të jetë rritur.

“Mund të jetë dhe një fëmijë i llastuar, duke parë dhe fotot që bënte më parë, një ndër to ku duket se po konsumon një cigare elektronike. Çdo prind përpiqet të bëjë më të mirën e mundshme për fëmijën e vet, por nga e bëra e më të mirave të mundshme deri tek pjesa ku nuk u tregohen kufijtë, ka një hendek të madh”, tregon psikologia.

Autori bashkëmoshatar, mori gjithashtu një plagë aksidentale në parakrah gjatë përleshjes por u largua me vrap drejt Pazarit të Ri, derisa të njohur të tij e çuan me makinë në një spital privat për mjekim.

Psikologia tregon se shpërndarja e fotove me dorë të gjakosur apo e thikës së përdorur mund të ketë ndodhur sepse autori ka qenë ende nën ndikimin e adrenalinës së momentit.

Sipas psikologes, edhe ndjekja e modeleve të gabuara mbetet gjithashtu një faktor i cili ndikon në kriminalitetin e të rinjve. Ajo shprehet se të kesh idhull figura të krimit apo shkeljen e normave morale dhe ligjore, ke tendencë për të shkuar edhe vetë drejt shkeljeve ligjore.

“Fakti që kemi 6 goditje me thikë tregon një lloj inati dhe diçka e mirëmenduar. Adoleshenca është një zhvillim i vrullshëm i kalimit nga fëmijë në të rritur dhe kemi një individ që ndodhet në trup të rritur por ende me mendjen e një fëmije që do të thotë se forca fizike është shumë më e madhe se sa forca e mendimit dhe në këtë rast, prirja për të kryer veprime të tilla është shumë më e madhe”, thotë Hida.

Veprime që merren pa menduar pasojat, apo mospërballja me pasojat, tregojnë edhe mjedisin ku personi është rritur. Persona të tillë mendojnë se janë “të larë” çfarëdo që të ndodhë.

“Në eksperiencën time në komisariat kam kuptuar se ka shumë lloje prindërish, nga ata që janë kritikues për veprimet që fëmija ka bërë, deri te prindërit që marrin në mbrojtje fëmijën dhe sulmojnë të tjerët”, përfundon psikologia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë