Drejtësia

‘Të fus në listë, je në ofertë’, avokati i Besian Xhixhës akuzon Nuredin Dumanin: Më kërcënoi!

Gazeta Si – Dëshmia e Nuredin Dumanit në seancën e kësaj të enjteje në GJKKO, ka shkaktuar tensione, ku Ilirian Dyzeni, avokati mbrojtësi i të pandehurit Besian Xhixha, ka braktisur sallën, duke akuzuar të penduarin e drejtësisë për kërcënim.

Në mes të seancës, Dyzeni ngriti zërin duke deklaruar: “Nuk toleroj mua të më kërcënojë dikush në sallë dhe prokurori të mos reagojë. Nuk mund të më bëjë ai presion mua. Nuk dëgjoj unë atë të më thotë ‘të fus në listë, je në ofertë’”.

Avokati u largua menjëherë nga seanca, ndërsa situata ka krijuar kaos të përkohshëm në gjykatë. Gjykata urdhëroi punonjësit e policisë të largojnë nga salla të penduarin dhe ndërpreu seancën për pak minuta.

Ai kërkoi ndërhyrjen e prokurorit dhe marrjen e masave ndaj Dumanit, i cili është një nga dëshmitarët kyç në këtë proces dhe ka dhënë rrëfime për disa grupe kriminale në vend.

Pas një ndërprerje të shkurtër, seanca rinisi sërish me avokatin që u rikthye në sallë dhe i kërkoi trupës gjykuese që t’u tërheqë vëmendjen prokurorëve të SPAK-ut për të qenë më të vëmendshëm ndaj deklarimeve që bën Dumani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë