Rend dhe Ligj

Të burgosurit e regjimit ‘41-bis’ në Peqin në grevë urie, por pa hequr dorë nga uji dhe kafeja

Gazeta Si- Shtatë të burgosur të regjimit të posaçëm “41-bis”, në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, kanë hyrë në grevë të pjesshme urie.

Sipas burime paraprake nga ky institucion, mësohet se të burgosurit prej 2-3 ditësh kanë refuzuar ushqimin, por jo kafen dhe ujin, ku këtë të fundit e shoqërojnë edhe me sheqer.

Shkak për këtë vendim është kundërshtimi ndaj aplikimit të regjimit “41-bis”, i cili parashikon izolimin e rreptë për ta.

Kundërshti kanë shprehur edhe për kontrollet e shpeshta që janë kryer me urdhër nga vetë institucioni.

Gjithnjë sipas burimeve, mësohet se në grevë urie të pjesshme kanë kaluar: Ilir Kupa, Sokol Mjacaj, Aldo Hoxha, Anterio Kaloshi, Fatmir Pjetri, Erion Veziaj, Nikolin Topalli.

Të burgosurve u lind e drejta t’i drejtohen gjykatës për pretendimet e tyre, ndërsa avokatët mund të ndjekin hapat ligjorë për të plotësuar kërkesat e klientëve që ndodhen në izolim.

Të burgosurit janë dënuar nga gjykata për vepra të rënda penale, nga vrasje, plagosje apo vjedhje me armë dhe po vuajnë në regjimin “41 bis” për shkak të thyerjes së rregullores së burgjeve, duke cenuar rendin dhe sigurinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë