Libra

‘Të bësh një panair libri në Shkodër është njësoj si të çosh nusen në gjini…’

Në Shkodër po organizohet një panair libri në oborrin e Katedrales. Ideja e organizimit të tij është e hershme, edhe pse u konkretizua në këtë kohë.

Nga Gazeta “SI”– “Libri të ban të lirë” është motoja e panairit të parë të librit në Shkodër i cili do të mbahet në datat 5, 6 dhe 7 Qershor në oborrin e famullisë “Zoja e Shkodrës”.

Stefan Çapaliku, Dom Vlash Palaj, Gjovalin Çuni dhe Andreas Dushi janë jo vetëm ideatorët por edhe organizatorët e këtij eventi i cili për tre ditë do të mbledhë në oborrin e Katedrales, botues, studiues, shkrimtarë dhe përkthyes nga  Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.

Stefan Çapaliku: Të bësh një panair libri në Shkodër është njësoj si të çosh nusen në gjini

Aktivitetet e librit në Shkodër nuk janë të rralla. Kjo e natyrshme për një qytet i cili së paku në dy shekujt e fundit, ka qënë pararoja e zhvillimit intelektual të Shqipërisë. Por, çudia qëndronte se Shkodra, vendlindja e Ndre Mjedës, Migjenit, Martin Camajt, Zef Zorbës e Frederik Rreshpjas, e po ashtu bazë e veprimtarisë së Gjergj Fishtës, At Zef Pllumit e shumë figurave të ndritura të letërsisë kombëtare, ende nuk e kishte një panair libri, ngjarje po aq me vlerë dhe e domsdoshme për një qytet të cilit i mjaftojnë autorët e vet për të mbajtur të gjallë një panair të tërë.

Stefan Çapaliku

Drejtori ekzekutiv i panairit, shkrimtari dhe studiuesi Stefan Çapaliku, thotë për GazetaSi.al se një panair në Shkodër edhe pse i vonuar nuk është më një ngjarje e çuditshme.

“Të bësh një panair libri në Shkodër është njësoj si të çosh nusen në gjini. Pra asgjë të çuditshme nuk ka në të. Thjesht kemi të bëjmë me një aktivitet të vonuar dhe më se të mirëpritur”

Çapaliku thotë se ideja e organizimit të një panairi është e hershme, edhe pse u konkretizua në këtë kohë.

“Ideja për organizimin e një panairi libri në Shkodër ka qënë po kaq e vjetër sa edhe ajo e organizimit të një panairi të tillë në Shqipëri. Vetë kam pasë fatin të jem një nga organizatorët e panairit të parë të librit në Shqipëri, më 1998. Më pas, prej vitit 1998 e deri më 2005, kur edhe u dorëhoqa nga posti i drejtorit të Drejtorisë së Librit në Ministrinë e Kulturës, kam qenë gjithmonë pranë këtij organizimit, i cili do kohe kaloi vështirësi jo të vogla, derisa u konsolidua”

Ai thotë se edhe pse ka jetuar në Tiranë, nuk është shkëputur për asnjë çast nga vendlindja e tij Shkodra, e ndoshta edhe fakti se askush nga institucionet përgjegjëse nuk u kujtua për një panair, atëherë mbetej detyrë e intelektualëve ta ndërmerrnin një nismë të tillë.

“Gjatë kësaj kohe, duke jetuar në Tiranë, por duke mos qenë asnjë çast i shkëputur nga qyteti im, Shkodra, kam pritur që diçka e tillë të ndodhte edhe atje, por më kot. Njerëzit që janë marrë me këtë organizim duke nisë nga Dom Vlash Palaj, Gjovalin Çuni, Andreas Dushi, unë dhe plot vullnetarë të tjerë kanë realizuar një program vertetë profesional. Shpresoj shumë që ky të jetë vetëm edicioni i parë dhe kjo të jetë një farë që do mbijë e do rrisë një pemë të madhe dhe të fortë.  Jetë të gjatë Pemës së Leximit të Shkodrës” përfundon shkrimtari Stefan Çapaliku.

Dom Vlash Palaj: Themelimi i bibliotekës “Zoja e Shkodrës” ishte ngjarja që solli edhe panairin.

Mikpritësi, në këtë rast Dom Vlash Palaj, famulltar pranë famullisë “Zoja e Shkodrës”, rrëfen për GazetaSi.al se themelimi i bibliotekës u bë një urë lidhëse mes kishës dhe intelektualëve

“Ideja e panairit në Shkodër ka ekzistu vazhdimisht, shpesh herë e kemi trajtu këtë temë. Duke qënë se bëhët në Tuz, në Ulqin, në Kosovë, pra bëhet gjithandej por nuk bëhet në Shkodër.

Dom Vlash Palaj

Shkas për këtë panair është bërë themelimi i bibliotekës “Zoja e Shkodrës” ku falë këtij ambient kemi siguruar kontakt me shtresën intelektuale, me profesorë të ndryshëm të cilët janë gjend shumë mirë në promovime dhe konferenca të ndryshme”

Oborri i Katedrales por dhe infrasktruktura në tërësi, thotë Dom Vlash Palaj, e krijojnë mundësinë e një eventi të këtyre përmasave.

Katedralja , Shkodër

“Duke parë ambientin, profesor Stefani e po ashtu Andreasi, i cili është rritur në këtë kishë, propozuan që të organizonim një panair në ambientet e Katedrales pasi i plotësonte edhe kushtet e infrastrukturës për një vepër të tillë. Me shumë kënaqësi e pranova dhe vetë me shpresën se do të na shkojë mbarë. Gjithçka i referohet themelimit të bibliotekës pra e cila u bë një urë lidhëse që mundësoi edhe këtë panair”  

Andreas Dushi: “Libri të ban të lirë” është panairi i qytetit edhe pse organizohet nga Kisha.

Andreas Dushi është më i riu nga aradha e gjatë e shkrimtarëve dhe studiuesve të cilët për shumë vite, i kanë dhënë Shkodrës vepra por edhe emrin e pararendëses së artit dhe kulturës.

 Si një fëmijë i rritur në Kishë, Dushi për GazetaSi.al pranon se ideja e një panairi në oborrin e Katedrales, ishte një ëndërr e hershme e cila u konkretizua tashmë.

Andreas Dushi

“Bashkë me prof. Stefanin, prej vitesh ëndërronim të themelonim një panair libri në Shkodër. E ideonim herë ne kokë e herë me laps e letër, pa ia dalë ta konkretizonim, pasi sigurisht, një ndërmarrje e tillë ka nevojë për një logjistikë të caktuar. Prandaj, roli im është bashkideator dhe bashkorganizator i këtij Panairi, si pjesë e Bordit të Panairit “Libri të ban të lirë”.

Dushi thekson se ky panair nuk duhet parë sikur i përket një përkatësie fetare pasi aty marrin pjesë shtëpi botuese laike duke nisur nga Akademia e Shkencave e me rradhë. Ai e konsideron këtë, si panair i qytetit të Shkodrës.

“Ky panair po organizohet si panairi i qytetit. Oborri i Katedrales është vendi më i përshtatshëm dhe Katedralja, realiteti i duhur për një veprimtari të tillë. Pastaj, Katedralja dhe famullia e Zojës së Shkodrës na e ofruan gjithë atë mbështetje logjistike që thashë pak më lart.  Në panair marrin pjesë shtëpi botuese krejtësisht laike, nga Akademia e Shkencave, deri te botuesit lokalë të qytetit. Prandaj, nuk pres ta marrë emrin si Panairi i Qyteit, pasi e ka tanimë këtë emër” mbyll Andreas Dushi.

Në një qytet me traditë, ku në tridhjetë vitet e fundit, politika ka pasur ndikimin e saj të madh, shpesh për keq , financimet për kulturën dhe veçanarisht librin janë thuajse të papërfillshme. Kjo traditë e padenjë , vazhdoi edhe me ardhjen në krye të Bashkisë të forcës tjetër politike dhe përfaqësuesit të saj i cili drejton një institucion përgjegjës për eventë të tilla.

Por Shkodra ka ditur të tregojë vullnet dhe vendosmëri kur bëhet fjalë për kulturën dhe artin, e veçanarisht letërsinë. Në mos shteti, dikush duhet ta ndërmarrë hapin e parë.

Në këtë rast, Famullia  “Zoja e Shkodrës” duke ndjekur traditën e çmuar të klerikëve Mjeda, Fishta, Zadeja, Harapi etj ndërmerr një hap të madh drejt një tradite sa të munguar po aq edhe të natyrshme. Panairi në Shkodër është në shtëpinë e vet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë