Suadela Balliu – Bërja publike e aktakuzës nga Prokurori Special i Hagës në ditën kur Hashim Thaçi do të merrte fluturimin drejt Uashingtonit, për atë që më pas do të cilësohej si marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë, e bëri të qartë atë që do të vinte më pas.
I akuzuar shpesh nga kritikët se po i luante të gjithë gurët për t’i shpëtuar Gjykatës së Hagës, aq sa edhe për të nënshkruar një marrëveshje që përfshinin këmbim territoresh apo korrigjim kufijsh me Beogradin, Thaçi u paraqit në zyrën e prokurorit special me kombësi amerikane, Jack Smith, duke mos hequr dorë nga detyra e presidentit për sa kohë që akuzat ende nuk ishin konfirmuar.
Por ato ishin bërë publike në një kohë delikate. Përkimi sipas prokurorit kishte të bënte vetëm me faktin se si Thaçi, ashtu edhe Kadri Veseli ishin përpjekur të minonin punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ndonëse Parlamenti e kish miratuar ngritjen e saj, që paralajmëronte hetimin e të paktën dhjetë krimeve të luftës.
Muaj më pas, i gjendur pa alternativa, Thaçi do të bënte aktin që i rezistoi në qershor. Në konferencën për mediat, ai tha se nuk do të dilte në gjyq si president dhe “për të mbrojtur integritetin e shtetit”, dha dorëheqjen për të dalë në bankën e të akuzuarve si qytetar i thjeshtë.
Por ndonëse analistë europianë thonë se në Hagë nuk do të gjykohen politikanët për mënyrën sesi i kanë ushtruar detyrat politike, porse do të japin llogari ndaj akuzave të pretenduara për krime lufte, sot Thaçi e të tjerë janë ish-ushtarët e UÇK-së të zhvendosur nga vija e frontit të luftës, në vijën e parë të politikës.
Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga detyra e kryeministrit vitin e kaluar, kur u thirr sërish në Hagë megjithëse më herët ishte shpallur i pafajshëm erdhi në një kohë kur ai ngulmonte – përkundër këshillave nga ShBA dhe BE – për të hequr taksën njëqind për qind ndaj mallrave serbe (ndonëse jo zyrtarisht shihej si manovër e damës Merkel për të penguar vendosjen e një precedenti të rrezikshëm me korrigjim kufijsh në Ballkanin ende të minuar nga konfliktet e vona) dhe solli zgjedhjet e parakohshme të nëntorit, të cilat më vete sollën të tjera debate të brendshme dhe destabilitet të qeverisë Kurti, më jetëshkurtra në historinë e Kosovës shtet.

Edhe sot, dalja si të akuzuar në Gjykatën e Hagës të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit vjen në një kohë, ku ekuilibrat e qeverisë ende ishin të brishtë, pas prishjes së koalicionit të LDK-së me Vetëvendosjen dhe largimit nga detyra të kryeministrit Albin Kurti.
Detyrën e presidentes e kryen kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e përjashtuar nga partia e saj, ndërsa Isa Mustafa do të deklaronte prerë se nuk do të ishte ajo presidentja, për të shmangur atë që e cilësoi “të njëjtin gabim dy herë”.
Mustafa shprehet se posti i presidentit i takon PDK-së, partisë së tretë dalë nga zgjedhjet, ndërsa Veseli pasi zgjodhi të mos i bashkohet koalicionit qeverisës duke qëndruar në opozitë u detyrua të japë dorëheqjen si kreu i partisë për t’u përballur me Hagën.
Ramush Haradinaj, partia e të cilit është pjesë e koalicionit të ri të qeverisë Hoti, kërkon që presidenti të dalë nga radhët e AAK-së, duke artikuluar ambicien për postin e kreut të shtetit.
Ngjarjet për të cilat akuzohen ish-krerët e lartë të UÇK-së, për krime lufte, krime kundër njerëzimit, tortura, burgosje, zhdukje me forcë të personave e akte të tjera çnjerëzore, i përkasin së shkuarës, një kohe siç citon aktakuza “mes marsit 1998 dhe shtatorit 1999”.
Por, nëse jo denigrimi i shtetarëve apo një klase politike, cili ishte qëllimi i kontrollit të banesave të Thaçit, Veselit dhe Selimit nga policia e Eulex?! A ishte i domosdoshëm apo i pashmangshëm arrestimi i Jakup Krasniqit në banesën e tij? A pritej të gjendej aty brenda ndonjë provë komprometuese për akuzat tashmë të ngritura – e kur bëhet fjalë për trupa ndërkombëtarë të Drejtësisë baza solide e tyre merret e mirëqenë –të një periudhe të 20 viteve të shkuar?
Vetëm pak muaj më parë, në Kosovë u përkujtua 21 vjetori i ndërhyrjes së Forcave të NATO-s, që i dha fund edhe luftës.
BE përshëndet dorëzimin e të akuzuarve si bashkëpunim me drejtësinë, kërkon vazhdimësinë e qeverisjes. Jo vetëm tensionet brenda vendit që rrezikojnë sërish ekuilibrat qeverisës, por përballja me Hagën e kthen retorikën dy dekada më pas.

Ndërsa Kosova lufton me fushatën për njohjen si shtet dhe priste liberalizimin e vizave, si një premtim i BE-së kundrejt demarkacionit të kufirit me Malin e Zi – duke u zhgënjyer dukshëm në samitin e Berlinit, prillin e një viti më parë – tashmë qytetarët i rikthehen kohës së luftës me fushata në rrjete sociale si “Liria ka emër – UÇK” apo duke postuar fotot e tmerreve të luftës.
Ata qytetarë të Kosovës që marshonin më këmbë me ditë të tëra për t’u strehuar në Shqipëri, të dëbuar nga regjimi i Millosheviçit, sot kërkojnë shtetësinë shqiptare si e vetmja mundësi për të lëvizur lirshëm në vendet Shengen.
Ishte Thaçi, president, që i bënte thirrje homologut të tij Meta – i akuzuar së fundi për dhënie shtetësish individëve të dyshimtë – që t’i pajiste shtetasit e Kosovës me pasaporta shqiptare, për të bërë të mundur kështu daljen nga ajo që e cilësonte “izolim klasik”.
“Izolim” që kërkonin t’u shpëtonin edhe shtetarë e politikanë të vendit, ku ndër emrat e kosovarëve që kanë marrë shtetësi shqiptare rezultojnë ato të Ramush dhe Anita Haradinaj, Albin Kurtit e Glauk Konufcës, Mimoza kusari Lila, Shpend Ahmeti e Liburn Aliu apo të familjes Pacolli dhe të birit të Thaçit, ndonëse shumë syresh nuk u nevojitej viza.
Por ndonëse mund të dukej si lëvizje e asaj që kishin kërcënuar këtej e andej kufirit për bashkim kombëtar, nëse BE do ta zvarriste edhe më procesin e gjatë të normalizimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, qëllimi ishte më pragmatik.
Madje ngritja e Gjykatës Speciale, jo pak e kundërshtuar në parlament nga parti si Vetëvendosja, AAK apo Nisma po e mbështetur publikisht nga Thaçi dhe e miratuar në parlament kur Veseli qe kreu i tij, priste t’i hapte rrugët e perspektivës europiane Kosovës.

Por, e zënë me probleme të brendshme reformimi e vizioni të BE-së dhe zgjedhjet e parlamentit europian qershorin e 2019-s, dy liderët e unionit Merkel dhe Macron megjithëse i thirrën në Berlin liderët e Ballkanit, nuk hodhën asnjë hap të mëtejshëm në premtimet e bëra.
Ndërrimi i krerëve të institucioneve të BE-së do të thoshte edhe ndryshim vizionesh në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i ngrirë prej taksës Haradinaj dhe në rrezik të konkretizohej prej mbështetjes amerikane të një ujdie mes dy vendeve, që siç deklaronte asokohe këshilltari i Trump për Sigurinë, Bolton nuk e përjashtonte edhe atë të korrigjimit të kufijve.
Tablo që Trump do ta shfrytëzonte duke e sjellë nënshkrimin e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, që ndonëse theksonte natyrën ekonomike të saj, do t’i hidhte dorashkën e sfidës BE-së edhe në çështjet politike mes dy vendeve. Një marrëveshje që për nga nguti – me Grenell që fillimisht i bëri palët të firmosnin një ujdi mbi ndërtimin e hekurudhave, linjave ajrore e automobilistike mes dy vendeve e më pas i çoi në Uashington – dukej se pritej t’i shtonte pikë Trump në zgjedhjet presidenciale.

Zgjedhjet u fituan nga Biden, një mik i hershëm i kosovarëve, i cili pak kohë më parë vizitoi Prishtinën për të përuruar rrugën me emrin e të birit, Beau, i cili pati rol në ndërtimin e institucioneve juridike në Kosovë.
Joe Biden, i cili pritet të jetë presidenti i 46-të i ShBA-së, jo vetëm që në një takim me Milloshevçin i tha këtij të fundit se ishte një kriminel i mallkuar lufte dhe duhej trajtuar si i tillë, por përkrahu bombardimet e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, më 1999.
E megjithatë, në vizitën që kreu në Kosovë më 2016-n, Biden e shihte themelimin e asosacionit të komunave me shumicë serbe – të kundërshtuar nga Thaçi edhe gjatë samitit të Ballkanit në Tiranë vitin e kaluar -, si të zorshëm, por të domosdoshëm për rrugën e pajtimit mes dy vendeve dhe perspektivën europiane.
Ish- luftëtari i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i mbetur në Prishtinë ndërsa kundërshtarët e tij politike dhe ish-bashkëluftëtarët e kauzës për liri janë të pandehur në Hagë, kërkon që qeveria Hoti të ndërpresë procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re.

Partia e Haradinaj, AAK ngre pyetjen për aleatët strategjikë nëse këto ngjarje e kthejnë Kosovën prapa.
Pasi shprehu mbështetjen për bashkëluftëtarët e tij, Haradinaj tha sot pas vizitës në selinë e PDK-së, tashmë pa dy ish-krerët e saj Veseli e Thaçi, se në ditën kur ata dilnin në Hagë nuk pati diskutime politike në vend.
“Ramush Haradinaj është UÇK. Jam sot dhe do të jem gjithë jetën me të gjithë që kanë qenë ushtarë. Kjo është një përkrahje, ata që mendojnë që e gjunjëzojnë mënyrën e lirisë kanë me gabu’ çdo herë”, do të shprehej ai.
Në zanafillë të këtyre ngjarjeve që i dhanë një tjetër tronditje të fortë politikës në Kosovë- ndonëse të akuzuarit e prisnin qysh kur miratuan themelimin e Gjykatës Speciale – qëndron raporti i tmerrshëm i zviceranit Dick Marty për llogari të Këshillit të Europës.
Midis vitit 2012 dhe 2014, një task forcë e Bashkimit Europian pasi shqyrtoi pretendimet e Dick Marty vendosi kishte prova të mjaftueshme për ndjekje penale për vepra si vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Ngjarja ka jehuar sigurisht në politikën shqiptare, ku kryeministri Rama ka risjellë në debat raportin famëkeq të Dick Marty-t dhe shumë të lakuarën, por të pakonfirmuar ndonjëherë, Shtëpi të Verdhë, ku sipas raportuesit Thaçi dhe të tjerë anëtarë të UÇK-së kryenin trafik ilegal organesh.
“Sali pse e votove pro Raportin e Dick Marty në Këshillin e Europës, kur ne e votuam kundër apo doje të mbroje Kosovën nga Hashimi? Po ti Ilir pse e votove pro Raportin e Dick Marty apo s’të pyeti Haxhinasto? Lulëzim ke gjë për të thënë apo s’ta lejon sekreti hetimor?”, iu drejtohej Rama ish-kryeministrit Berisha, presidentit Meta dhe kreut të PD-së, Basha.
Kryeministri Rama ka vijuar akuzat ndaj kundërshtarëve politikë, duke iu drejtuar sërish Bashës përmes rrjeteve sociale, që sipas kreut të qeverisë në atë kohë “ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë”.
Ish-kryeministri Berisha do t’i përgjigjej pasardhësit të tij në qeveri, se hetimi ishte kërkuar nga udhëheqja e Kosovës, SHBA, BE dhe të gjithë partnerët dhe se kundërshtimi i këtij hetimi do të thoshte marrje përsipër të fajësisë.

“Unë jam i vetmi shqiptar që e kam denoncuar raportin e Dick Marty në OKB, e kam denoncuar atë në çdo samit, por s’i jam kundërvënë një kërkese të vendosur ndërkombëtarisht për hetimin e raportit”, do të shprehej Berisha.
Përgjigja e presidentit Meta ka thelluar edhe më tej krizën politike e institucionale, ndërsa zëdhënësi i presidencës ka ftuar kryeministrin në përballje me kreun e shtetit, duke i kujtuar këtij të fundit padinë e dorëzuar në Gjykatën e Prishtinës për shpifje kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ishte Haradinaj që në disa raste ngrinte akuza ndaj Thaçit e Ramës, që në bashkëpunim me ish-shefen e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini që mbrunin marrëveshjen e fshehtë për atë që ai e cilësonte si “shitje të Kosovës”.
Kreu i PD-së në një dalje për mediat, i cilësoi si fabrikim kauzash ato të kryeministrit Rama, ndërsa që ditën e bërjes publike të akuzave dhe të të akuzuarve politika shqiptare u rreshtua në mbështetje, duke shpallur luftën e UÇK-së si një luftë e drejtë.
Megjithë polarizimin e klimës politike, në të dy anët e kufirit, nesër liderët e Ballkanit bëhen bashkë në konferencën online për Shengenin Ballkanik, së cilës do t’i bashkohet për herë të parë edhe kryeministri i Kosovës, Hoti.
Nga banka e akuzës Krasniqi dhe Thaçi e deklarojnë veten të pafajshëm.
Duke u ndalur në një pikë të aktakuzës ku thuhet se “ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë…”, ish-zëdhënësi i UCCK-së dhe ish-kryeparlamentari i Kosovës për dy mandate, e cilësoi fyerje përpjekjen për ndasi duke e quajtur veten shqiptar.
Krasniqi tha se po mbahej me patëdrejtë dhe se detyra e tij kishte qenë publike “. I kam dhënë zë luftës së UÇK-së. Kishim të drejtë të luftonim për liri dhe në sajë të asaj të drejte morëm edhe mbështetjen ndërkombëtare, pa të cilën nuk do ta çlironim dot Kosovën”, vijoi Krasniqi.
Avokati i ish-presidentit Thaçi, i habitur që ai ishte arrestuar dhe nuk ishte kërkuar fletë thirrje, vuri në dukje edhe nevojën teknike që tashmë ish-zyrtarëve të lartë të shtetit, si qytetarë të thjeshtë të një vendi që ende nuk e ka fituar të drejtën të lëvizë pa viza në zonën Shengen, do t’u duheshin të tilla.

Historinë e “Shtëpisë së Verdhë” që ishte strumbullari edhe i ngritjes së Dhomave Speciale të Kosovës në Gjykatën e Hagës, avokati i Thaçit e cilësoi një njollë mbi Kosovën dhe kosovarët.
Në Prishtinë kryeministri Hoti takon presidenten në detyrë Vjosa Osmani dhe kërkon maturi në këto kohë të vështira.
Të gjithë kritikët dhe kundërshtarët e Thaçit, që edhe kanë akuzuar se presidenti shtyhej nga interesa personale – ndoshta duke aluduar se kishte përpjekje për t’iu shmangur Hagës, e dinë se në bankën e të akuzuarve dhe të arrestuar nuk janë katër individë, as ish-presidenti, dy ish-kryetarë Kuvendi apo një deputet i Vetëvendosjes. Në Hagë ata janë UÇK-ja, e akuzuar për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit, për sa kohë ata nuk ishin luftëtarë të thjeshtë por krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç më parë kishin qenë në bankën e të të pandehurve Haradinaj dhe Fatmir Limaj, i cili si kryetar i partisë Nisma do ta kundërshtonte vit më parë ngritjen e Gjykatës Speciale, pasi sipas tij cenonte sovranitetin e Kosovës.
Me gjyqet e Millosheviçit do ta krahasonte Krasniqi Hagën e ndërsa pritet verdikti, që duke pasur parasysh rastin e Haradinaj që vazhdon të thërritet atje edhe pse u shpall i pafajshëm, Kosovën duket se e pret herë pas here prishje ekuilibrash nëse ata që janë në vijën e parë të politikës dhe institucioneve shtetërore do të thirren në herë pas here për të sqaruar pretendime dhe akuza, edhe pas marrjes së pafajësisë, ose nëse do të gjendeshin të fajshëm ish-luftëtarët e shndërruar në politikanë e shtetarë do të krijonin opinionin botëror se kishin ndërtuar një shtet mbi baza kriminale, edhe pse pavarësia e saj u mbështet nga ShBA e BE. Kaq duhej për ta kthyer historinë mbrapsht në kohën kur udhëheqësi i ish-Jugosllavisë, Millosheviç i cili dëboi dhe kreu gjenocid mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, vdiq në mënyrë ironike në Hagë pa u dënuar përfundimisht për krimet e luftës, ndërsa Thaçi e të tjerë linin emigracionin për t’iu bashkuar një kauze për liri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




