Taksa

Tatimi mbi Dividentin/ KLSH: Kështu Qeveria favorizoi bizneset e mëdha

Kontrolli i Lartë i Shtetit e konsideron favorizim selektiv të disa bizneseve të mëdha uljen e tatimit mbi dividentin në 2018-ën.

Në raportin e auditit të buxhetit 2018-të KLSH citon se “Me ndryshimin ligjor të normës së tatimit mbi dividendin (në 8% nga 15% ), me efekt prapaveprues, bëhet fakt një “amnisti fiskale”, që krijon pabarazi fiskale në raport me individët, apo aksionerët, të cilët gjatë këtyre viteve e kanë shpërndarë dividendin deri në vitin 2017. Ndërkohë aksionerët, të cilët nuk kanë shpërndarë dividendin deri në vitin 2017, tashmë do të përfitojnë një lehtësim fiskal, duke aplikuar një tatim më të ulët.”

Sipas KLSh-së, është detyrë e administratës tatimore që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë të marrë hapa të kujdeshsëm në ndryshimet e shpeshta ligjore, me qëllim krijimin e një klime të qëndrueshme për biznesin dhe shmangien në të ardhmen të krijimit të ndonjë precedenti në drejtim të favorizimit selektiv.

Nga auditimi konstatohet se, nga zbatimi i tarifës së re prej 8%, të ardhurat e derdhura nga tatimpaguesit për dividendin deri më 20 gusht 2019, janë gjithsej 7,859 milionë lekë, krahasuar me 3,690 milionë lekë të derdhura për vitin 2017 dhe 3,041 milionë lekë të derdhura për vitin 2016. Janë derdhur tatim mbi dividentin për herë të parë gjatë këtyre tre viteve nga 1856 subjekte, shuma 2,555 milion lekë, ose 32.5% e totalit të dividendit, çka ka bërë që këto subjekte të kenë përfituar nga ulja e shkallës së tatimit.

KLSH ka konstatuar se, shuma e tatimit të dividentit për 50 subjeket e para në listë arrin në vlerën 4,030 milion lekë, ose zë 50% të totalit të derdhur. KLSH konstaton gjithashtu anomali në deklarimin dhe derdhjen e tatimit mbi dividentin, si: nga 25 subjekte është derdhur tatim mbi dividendin në vitin 2019, në shumën 2,910 milionë lekë, por në vitet 2018 dhe 2017 kanë derdhur respektivisht 293 milionë lekë dhe 9.8 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë