Menaxhim

Tatimet ‘ndreqin’ gabimin me profesionet e lira. Njohin shpenzimet 30%

Nga Gazeta ‘SI’ – Administrata Tatimore ka rishikuar me ulje këstet e parapagimit të profesionistëve të lirë, duke i njohur atyre shpenzimet 30%, siç e njeh ligji i ri.

Pas një problemi në sistem dhe në metodologji, profesionistët e lirë u përballën me këste tatimore disafish më të larta nga se detyroheshin.

Me anë të një njoftimi, drejtoria e Tatimeve në Tiranë thotë se janë zbritur shpenzimet 30%, të parashikuar në ligj për të vetëpunësuarit me xhiro deri 10 milionë lekë. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për rreth 9 mijë të vetëpunësuar.

Njoftimi i parë i Tatimeve për këstet e tatim-fitimit i shkoi bizneseve më 11 prill, por nuk u mor parasysh zbritja e shpenzimeve 30%, por ato shpenzime të deklaruara nga biznesi, duke e çuar faturën e tyre tatimore në vlera tepër të larta.

Ligji që futi profesionet e lira në tatim-fitim është dërguar tre herë në Gjykatën Kushtetuese, nga kontabilistët, avokatët dhe deputetja e PD-së Jorida Tabaku, të cilët e kanë quajtur atë antikushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë