Në kohën që mediat elektronike, të njohura edhe si portale kishin përqendruar energjinë e tyre në kundërshtimin e paketës antishpifje të propozuar nga qeveria, kjo e fundit ka kaluar në heshtje një ndryshim në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që e penalizon këtë media në krahasim me median tradicionale.
Së bashku me paketën fiskale të miratuar në muajin dhjetor, në Kuvend ka kaluar propozimi për ndryshimin e regjimit të TVSH-së për të ardhurat e siguruara nga reklamat për mediat elektronike dhe ato audiovizive. Ndryshimet janë pasqyruar në Fletoren Zyrtare më 28 dhjetor dhe kanë hyrë në fuqi nga 1 janari.
“Ndryshimi është i qartë dhe nuk ka nevojë për komentim”, deklaroi për Gazetën “Si” një burim i Ministrisë së Financave, duke nënkuptuar se pas tyre reflektohet kalimi i të ardhurave të siguruara prej reklamave nga media elektronike në regjimin standard të TVSH-së.
Çfarë u ndryshua konkretisht? Deri para 1 janarit, të ardhurat e përfituara nga reklamat në median elektronike përjashtoheshin nga regjimi i TVSH-së. Por, pas ndryshimeve, TVSH për të ardhurat që media elektronike siguron nga reklamat është vendosur në masën 20 për qind, ndërsa për mediat tradicionale, si televizionet dhe radiot është caktuar 6 për qind, ose regjimi i reduktuar.
Pra, edhe pse bëhet fjalë për të njëjtën kategoria, media, një pjesë e saj tatohet më pak, ndërsa pjesa tjetër më shumë. Për një pjesë të analistëve dhe botuesve të medias elektronike kjo është në vazhdën e vendimeve, qëndrimit dhe vetë gjuhës së Kryeministrit Edi Rama, që shpesh i etiketon këto media si “kazan”. Ata risjellin në kujtesë dy drafet ligjore të paketës antishpifje.
Çfarë propozohet konkretisht në këtë paketë? Së pari ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP dhe atë për Autoritetin e Medias Audiovizive. Ndryshimet do t’i hapnin rrugë ngritjes së një sistemi regjistrimi të medias online.
Regjistrimi është hapi i parë. Hapi i dytë është ngritja e një Këshilli Mbikëqyrës pranë AMA-s, në dorë të të cilit do të jetë edhe përcaktimi i paanshmërisë së një artikulli të botuar në një media të caktuar. Në dorë të vlerësimit të këtij këshilli do të jetë edhe media në fjalë. Pra, nëse ky këshill gjen shkelje të ‘paanshmërisë’, mund të vendosë gjobitjen në shifra deri në 10 mln lekë, deri në mbylljen e medias në fjalë, pa qenë nevoja e marrjes së një vendimi nga gjykata.
Propozimet janë kundërshtuar nga organizatat e shoqatat e gazetarëve dhe të botuesve, vendas dhe ndërkombëtarë. Kundër paketës është shprehur fillimisht edhe OSBE, që e vlerëson si cenim të lirisë së shprehjes dhe rekomandon vetërregullimin e tregut.
Por, përballë këtyre kundërshtive, Qeveria ka zgjedhur heshtjen dhe pavarësisht se AMA ka organizuar disa tryeza me qëllim këshillimin për drafet në fjalë, publikisht nuk është shfaqur asnjë sinjal për tërheqje apo korrigjim të pikave të kritikuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




