Menaxhim

Task Forca për karburantet gjen shkelje të rënda në Korçë dhe Pogradec

Nga Gazeta ‘SI’ – Task Forca e ngritur për mbikëqyrjen e tregut të karburanteve ka ndalur në juglindje të venditm ku ka gjetur shkelje të rënda me transparencën dhe çmimet.

Sipas deklaratës së Administratës Tatimore, në Korçë dhe Pogradec janë gjetur shkelje të konsiderueshme të legjislacionit tatimor. Dokumentacioni i dyshuar si i parregullt është sekuestruar për hetime të mëtejshme dhe rastet pritet t’u referohen organeve të drejtësisë.

Autoritetet bëjnë të ditur se kontrollet do të vijojnë në mbarë vendin, me qëllim parandalimin e abuzimeve me çmimet dhe rritjen e nivelit të formalizimit në sektorin e hidrokarbureve.

Task Forca e përbashkët, e krijuar më 13 mars, do të qëndrojë në terren deri më 30 qershor 2026, duke u fokusuar kryesisht tek subjektet që operojnë në tregtimin me pakicë të karburanteve, bazuar në analizën e riskut.

Gjatë inspektimeve po verifikohen disa elementë kyç, si përputhshmëria e sasisë së karburantit të furnizuar me atë të shitur, origjina e produktit, fiskalizimi i transaksioneve, korrektësia e çmimeve të afishuara në raport me faturat, si dhe regjistrimi i punonjësve.

Ky aksion synon rritjen e transparencës në treg dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga çmimet abuzive, në një periudhë kur tregu i karburanteve po përballet me luhatje të forta.

Task Forca është hapi i parë që ka bërë qeveria për të amortizuar disi rritjen e çmimeve dhe mundësinë e kompanive për të abuzuar. Ministrja e Ekonomisë, javën e shkuar njoftoi se nëse presioni i çmimeve do të rritet, mund të konsiderohet rikthimi i Bordit të Transparencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë