Taksa

Task Forca e Tatimeve kontrolle në hotele dhe banesa Airbnb: Deklaroni ose penalizoheni!

Nga Gazeta 'SI' - Tatimet kanë nisur kontrollet në terren për strukturat akomoduese hotele, por edhe banesat Airbnb në prag të sezonit veror.

Në një njoftim për subjektet turistike, Administrata Tatimore thotë se ka nisur një task-forcë për të verifikuar deklarimin e detyrimeve tatimore nga ana e këtyre subjekteve që po përballen me fluks të lartë të vizitorëve që tani.

“Duke qenë se ju keni përfituar nga lehtësirat fiskale të dhëna nga qeveria shqiptare për këtë sektor, nëpërmjet aplikimit të shkallës së reduktuar të Tvsh-së 6% për strukturat akomoduese, e në shumicën e këtyre aktiviteteve normë të tatim- fitimit 0 deri në qarkullimin 14.000.000 lekë, Ju ftojmë të jeni përmbushës duke respektuar dispozitat ligjore në deklarimin me vërtetësi të të ardhurave tuaja”, thuhet në njoftimin e tatimeve.

Administrata tatimore disponon të dhëna të marra nga deklaratat dhe faturat e fiskalizuara të vetdeklaruara, ajo që furnitorët deklarojnë furnizime mallrash dhe shërbimesh, të dhëna nga palë të treta si agjenci shtetërore dhe platforma ndërkombëtare ndër to edhe Booking, AirBNB, Google etj.

Mospërmbushja e detyrimeve të subjekteve dhe çdo sjellje mospërmbushëse me qëllim mos regjistrimin në TVSH që vihet re në analizat e AT, ju kategorizon si subjekt me risk, ndaj të cilëve ndërmerren veprime verifikuese dhe monitoruese në vend nga ana e strukturave të monitorimit dhe verifikimit në terren, thuhet në njoftimin e tatimeve.

Kontrolli vjen pas disa ndryshimeve ligjore, ku edhe të ardhurat nga dhënia e dhomave me qira futen në skemën tatimore, si TAP. Prej kohësh qeveria synon uljen e informalitetit në sektorin turistik dhe rritjen e të ardhurave vendore, lidhur me to. Brenda këtij viti, pritet edhe publikimi i çmimeve referencë për hotelet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë