Portofol

Tarifat kërcënuese të Trump, befas në zemër të industrisë gjermane të automjeteve

Për sa kohë Donald Trump ka qenë në krye të superfuqisë botërore, ka kërcënuar përherë se do të vendosë tarifa doganore për prodhuesit e huaj të automjeteve me qëllim sipas tij, automjetet e gjermane të mos “vërshojnë” në rrugët e Amerikës.

Të premten, ai e përsëriti edhe një herë kërcënimin e tij duke deklaruar edhe shifrën bashkëngjitur përmes një mesazhi në tweeter. Për të gjitha automjetet që hyjnë në SHBA nga Bashkimi Europian do të ketë një tarifë doganore prej 20 %.

 “Tetëmbëdhjetë muaj më parë, unë nuk do ta kisha besuar kurrë këtë,” tha Uwe Meinhardt, një zyrtar i bashkimit që përfaqëson punonjësit e industrisë së automejeteve në një qytet ku përafërsisht një në pesë të punësuar ka një punë në këtë industri.

Tani që Trump po jetëson kërcënime të tjera në lidhje me tregtinë me BE-në, të cilat dikur dukeshin mjaft larg prej aleatëve europianë, Meinhardt po përpiqet të mësohet me idenë se punëtorët e tij mund të jenë "viktimat e radhës" së Presidentit Trump.

Trump ka rritur në mënyrë dramatike tensionet tregtare në drejtime të shumfishta, me tarifa për një gamë të gjerë të produkteve kineze të shpallura javën e kaluar, dhe e ardhmja e NAFTA-s (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut) u la nga këmbëngulja e Trump për rinegocimin e traktatit të epokës së viteve 1990 me Kanadanë dhe Meksikën. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar së fundmi se lëvizjet e SHBA-ve, po e vënë sistemin e tregtisë globale në rrezik.

Tarifat e automjeteve në Europë, po konsiderohen si lufta e ardhshme së cilës funskionarët po i tremben, e cila po kthehet në një luftë të vërtetë tregtare mes SHBA-ve dhe aleatëve të saj më të ngushtë. Trump ka vendosur tarifa mbi çelikun dhe aluminin të importuar nga BE. Të premten BE vendosi kundërmasa ndaj SHBA-ve për whiskyn dhe motorrat Harley Davidson.

Megjithëse tarifat e makinave është deklaruar se synojnë gjerësisht importet nga shpërndarësit kryesorë të prodhimit si Meksika, Kanadaja dhe Japonia, të gjithë mund të preken. Trump ka veçuar automjetet gjermane si një objekt të veçantë të zemërimit të tij.

Studimet tregojnë se Gjermania pritet të vuajë më shumë në mënyrë absolute  se cilido vend tjetër që eksporton automjete drejt SHBA-ve duke humbur miliarda dollar dhe një ‘copë’ të rëndësishme të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit. Gjigandi gjerman i automjeteve Daimler u shpreh të enjten se  tensionet do të ndikojnë negativisht fitimet. Prodhuesi i automjetve Daimler ka qenë i pari që ka lëshuar një deklaratë të tillë prej komunitetit të prodhuesëve të automjeteve.

Kërcënimet e kohëve të fundit të presidentit Trump kanë qenë kundër BMW-ve të shtrenjta, Mercedes-Benzëve dhe importeve të mallrave të luksit. Për këtë ai ka përdorur intervista në gazeta,  fushata të ndryshme dhe postime në tweeter për të çrrënjosur atë që ai e ka përshkruar si një strukturë tarifore e padrejtë që i bën markat gjermane mbizotëruese në rrugët e SHBA-ve, ndërsa automjetet amerikane mbeten relativisht të pakta në Europë.

“Nëse shëtisni në Fifth Avenue, çdokush ka të parkuar një Mercedes-Benz përpara shtëpisë së tij,” është shprehur Trump për tabloidin gjerman Bild përpara inagurimit të tij. “Sa Chevrolets shikoni ju në Gjermani? Jo shumë, ndoshta një. . . . Është një rrugë një-kalimshe.”

Trump, të premten paralajmëroi se tarifat doganore mbi makinat do të vinin në përgjigjje të praktikave Europiane të tregtisë. Ai shkroi në llogarinë e tij në tweeter: “Bazuar në Tarifat dhe Barrierat Tregtare që BE ka vendosur për kompanitë dhe punëtorët amerikanë, nëse këto Tarifa dhe Barriera nuk do të thyhen apo hiqen shpejt, ne do të vendosim tarifë doganore prej 20% për të gjitha automjetet që vijnë në Amerikë. Ndërtoini këtu!”

Muajin e kaluar, Trump i kërkoi Departamentit të Tregtisë të investigonte nëse importi i pjesëve të këmbimit përbënte një kërcënim apo jo për sigurinë kombëtare amerikane — një koncept që shkakton komizëm tek ekonomistët, por mund të përdoret si një pretekst alternativ për tarifat.

Trump gjithashtu ka cituar sigurinë kombëtare për të justifikuar tarifat mbi çelikun dhe aluminin. Megjithëse Europa, Kanadaja dhe Meksika fillimisht ishin të përjashtuara nga këto tarifa, administrata vendosi në fund të majit se aleatët e ngushtë do të merrnin të njëjtin trajtim tarifor ashtu si Kina kundërshtare.

Ditë më vonë, Grupi i 7 vendeve në samitin e Kanadasë falimentoi në një spektakël të bukur, me Trumpin i cili deklaroi në Twitter duke u ankuar, pasi ai u largua nga qyteti ku mbahej Samiti i G7, se partnerët ndërkombëtarë po përfitonin nga Shtetet e Bashkuara për tregtinë dhe për t'i kujtuar se ai po shqyrtonte "Tarifat për automojetet që kanë vërshuar tregun e SHBA-ve!"

Fjalët dhe veprat e Trump kanë ushqyer në Gjermani një bindje në rritje se tarifat e automjeteve, nëse jo të pashmangshme, janë sigurisht të mundshme dhe se vendi duhet të përgatitet.

Kancelarja Amgela Merkel, në një intervistë në televizionin publik ARD, pranoi se tarifat mund të vendosish dhe premtoi se Europa do të përgjigjej në natyrë. "Nuk mund të përfitojnë nga ne përsëri dhe përsëri," paralajmëroi Merkel.

Deklaratat e ashpra janë disi ngushëlluese këtu në Shtutgart, ku perspektiva e një lufte tregtare me partnerin më të rëndësishëm ekonomik të zonës i mbush banorët me frikë.

“Çdo euro  në këtë rajon fitohet jashtë vendit, "tha Tassilo Zywietz, drejtor në Dhomën e Tregtisë së Stuttgartit, që e ka fokusin tek ekonomia që drejtohet nga eksportet. "Duke synuar industrinë e automjeteve, vendimi i tarifave do të ishte një goditje në zemër ".

Shtutgard, një qytet kodrinor i mbushur me vreshta në jugperëndimin e begatë të Gjermanisë, bën kërkesë të justifikueshme për të qenë "djepi i automjeteve". Ishte viti 1886 kur Gottlieb Daimler drejtonte "kamionin me katër rrota". Karl Benz kishte diçka të ngjashme. Trashëgimtari që i zbuloi - prodhuesi i Mercedes-Benz - bazohet ende këtu, si Porsche. I gjithë rajoni është i mbushur me impiante që bashkojnë pjesët, krijues të pjesëve dhe firma inxhinierike - të gjitha që mbështesin një industri që konsiderohet si  krenaria e kombit.

Pavarësisht fitimeve të shëndetshme, gjithë kjo, nuk është mirë për prodhuesit e automjeteve. Skandali i 2015-ës i ndërtimit të Volkswagen me benzinë jashtë kritereve të përcaktuara, dëmtoi reputacionin e të gjithë industrisë, dhe prodhuesit gjermanë janë konsideruar të ngadalshëm për të kaluar në automjete hibride apo elektrike. Tani, biznesi i tyre me dy nga tregjet e tyre më të rëndësishme mund të ndërpritet - Britania për shkak të Brexit dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të tarifave.

“Ne po e ndjekim debatin e SHBA-ve me shumë kujdes,” është shprehur Porsche në një deklaratë për shtyp. “Një e treta e shitjeve tona është në Amerikën e Veriut  dhe meqë nuk kemi pika prodhimi atje, na duhet ta marrim seriozisht situatën ".

Prodhues të tjerë gjermanë, duke përfshirë BMW, Volkswagen dhe pronarin e Mercedes, Daimler, kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e prodhimit në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadës së fundit dhe konsiderohen disi më pak të ndjeshme ndaj tarifave.

Ndërmarrjet dhe nënkontraktorët amerikanë të ndërmarrjeve gjermane kanë punësuar më shumë se 110,000 punëtorë dhe kanë prodhuar më shumë se 800,000 automjete vitin e kaluar, sipas Shoqatës Gjermane të Automobilistikës. Kjo krahasohet me rreth 500,000 makina të eksportuara nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara.

Tarifat do të trokasin për rreth 6 miliardë dollarë, ose rreth 0.2 për qind të PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto), të ekonomisë gjermane nëpërmjet shitjeve të humbura dhe fitimeve mbi makinat e importuara drejtpërdrejt nga Gjermania, sipas një studimi të Qendrës Ifo për Ekonominë Ndërkombëtare me seli në Munih.

"Tarifat do ti kushtojnë shtrenjtë pjesës së tregut të automjeteve gjermane. Kjo është shumë e qartë, " tha Gabriel Felbermayr, drejtori i Qendrës.

Puna e kompanive të makinave nuk përfundon këtu. Përafërsisht 500,000 makina u eksportuan në Shtetet e Bashkuara nga fabrikat gjermane në vende të tjera, të tilla si Meksika, që do të thotë se një shkelje e marrëveshjes NAFTA mund të përkeqësojë dëmin.

Prodhuesit gjermanë gjithashtu eksportojnë makina të bëra në Shtetet e Bashkuara - BMW mburret që SHBA-ja është eksportuesja më e madhe në vlerë e automjetve - kështu që ata mund të gjenden mes shumë zjarresh nëse Shtetet e Bashkuara dhe Kina e përshkallëzojnë vendimin e tyre.

SHBA-të do të humbin gjithashtu nga Lufta Tregtare,  tha Felbermayr.

"Një luftë tregtare nuk është e lehtë për tu fituar," tha ai. "Secila palë do të paguajë kostot e larta."

Ky është mesazhi që zyrtarët gjermanë po përpiqen të dërgojnë. Nicole Hoffmeister-Kraut, Ministrja e ekonomisë në shtetin e Baden-Württemberg KU Shtutgard është kryeqyteti, tha se prosperiteti i zonës duhet të jetë një promovim për virtytet e tregtisë së lirë.

Rajoni është gjithashtu një blerës i madh i shërbimeve të SHBA-ve, veçanërisht në teknologji. Hoffmeister-Kraut tha se Shtetet e Bashkuara dhe BE duhet të negociojnë barriera të ulëta tregtare, jo t'i rrisin ato në mënyrë të njëanshme.

"Tregtia në të vërtetë është e balancuar," tha ajo. "Protektonizmi nuk është rruga e drejtë për të ecur përpara."

Gokhan Balkis, shef ekzekutiv i një furnizuesi të pjesëve të automjeteve me qendër në rajonin e Black Forest, tha se ai ndan shqetësimin e Trump për pabarazinë në tarifat e makinave: Bashkimi Europian ngarkon 10 për qind për importet e SHBA-ve, krahasuar me 2.5% që ngarkojnë SHBA-të për importet e BE-së.

"Nuk më pëlqen mënyra se si po e bën këtë," tha Balkis. "Por është e saktë të flitet për këtë."

Balkis tha se ata do të dëshironin që të dyja palët të reduktonin, dhe ndoshta të eliminonin, barrierat e tyre.

"Njerëzit do të blejnë makina gjermane," tha Andreas Kramski, shefi ekzekutiv i një biznesi familjar që prodhon miliarda pjesë në vit për prodhuesit e automjetëve në mbarë botën. "Nuk do të ishte shumë patriotike për një amerikan ta thoshte, por është një fakt: makinat gjermane janë më të mirat".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë