Menaxhim

Tarifat e reja të ujit / ERRU rrëzon aplikimet për rritje çmimesh të Shkodrës, Elbasanit dhe Beratit

Nga Gazeta ‘Si’-Komisioni Kombëtar Rregullator, pjesë e Entit Rregullator të Ujit (ERRU) ka rrëzuar aplikimet e tre ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve për tarifa të reja.

Enti ka analizuar për secilin rast arsyet e këtij refuzimi.

Shoqëria e Shkodrës e cila kishte dorëzuar aplikimin në 29 shtator të këtij viti nuk ka një licencë aktive e cila duhet t’i jepet nga ERRU.

“Vetëm operatorët e licencuar kanë të drejtë të aplikojnë për tarifa shërbimi ujësjellës-kanalizimesh pranë ERRU-së”, thuhet në parashtrimin e Entit i cili thekson se është kusht i domosdoshëm pajisja e shoqërisë me licencë për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura nga ERRU-ja përpara aplikimit për nivel të ri tarifor.

Ky i fundit i ka kërkuar ndërmarrjes që të aplikojë si fillim për licencim pranë këtij institucioni, gjë që i hap rrugën aplikimit për tarifat e reja.

Shoqëria e dytë aplikuese, ajo e Elbasanit, në datë 29 shtator, ka kërkuar unifikim tarifash për tarifat fikse, tarifat volumetrike për shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe largimin e ujërave të ndotura për klientët.

Por aplikimi sipas ERRU, ka disa mangësi të tilla, si pasqyra financiare të vitit 2022 të pafirmosura dhe vulosura për ujësjellësin e Librazhdit që është pjesë e kësaj ndërmarrje pas reformës së agregimit. Po kështu shoqëria nuk ka zhvilluar seancën dëgjimore që është kusht mbi nivelin e ri tarifor.

Gjithashtu shoqëria s’ka respektuar aktmarrëveshjen e nënshkruar me ERRU-në për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj dhe aplikimi është refuzuar.

Shoqëria e tretë është ajo e ujësjellës-kanalizime në qarkun e Beratit ku Enti sërish ka vlerësuar se në aplikimin e dorëzuar në 29 shtator mungojnë disa aspekte.

“Kështu te raporti i detajuar për gjendjen teknike të sistemeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve sa i takon procesit të miratimit të tarifave, i ndryshuar, konkretisht nuk është respektuar afati i njoftimit dhe nuk është marrë miratimi i ERRU-së për prezantimin e propozimit, për rrjedhojë seancat janë zhvilluar pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ERRU-së”.

Shoqëritë e ujësjellës-Kanalizimeve i janë nënshtruar dy viteve të fundit një reforme që synon bashkimin e tyre duke krijuar ndërmarrje më të mëdha.

Pjesa më e madhe e këtyre bashkimeve tashmë ka përfunduar dhe Enti kishte lënë të hapur deri në fund të shtatorit mundësinë për aplikime për tarifa të reja nga ana e ujësjellësve të sapokrijuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë