Projekti i gazsjellësit Trans Adriatik Pipelin (TAP) ka përfunduar tashmë më shumë se 88% të projektit, ka bërë me dije konsorciumi që e ka ndërtuar.
“Deri në fund të majit 2019, ne kemi kryer mbi 88% të punimeve të plota, duke përfshirë prokurimin inxhinierik dhe fushën e ndërtimit”, tha TAP në një postim në llogarinë e tij në Twitter.

Më herët këtë muaj, TAP është shprehur tashmë 99% e tubave janë shtrirë në tokë përgjatë gjithë Greqisë dhe Shqipërisë.
Gjithashtu, më shumë se 93% e tokës përgjatë gjurmës së TAP në Greqi dhe Shqipëri është kthyer në gjendjen fillestare.
Në Itali, punimet në terminalin pritës së gazsjellësit kanë ecur mire, stacionet e matjes dhe të kompresorëve janë përfunduar në masën përtej 85%.
Po ashtu shtrimi i tubave në pjesën detare vijon të ecë përpara në përputhje me afatet e projektit.
Sipas TAP, projekti ka arritur një rekord botëror përsa i përket sigurimit teknik në punë lidhur me kohën e humbur për shkak të incidenteve, e cila ka rezultuar shumë më e ulët se normat botërore. Ekipet e TAP kanë ngarë mjete për më shumë se 116 milionë kilometra dhe kanë bërë rreth 41 milionë orë pune pa incidente madhore në lidhje me sigurimit teknik në punë.
Luca Schieppati, Drejtor Menaxhues i TAP-it, do të shprehej se; “TAP është i rëndësishëm për tre arsye kryesore. Ai sjell përfitime të menjëhershme për të tre vendet tona pritëse. Për më tepër ai do t’i ofrojë rajonit siguri në furnizimin me energji dhe diversifikim të burimeve, që më parë nuk e kishte. Ai është gjithashtu një projekt kyç që do ta bëjë më të lehtë tranzicionin energjetik të Europës. Megjithatë, ne gjithmonë kemi qenë të vetëdijshëm se përtej këtyre arsyeve, TAP është një vepër që duhet të sjellë përfitime të prekshme shoqërore dhe ekonomike për komunitetet që do të mirëpresin tubacionin gjatë dhjetëvjeçarëve në vijim. Kemi punuar shumë për ta arritur këtë gjatë tre viteve të shkuara dhe të njëjtën gjë do të bëjmë edhe pas përfundimit të ndërtimit.”

TAP fillon shtrirjen e tubave të çelikut në seksionin prej 105 km në det të hapur, përgjatë DetitAdriatik. Pika më e thellë e tubacionitnën nivelin e detit do të jetë më shumë se 810 metra.
Pasi të jetë ndërtuar, TAP do të sigurojë mundësi të reja të rëndësishme energjie për Europën Juglindore që të ketë mundësi të furnizojë banesat dhe industritë e saj. Ndërkohë rajoni po kalon një tranzicion drejt një të ardhmeje me nivele të ulëta të emetimit të karbonit. Gazi natyror është lënda djegëse fosile më e pastër dhe do të vazhdojë të luajë një rol thelbësor në morinë e burimeve energjetike të Europës, duke ndihmuar në zëvendësimin e burimeve energjetike që krijojnë më shumë karbon. TAP do të rrisë gjithashtu sigurinë energjetike duke diversifikuar burimet me energji të BE-së. Për shembull, pas përfundimit, TAP mendohet të mbulojë rreth 33% të nevojave për gaz të Bullgarisë, 20% të nevojave të Greqisë dhe rreth 10,5% të nevojave të Italisë.

TAP është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, me gjatësi rreth 3’500 kilometrash dhe vlerë rreth 40 miliardë USD dhe që shtrihet nga Deti Kaspik deri në Europë. TAP do të ofrojë një korridor të drejtpërdrejtë dhe me leverdi ekonomike për vendet e Europës Juglindore dhe më tej. Ai do të transportojë gaz natyror nga basenet e Kaspikut drejt Europës, duke u lidhur me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, dhe duke përshkuar Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të dalë në tokë në brigjet e Italisë së Jugut, ku do të lidhet me rrjetin italian të gazit natyror.
Çfarë është Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në zonën e Azerbajxhanit të Detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi i gjatë përafërsisht 878 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, do të përshkojë Greqinë dhe Shqipërinë si dhe Detin Adriatik përpara se të dalë në tokë në brigjet e Italisë së Jugut.
Furnizimet e para me gaz në Evropë përmes TAP do të nisin në vitin 2020.
Gjurma e TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz të një sërë vendesh të Europës Juglindore. Pika e hyrjes së TAP në tokë në Itali ofron mundësi të mëtejshme për transportin e gazit natyror të Kaspikut drejt disa prej tregjeve më të mëdha europiane.
TAP promovon zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës përgjatë gjurmës së gazsjellësit dhe është një burim madhor i investimeve të huaja direkte.
Aksionarët e TAP janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.