Ngjarje

TAP dhe destabilizimi i Ballkanit armatosin Shqipërinë. Mbi 180 mld lekë investime në ushtri (Dokumenti i ri i Strategjisë)

Përballë një realiteti të ri, qeveria ka vendosur përditësimin e strategjisë ushtarake të vendit.

Në një dokument të hedhur për konsultim, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se strategjia në fuqi nuk është më efektive, pasi Shqipëria po përballet me kërcënime të forta kibernetike dhe është e ekspozuar dhe ndaj sulmeve të jashtme.

“Aktivitetet influencuese keqdashëse do të vijojnë me të gjitha format edhe nëpërmjet aktorëve të tretë, për të formësuar mjedisin informativ sipas interesave të tyre, pa përjashtuar përpjekje për ndërhyrje e influencim në proceset demokratike, mjet i përdorur tashmë në vendet e BE-së e më gjerë, për të cilën parlamenti i Republikës së Shqipërisë ka miratuar edhe një Rezolutë kundër ndërhyrjeve në proceset demokratike”, shkruhet në draft.

Modernizimi i Forcave dhe rritja e burimeve njerëzore janë dy qëllimet kryesore të Strategjisë së re, si mënyrat që do ta bëjnë Shqipërinë të sigurt dhe të dobishme në nivel rajonal.

Përmbushja e objektivit 2% të NATO-s është një ndër pikat e draftit.

Në dokument thuhet se ndonëse konfliktet nuk synojnë Shqipërinë, për shkak të gazsjellësit TAP ajo është një pikë strategjikë ndërkombëtare dhe rreziku është prezent, në rastin e sulmeve ruse.

Në aspektin rajonal, siguria e Shqipërisë mund të lëkundet nga destabilizimi i Ballkanit Perëndimor dhe aktorëve dashakeq.

Në aspektin kombëtar, MM thotë se sulmet kibernetike mbeten kërcënimi më i madh i vendit.

Strategjia do të rishikohet, në mënyrë periodike çdo pesë vjet ose kur ka ndryshime në mjedisin e sigurisë që e bëjnë rishikimin e tij të domosdoshëm, thotë qeveria.

Investimet

Në total, parashikohet që Shqipëria të investojë 122 miliardë lekë për modernizimin dhe 61 miliardë lekë për infrastrukturë ushtarake.

Fillimisht do të ketë investime në garnizonet Zall-Herr, Ferraj e Pezë Helmës. Po ashtu, parashikohet ndërtimi i infrastrukturës stërvitore në Pajet, Bizë, Farkë dhe në Mnellë.

Në listën e investimeve është edhe zhvillimi i infrastrukturës pritëse dhe akomoduese portuale dhe aereoportuale në Porto Romano dhe bazën detare Pashaliman.

Po ashtu, investim i pritshëm është edhe në Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare si dhe blerja e 6 anijeve të mesme patrulluese.

Investime parashikohen edhe për krijimin e Bazës Tokësore të Mbrojtjes Ajrore si dhe përmirësimi i Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore të vendit, ku veç një radari fiks, do të investohen edhe në 2 radarë të lëvizshëm dhe kompletimi i bazës me helikopterët Blackhaëk

Në listën e investimeve është edhe ndërtimi i rrjetit kompjuterik të klasifikuar “NATO Sekret” në Forcat e Armatosura dhe ndërtimi i Kampusit të ri Universitar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë